Seanca parlamentare – Ministri Çuçi rendit arsyet përse nuk duhet ndarje e re territoriale: Reforma që bëmë funksionoi, sot bashkitë mbledhin më shumë të ardhura, kryejnë më shumë investime
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi duke folur në Kuvend për raportin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për Reformën Administrativo-Territoriale”, ka rrëzuar pretendimet e opozitës, e cila kërkonte një ndarje të re. Në cilësinë e ministrit që përgjigjet për pushtetin vendor, por edhe si hartues i reformës në vitin 2014, ai ka bërë një paraqitje të plotë të efekteve pozitive që ka sjell ndarje e re territoriale me 61 bashki.
“Shpenzimet nga transfertat në pushtetit vendor janë rritur nga 34 mln lekë në 2015 në 57 mld në 2021, pra 67% më shumë. Si është administrata? Administrata është 35% më pak punonjës të aparatit. Kemi pasur 14401 punonjës dhe sot në 61 bashki 9585 punonjës. Pra, kemi 4816 burokratë të aparateve më pak se sa kemi pasur në 2014”, tha Çuçi.
Lidhur me shërbimet, ministri tha se është normale të jenë shtuar pasi nga qeveria qendrore janë transferuar funksione në pushtetin lokal dhe kjo sipas tij do të shtohet me rritje të numrit të punonjësve.
“Si rezultat i bashkimit, si rezultat i aplikimit të ekonomisë së shkallës në shërbimet që ofrojnë bashkitë, sot i bëjnë duke ngritur ndërmarrjet e tyre. Dhe kjo padisktuim do të rrisë numrin e punonjësve. Sot për shembull Tirana ka ngritur një ndërmarrje të posacme për pastrimin. Deri më dje këto para i shkonin një kompanie që kryente pastrimin. Duhet ta shohim situatën ashtu siç është komplet të shkëputur nga misioni politik”, deklaroi Ministri i Brendshëm.
Lidhur me të ardhurat që mbledhin sot bashkitë e vendit nga tarifat dhe taksat vendore, Çuçi tha se ato janë rritur dy herë nga 11.7 mld lekë në 2015 në 26.6 mld lenë në 2021. Po kështu sipas tij janë rritur edhe investimet që janë realizuar nga njësitë e qeverisjes vendore.
“Në fakt propozimi i bërë në raportin e sjellë nga zonja Çupi është shumë i cekët për të pretenduar për të shkuar drejt një ndarrje të re territoriale. Ky komision ishte ndoshta i nevojshëm, për të parë edhe ecurinë e reformës sot pas 7 vitesh”, deklaroi Ministri i Brendshëm.
VIDEO – Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi:
Faleminderit, zonja Kryetare!
Të nderuar kolegë,
Për fat të keq edhe ky Komision nuk e prishi traditën e daljes me dy raporte pas mbarimit të mandatit. Do të përpiqem të jem sa më racional, pasi për të thënë të vërtetën me dëshirën dhe përpjekjen për të dalë nga xhaketa e ministrit, i cili është marrë posaçërisht me këtë reformë në vitin 2014 dhe që ka qenë njeriu që e ka ndjekur që nga dita e parë dhe deri në ditën e fundit kur është miratuar, por jo vetëm edhe më pas me implementimin, dua ta shikoj sot, si ministër i Brendshëm, se ku jemi me rezultatet e reformës administrative territoriale të vitit 2015, sepse bashkitë e reja filluan në vitin 2015 ushtrimin e funksioneve, sipas kësaj harte.
Një herë, kam keqardhje për raportin e zonjës Çupi, sepse vihet re në mënyrë flagrante, e shprehur moskoherenca mes asaj që merr dhe tenton të bëj raportin në analizë me konkluzionin. Pra, i gjithë raporti ishte negativ, sikur asgjë nuk ka funksionuar, sikur kjo ndarje ishte fatkeqësia e funksionimit të pushtetit vendor në Shqipëri dhe nga ana tjetër bën një propozim ku mban 80, 85% të bashkive që ekzistojnë sot. Por, të paktën mund të thuhej: po, ka pasur probleme, ka pasur vështirësi në implementim, sepse nuk i kemi mohuar as ditën e parë kur e kemi filluar ta bëjmë këtë reformë dhe jo më tani që dihet, sepse kemi disa rezultate dhe kemi mbi çfarë të flasim.
