Kuvend - Replika e Ministrit të Brendshëm gjatë interpelancës me deputetin Vasili - Ministria e Brendshme
Postuar më: 24/03/2022

Kuvend – Replika e Ministrit të Brendshëm gjatë interpelancës me deputetin Vasili

VIDEO – Replika e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi:

Faleminderit drejtuese e seancës,

Faleminderit edhe zotit Vasili, që krijon edhe një mundësi tjetër për të qenë transparent me publikun dhe sinqerisht që e vlersoj që e përdor këtë transparencë vetëm në funksion të publikut.

Dua t’i referohem pyetjes literalisht, pra, z. Vasili thotë që: “Kush ka urdhëruar që punonjës civil pa mjet identifikimi të ushtrojnë dhunë dhe të arrestojnë protestues, dhe a janë evidentuar këta persona, ç’masë ndëshkimore janë marrë kundrejt tyre, por edhe ndaj drejtuesve të policisë të cilët janë përpjekur të fshehin nga pasqyrimi në media veprimet e paligjshme të kryera?”

Që në fillim dua të them z. Vasili se arrestime ka pasur, por dhunë nuk ka pasur, dhe arrestimet janë bërë konform ligjit, konform procedurave që ka Policia e Shtetit të përcaktuara në të gjithë kornizën ligjore që e rregullon këtë aspekt. Në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, në ligjin “Për tubimet”, në Kodin e Procedurës Penale, në Manualin për Procedurat Standarte për Policinë e Shtetit dhe Sigurinë, dhe në një urdhër të firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm, ku përcaktohet procedura standarte për planifikimin e shërbimit të policisë gjatë zhvillimit të tubimeve. Dhe sigurisht që këto janë konfirmuar, pra mungesa e dhunës në rastin konkret, sepse arrestimet nga njëra anë janë vlerësuar të gjitha 100 % si të ligjshme nga gjykata. Ky është një argument kokëfortë që këto arrestime nuk janë bërë në kundërshtim me ligjin.

Por jo vetëm kaq. Duke qenë sensitiv edhe nga pamje që janë ofruar nga media, edhe nga denoncime që janë bërë nga politika qoftë edhe nga ju personalisht, Agjencia për Mbikëqyrjen Policore, një Agjenci që ka filluar tashmë funksionimin në bazë të ligjit të ri, që ne e kemi miratuar para pak kohëve dhe që është shumë më tepër e pavarur nga struktura e policisë tashmë, nga sa ka qenë më përpara, nuk ka gjetur asnjë shkelje të procedurës nga punonjës të policisë.

Ata punonjës të Policisë që keni parë civilë, sigurisht janë punonjës policie, në çdo arrestim kanë qenë të shoqëruar me policë me uniformë dhe padiskutim me mjet identifikimi dhe janë verifikuar një për një. Dhe që ju të keni besim dhe të mos aludoni për manipulim nga ana e strukturave që monitorojnë punën e policisë, unë po ju jap vetëm një fakt: Vetëm vitin e kaluar janë ndëshkuar me masa disiplinore, madje çuar edhe në Gjykatë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, 49 punonjës të policisë të të gjitha niveleve.

Kështu që ju garantoj se hetimi në rastin konkret ka qenë i plotë. Rasti që nxorët, unë nuk e pashë fotografinë, por e di që media ka nxjerrë një sekuencë të një punonjësi të Policisë së Krimeve me pistolete dhe kjo i referohet rastit të Durrësit, ka të bëjë me mobilizimin spontan që bëri Policia në një protestë, që nuk ishte paralajmëruar në Durrës dhe është verifikuar. Ai person sigurisht që është thirrur pikërisht sepse ka qenë spontane edhe organizimi, edhe bllokimi i rrugës kryesore, për rrjedhim, pra shkelja e ligjit ndaj atyre që protestuan pa leje dhe prandaj ka qenë me pistoletë.

Në të gjitha rastet e tjera nuk ka asnjë punonjës të Policisë Kriminale që të mos ketë qenë i armatosur konform të gjitha ligjeve. Faleminderit.