Kuvend/Fjala e ministrit të Brendshëm Çuçi në seancën parlamentare - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/04/2022

Kuvend/Fjala e ministrit të Brendshëm Çuçi në seancën parlamentare

Kuvend/Fjala e ministrit Çuçi në seancën parlamentare – 11 prill 2022:

E nderuar kryesuese e seancës,

Të nderuar kolegë,

Të nderuar shqiptarë,

Përgjithësisht qeveritë tentojnë t’u përgjigjen nevojave, kërkesave të komunitetit, të popullit. Kjo edhe për shkaqe pragmatike për t’i bërë më të kënaqur në mënyrë që të marrin sa më shumë vota dhe për të qeverisur vendin. Çështja qëndron tek mënyra e komunikimit, mënyra e marrjes, e përthithjes dhe e monitorimit pastaj nga ana e komuniteteve, të çështjeve, që u interesojnë komuniteteve. Dhe këtu ka disa forma. Forma më klasike është sigurisht zgjedhjet njëherë në katër vite. Partitë politike paraqesin platforma politike për të marrë votat dhe për të kërkuar sovranitetin, që i delegohet nga njerëzit tek politika. Formë tjetër është përgjigje e drejtpërdrejt e situatave të krijuara nga kriza, që nuk varen nga qeveria. Rasti konkret ishte dhe është akoma, kriza e shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Kriza e çmimeve, krizë, e cila impakton drejtpërdrejt buxhetet e pothuajse të gjithë shtresave të shoqërisë. Në këto raste nuk ka nevojë të pyeten. Në këto raste qeveria bën kalkulimet dhe reagon menjëherë. Reagon menjëherë sidomos për të mbrojtur shtresat që janë më në nevojë. Këtë gjë, ne e kemi bërë më së miri në përgjigje të krizës së fundit.

Kemi miratuar një paketë të rezistencës, ku janë shumë të qarta elementët e ndihmës, që i jepet të gjithë shtresave në nevojë. Kujtoj këtu 30 mijë lekëshin për të kompensuar rritjen e çmimeve, kujtoj këtu sigurinë që u dhamë njerëzve, për mosrritjen e çmimit të energjisë elektrike, megjithëse çmimi në bursë ndërkombëtare rritet vazhdimisht dhe ka kapërcyer çdo limit, e pavarësisht se ne e blejmë në bursë, prapë e shesim, apo ua japim familjeve në nevojë me çmimin, që kemi vendosur prej kaq kohësh. Apo ndihmën që u dhamë fermerëve si një shtresë në nevojë, duke e rritur me 1.5 herë fondit për t’i ndihmuar me karburant për punët e tyre.

Por, ka edhe forma të tjera, siç është forma e Këshillimit Kombëtar, e cila është një formë që në njëfarë mënyre e përdor qeverisja për të sqaruar veten e saj për disa kërkesa, që lindin në tryeza të shumta, apo edhe në tryezat e qeverisë që, për të qenë e qartë se çfarë dhe si duhet ta orientojë politikën e saj për çështje të caktuara. Këto mund të jenë çështje që janë diskutuar më përpara, janë diskutuar në forume ekspertësh, janë diskutuar në mediume të ndryshme, janë diskutuar nga politika dhe vjen një moment që për të marrë një hap të caktuar, u drejtohet drejtpërdrejt njerëzve për të shprehur edhe ata mendimin e tyre. Kjo formë është pikërisht forma që ne kemi përdorur së fundmi, forma e këshillimit kombëtar.

Tek pyetjet që kemi adresuar dhe përgjigjet që kemi marrë, në fakt janë gjëra që u interesojnë drejtpërdrejt njerëzve, mendojmë ne. Janë gjëra që ne kemi pasur dilemat tona për të ndërmarrë politika të caktuara, apo jo. Këtu ka pyetje të rëndësishme do të thoja unë, për shembull: “Nëse shqiptarët mendojnë që duhet t’i kursejnë një pensionisti, i cili gjen një punë edhe pas daljes në pension që të mos paguajë sigurime shoqërore, apo jo?” Janë çështje që i kemi diskutuar edhe këtu në parlament. Çështje të tjera që kanë të bëjnë me përkujdesjen ndaj familjeve në nevojë, pyetje të drejtpërdrejta. Edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me politika të caktuara shtetërore, që duhet të ndërmarrë qeveria në momente të caktuara, që mendon ajo që janë në dobi të shtetit, në dobi të kombit, në dobi të njerëzve.

Unë do të doja shkurtimisht të ndalesha vetëm për një pyetje, që ka nxitur një lloj debati, ndoshta diku mund të jetë i drejtë, në lidhje me legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale. Në radhë të parë, sigurisht që duhet sqaruar mirë, ne e kemi sqaruar dhe do vazhdojmë ta sqarojmë që bëhet fjalë vetëm për kanabisin për qëllime mjekësore dhe industriale, dhe jo për qëllime të tjera, as përdorimi, as rekreacioni. Dua të them që shumica dërrmuese e vendeve të OECD-së, pra që janë vende që i bashkon standardi perëndimor, në qoftë se do e përmblidhja kështu me një gjuhë pak më të përgjithshme, e kanë të legalizuar në një formë, qoftë në formë përdorimi, qoftë në formë rekreacioni, apo në një formë të përdorimit për qëllime industriale, apo qëllime mjekësore.

Kështu që në vetvete kjo iniciativë nuk përbën asnjë shqetësim vis-a-vis, standardeve të vendeve ku ne po shkojmë dhe po atashohemi. Por shqetësimi ka qenë që meqë Shqipëria ka pasur një njollë për këtë çështje: A do e impaktonte kjo? A do e destabilizonte kjo situatën, apo jo?

Unë dua t’ju them shumë drejtpërdrejt: Aspak. Zero rrezik, që mund të rrisë këtë shtim, apo këtë interes të krimit të organizuar për të gjetur terren këtu. Zero. Sepse viti i fundit, dhe jo pa qëllim ne e kemi shtruar sivjet këtë pyetje, sepse ka të bëjë me rezultatet që ne kemi pasur në 2021 në luftën kundër kanabisit. Pra janë mbi 100 mijë rrënjë të asgjësuara në 2021, në një operacion që përfshin 50 dronë, që përfshin 69 orë fluturimi të helikopterëve të ushtrisë, që përfshin 182 orë fluturimi të Guardia di Finanza-s.

Me dy të dhëna shumë sinjifikative që janë, e para, rritja shumëfish e çmimit të kanabisit, e dini pse rritet çmimi, sepse mungon oferta; dhe e dyta, për herë të parë në Itali, gjatë vitit 2021 nuk është sekuestruar asnjë rrënjë kanabis me origjinë Shqipërinë. Janë të dyja, të dhëna shumë domethënëse për të treguar që ne tashmë e kemi nën kontroll. Dhe kontrolli do të forcohet më tej sivjet, sepse përveç droneve që janë përdorur, përveç fluturimeve me helikopter, përveç punës së policisë, do i shtohet edhe monitorim i vazhdueshëm me satelitët, që do e marrim të përditësuar të gjithë situatën në territor. Faleminderit.