Pastaj mund të dilej me një konkluzion dhe të thuhej: ka ecur por, nëse 80% apo 85% e bashkive kanë funksionuar, 25% e tyre mundet të funksionojnë edhe më mirë me një variant tjetër të ndarjes. Pra ka një moskoherencë që duket shumë qartë, e cila është politike dhe unë e kuptoj. Ndaj do të doja të ishim shumë, sepse kemi të bëjmë me një element shumë të rëndësishëm të qeverisjes së një vendi që është qeverisja vendore, këtu biem dakord të gjithë, pa diskutim, ky është standard demokratik, që ne e kemi filluar ta përqafojmë që në vitin 1992, unë këtu nuk ndaj asnjë nga forcat politike për përpjekjet që ka bërë për të konsoliduar funksionimin e qeverisjes vendore, unë vetë kamë qenë personazh i këtij rrugëtimi, të ndaleshim në arritjet, mosarritjet, konkluzionet dhe ecurinë e reformës deri ditën e sotme.
Përgëzoj kolegen Denaj, sepse ka bërë një raport, në gjykimin tim, shumë realist, duke sjellë statistika, fakte dhe duke bërë rekomandime, që do të na vlejnë të gjithëve për të forcuar më tej funksionimin e qeverisjes vendore. Rekomandime, të cilat, si ministër i Brendshëm do të jem përgjegjës, për atë pjesë që më takon, për t’i shtyrë përpara dhe për t’i realizuar.
Nuk mund të ndjehem mirë kur shikoj se çfarë rezultatesh ka sjellë reforma territoriale, duke i krahasuar me atë abstragim që bënim, në atë kohë kur bënim reformën, dhe thoshim: kjo reformë do t’i shërbejë Shqipërisë për të bërë këtë, këtë, këtë dhe do të rritet kjo, do të rritet kjo, do të rritet kjo. Sot ku jemi me këto parametra? Le të shohim, unë do t’i prek shkurtimisht, sepse zonja Denaj ishte shteruese në ato elemente, por kam qejf t’i them edhe unë, në cilësinë e ministrit të Brendshëm, duke e riparë veten time gjatë kohës që bënim reformën në vitin 2014 dhe tani duke e parë me atë pasqyrë nëse kemi shkuar drejt asaj rruge, a ka qenë ai trendi, apo kemi gabuar tërësisht dhe kemi shkuar mbrapsht.
E para, duhet ta lëmë mënjanë pjesën e përfaqësimit demokratik. Jam shumë dakord dhe kam qenë që ditën e parë, që ka vend për përmirësim, për përfaqësim demokratik, kur kemi edhe amalgime, edhe ndarje të tjera të bashkive apo njësive vendore në përgjithësi, por kjo është një çështje e reformës zgjedhore.
Është një çështje që duhet ta marrim politikisht për ta parë sesi mund të rritim më mirë përfaqësimin e çdo etniteti lokal brenda një bashkie, në përfaqësim.
Dua të merrem me atë që kemi diskutuar më shumë, a do e rritë performancën, autonominë financiare të bashkive, a do ti ulë shpenzimet administrative, çfarë raporti do të zenë shpenzimet administrative me buxhetin në tërësi, po të ardhurat e veta çfarë raporti do të zenë me të ardhurat që vijnë nga granti apo transfertat e kushtëzuara që vijnë nga qeverisja qendore? Këto janë disa nga debatet që kemi patur që ditën e parë kur kemi ndërrmarrë reformën dhe le të shohim ku jemi sot në krahasim me atë ditë kur lamë një Shqipëri me 374 njësi vendore.
