Krimet mjedisore denoncohen edhe në Komisariatin Dixhital/Çuçi: 5 rubrika specifike në aplikacion. Mjet në duart e publikut për të raportuar paligjshmërinë në mjedis - Ministria e Brendshme
Postuar më: 15/12/2021

Krimet mjedisore denoncohen edhe në Komisariatin Dixhital/Çuçi: 5 rubrika specifike në aplikacion. Mjet në duart e publikut për të raportuar paligjshmërinë në mjedis

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, së bashku me ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro zhvilluan një takim të përbashkët me Policinë e Shtetit, IKMT-në dhe Policinë Bashkiake Tiranë për të prezantuar 5 rubrika të reja që janë shtuar në aplikacionin “Komisariatin Dixhital” për krimet mjedisore.

“Kjo është një mundësi më shumë për publikun që të denoncojë çdo lloj ndërhyrje të paligjshme në territor duke filluar që nga depozitimi i paligjshëm i plehrave e deri te ndotja akustike. Krimet mjedisore janë po aq të rënda sa format e tjera të kriminalitetit. Kjo duhet kuptuar edhe brenda radhëve të Policisë së Shtetit, duke filluar që nga drejtuesit, deri tek oficerët e terrenit, pa asnjë përjashtim”, u shpreh ministri Çuçi.

Fjala e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi në eventin për mbrojtjen e mjedisit dhe risitë e Komisariatit Dixhital:

Të flasësh për mjedisin nuk është asnjëherë e tepërt. Ekzistenca jonë e përbashkët lidhet pashmangshmërisht me burimet natyrore dhe mënyrën se si ne i shfrytëzojmë ato. Në këtë kuptim takimi i sotëm vjen në vazhdën e shumë e shumë përpjekjeve që ne kemi bërë që kur nisëm të qeverisnim Shqipërinë, për të mbrojtur mjedisin dhe për të kontrolluar sa më mirë territorin. Nuk e mohon dot njeri që moratoriumi mbi pyjet dhe gjuetinë kanë dhënë rezultate impresionuese, por s’ka dyshim që jemi ende larg asaj ku duhet të mbërrijmë dhe çfarë na takon të bëjmë së bashku. Të vendosim një raport të ri e të qëndrueshëm si shoqëri me mjedisin ku jetojmë . E di që ky është problem jo shqiptarë, problem botëror, por ne kemi detyrimin e përbashkët të bëjmë gjithçka duhet, për të mbrojtur çfarë në na ka falur natyra.

ÇFARË KEMI BËRË DERI MË TANI

Në këto vite kemi ndërmarrë një mori nismash në mbrojtjen e mjedisit. Jo vetëm në kuptimin e mbrojtjes së terreneve e zonave publike, por edhe ato që kanë të bëjnë me florën e faunën e vendit. Moratoriumet për gjuetinë, pyjet etj., janë një ndër shembujt më të prekshëm dhe siç e thashë edhe pak më sipër, kanë dhënë rezultate impresionuese. Ministria e Brendshme e ka vendosur mbrojtjen e mjedisit në prioritetet e punës së saj. Me qëllim që përpjekjet tona të ishin sa më efikase dhe në fakt ashtu ka rezultuar, IKMT-ja tashmë është bërë pjesë e rëndësishme e strukturave të Ministrisë së Brendshme dhe tashmë bashkëpunon ngushtësisht si një trup me Policinë e Shtetit. Nga ana tjetër, ashpërsimi i masave ndëshkuese që parashikon Kodi Penal me ndryshimet e fundit të bëra, kanë rritur ndjeshëm efikasitetin në luftën kundër krimeve mjedisore.

ROLI I POLICISË SË SHTETIT

Sot, në Policinë e Shtetit ne kemi ngritur dhe funksionon një strukturë e posaçme për trajtimin e ndjekjes së krimeve mjedisore. Megjithatë pavarësisht të gjithë këtyre gjërave nismave ligjore, strukturore apo dhe veprimet që kemi ndërmarrë ende mbetet problem numri i pakët i procedimeve dhe dënimeve për krimet e mjedisit.

Policia e Shtetit, jo pa keqardhje, them se mbetet ende në një fazë të rutinës kur bëhet fjala për krimet mjedisore. Është i domosdoshëm ndryshimi i mentalitetit së pari, injektimi i një filozofie të re pune në trajtimin e krimeve mjedisore me të njëjtën rëndësi siç trajtohen edhe krimet e tjera kundër personit, kundër pasurisë, krimit të organizuar etj.

Për të kuptuar peshën e këtij ndryshimi në mentalitet, po ju sjell vetëm në vëmendje, vetëm një raport të Kombeve të Bashkuara i hartuar në bashkëpunim me INTERPOL-in. Raport në të cilin rezulton se gjatë një viti u shkaktuan mbi 91 miliard dollarë dëme në të gjithë botën, për shkak të krimeve në mjedis, në burimet natyrore, 91 miliard dollarë. Sipas po të njëjtit raport, dhe këtë duhet ta dëgjojmë të gjithë me shumë kujdes, krimet në mjedis renditeshin të katërtit, për nga rëndësia ndër më të zhvilluarit në botë, pas atij të trafikut të drogës që ishte i pari, kontrabandës dhe falsifikimit që ishte i dyti dhe trafikut të qenieve njerëzore. Pra, figura e katërt e veprave penale të shkaktuara në botë.

Këto të dhëna tregojnë shkallën e rrezikshmërisë dhe peshës që kanë krimet në mjedis dhe kjo tendencë e krimit duhet kuptuar edhe brenda radhëve të Policisë së Shtetit, duke filluar që nga drejtuesit, deri tek oficerët e terrenit, pa asnjë përjashtim.