Kryesorja, le të shohim autonominë dhe kapacitetet njerëzore e financiare. Këtu kemi, rritja e buxhetit të pushtetit vendor ka shkuar nga 2.1% të GDP në vitin 2014, e kemi 3.2% të GDP në vitin 2021. Shpenzimet totale, ku futen dhe transfertat e kushtëzuara, që janë po aq të rëndësishme për funksionimin dhe jetën e një bashkie, për mirëqënien e saj, kanë arritur në 5.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2021. Shifrat flasin vetë, nuk kanë nevojë për komente.
Shpenzimet totale të pushtetit vendor janë rritur nga 34 miliard lekë në 2015, kanë shkuar në 57 miliard lekë në vitin 2021, pra një rritje prej 67.6%
Si është administrata? Një diskutim shumë i madh, abuzimi me shifrat. Administrata është 35% më pak punonjës të Aparatit, se do ndalojmë edhe këtu. Sepse kemi ulje të numrit të aparatit, por pa diskutim që kur flasim se kemi pasur rreth 14,401 dhe sot në 61 bashki, kemi 9,585 punonjës. Pra siç thashë kemi 4,816 burokratë të aparateve më pak seç kemi patur në 2014.
Kur vjen puna për shërbimet, janë rritur sepse kemi jo 5, dua ta korrigjoj pak kolegen Denaj, por janë 7 funksione që janë transferuar nga pushteti qendror, në pushtetin vendor. Sigurisht do të shoqërohen edhe me punonjësit që do të ushtrojnë këto funksione e para, dhe e dyta si rezultat i amalgimit, si rezultat i bashkimit, si rezultat i aplikimit të ekonomisë së shkallës në shërbime që ofrojnë bashkitë, ka shumë bashki që shërbime të rëndësishme si pastrimi, i bënin duke kontraktuar me kontraktorë të tretë, sot i bëjnë duke ngritur ndërmarrjet e tyre. Dhe kjo padiskutim që do të rrisë numrin, nëqoftëse ato para i jepte në një kontratë një firme, e cila bënte pastrimin, sot fjala bie Tirana e ka patur të tillë me kontraktorë, sot e ushtron vetë dhe ka ngritur një ndërmarrje të posaçme për këtë punë, që padiskutim do të rrisë numrin e punonjësve. Ama këto para, kanë qenë paratë që shkonin një kompanie tjetër që bënte pastrimin, prandaj duhet te jemi shumë të kujdesshëm kur analizojmë sepse ka të bëjë pikërisht me efektet e një reforme shumë të rëndësishme. Duhet ta shohim ashtu siç është, komplet të shkëputur nga misioni politik të paktën për 1 moment.
Kemi nga të ardhurat dhe taksat e tarifave vendore janë rritur 2 herë, është shumë e rëndësishme, si një autonomi për të krijuar vetë nga taksat e tua. Janë rritur 2 herë, pra 217%, pra nga 11.7 miliard lekë në 2015, në 26.6 miliard lekë në 2021. Dhe investimet që është shumë e rëndësishme, që janë realizuar nga njësitë e qeverisë vendore janë rritur 3 herë.
Meqë koha është e kufizuar, dua vetëm shkurtimisht t’iu them që në fakt propozimi i ardhur, ose i bërë në raportin e sjellë nga znj. Çupi, padiskutim që është shumë i cekët për të pretenduar, për të shkuar drejt një ndarje të re territoriale.
Ky komision ishte ndoshta i nevojshëm dhe pyetjes që pse e ngritët përderisa në fund konkluzioni ishte që do vazhdojë me këtë strukturë administrative territoriale të pushtetit vendor, ishte i domosdoshëm ndoshta edhe për të parë ecurinë e reformës, në një optikë tashmë pas 7 vitesh, se ku jemi me ecurinë e reformës territoriale që kemi filluar ta aplikojmë në 2015. Ndoshta ishte një komision padiskutim i vlefshëm dhe konkluzionet e këtij komisioni, raportit unë i kam marrë shënim dhe do fillojmë përpjekja që bashkarisht, sepse aty ka edhe çështje që lidhen me përfaqësimin demokratik, ku biem dakord t’i zgjidhim ose t’i adresojmë sa më mirë në funksion të një qëllimi final, që është konsolidimi i qeverisjes vendore. Faleminderit!