Nga të dhënat që kemi tani, tregojnë se 3 vitet e fundit, kemi mesatarisht rreth 2,600 – 3,000 vepra penale në mjedis, në të cilat, ato për ndërtim të paligjshëm, pushtim dhe shpërdorim të tokës, zënë pjesën kryesore. Nisur nga këto të dhëna, del qartë se puna tashmë e koordinuar, me Policinë, e IKMT-së, dhe strukturat e pushtetit lokal, kanë një rëndësi të dorës së parë në frenimin e këtij fenomeni.

KOMISARIATI DIXHITAL

Ndaj, në këtë sipërmarrje tonën për parandalimin e këtij krimi, një vëmendje të posaçme i është kushtuar pa diskutim rritjes së ndërgjegjësimit të publikut për ta denoncuar këtë krim. Pa diskutim që një nga instrumentet më efikas, që na ka rezultuar në këto vitet e fundit, që prej krijimit të Komisariatit Dixhital, është pikërisht ky i fundit.

Ky aplikacion është një nga mjetet tashmë më popullore për sa i takon parandalimit dhe goditjes së paligjshmërisë. Që prej ditës së parë të futjes në përdorim, ka shënuar një sukses të vërtetë në lidhje me rritjen e denoncimit të krimeve.

Po marrim p.sh., një statistikë, që nga 1 shtatori i këtij viti; deri sot, janë rreth 40 mijë denoncime të bëra në Komisariatin Dixhital. Dhe për krime që lidhen me mjedisin, janë vetëm 276 të tilla. Pra shikoni se çfarë peshe të vogël zë në morinë e denoncimeve që vijnë në Komisariatin Dixhital denoncimet që janë për krimet mjedisore.

Sigurisht që ka qenë shumë efikas sepse 63 prej tyre kanë rezultuar që kanë qenë denoncime të sakta, sepse duhet verifikuar edhe kjo, kundrejt 117 që nuk kanë qenë të tilla, dhe 96 janë ende në proces verifikimi. Kjo e dyta tregon për efikasitetin e këtij instrumenti kaq të rëndësishëm për të denoncuar dhe krimin kundër mjedisit. Ky numër dëshmon për vlefshmërinë dhe efikasitetin e këtij inovacioni tepër të rëndësishëm e pionier në vendin tonë e në rajon për sa i takon përdorimit dixhital të denoncimit nga vetë qytetarët.

Pikërisht për këtë, për të rritur numrin e denoncimeve dhe efikasitetin e denoncimeve që vijnë në Komisariatin Dixhital, ne sot do të paraqesim pikërisht ndryshimet që kemi bërë, te ky aplikacion, duke shtuar 5 rubrika specifike në menynë përkatëse të mbrojtjes së mjedisit.

Në butonin “Krimi Mjedisor” të gjithë përdoruesit e aplikacionit do të mund të gjejnë të renditura llojet e krimit mjedisor. Kjo do ta orientojë shumë më mirë, do të bëjë shumë më efecientë punën pastaj, të agjencive ligjzbatuese, për t’i ndjekur këto krime.

Këto 5 rubrika janë:

– ndotje uji;

– ndotje e tokës;

– depozitim i paligjshëm mbetjesh;

– ndotje me inerte;

– ndotje akustike.

Ky ndryshim do të krijojë lehtësitë e duhura për publikun, si një kanal i ri nga ku mund të denoncohet krimin mjedisor, dhe nga kushtet e anonimatit të plotë. Besojmë se siguria publike nuk është detyrë vetëm e Policisë së Shtetit apo e agjencive ligjzbatuese, por një përpjekje e përbashkët e të gjithë shoqërisë, për t’u mbyllur çdo hapësirë individëve të papërgjegjshëm apo me tendenca kriminale.

“Komisariati Dixhital”, me ndryshimet dhe përditësimet e bëra, mbetet një mjet jashtëzakonisht i fuqishëm në duart e publikut, për të denoncuar çdo krim në mjedis, kundër mjedisit, në fund të fundit, çdo krim që bëhet kundër jetës sonë si qytetarë të këtij vendi.

MONITORIMI ME DRONË SUPER-INTELIGJENTË/ VIZIONI PËR TË ARDHMEN

Këto pa diskutim që janë përpjekje në frymën e të gjithë transformimit dixhital dhe modernizimit të Policisë së Shtetit, që do të vijojë gjatë vitit pasues, me shfrytëzimin e informacionit të marrë, qoftë nga dronët super-inteligjentë, apo edhe nga shërbimi satelitor Made in Albania, që do të gjenerojnë raporte në kohë reale për çdo dëmtim në sipërfaqe publike apo ndërhyrje në territor. Por përpjekjet tona, ky angazhim i të gjithë strukturave ligjzbatuese, do të rezultonte i paplotë, nëse nuk do të gjente mbështetjen e publikut dhe të gjithë strukturave tjera të shoqërisë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në fund do të dëshiroja të tërhiqja vëmendjen e të gjitha strukturave të IKMT, Policisë së Shtetit, strukturave të policive bashkiake dhe çdo agjencie ligjzbatuese të përfshirë në këtë betejën për mbrojtjen e mjedisit, që të shtojmë dhe përpjekjet tona për ta mbrojtur këtë pasuri të përbashkët, nga e cila varet jo vetëm cilësia e sotme e jetës në këtë vend, por sidomos, e ardhmja jonë e përbashkët.

Krimi në mjedis dhe sidomos mos-ndëshkueshmëria e tij, mund të rezultojnë me pasoja të pallogaritshme. Përvoja botërore na e mëson këtë. Prandaj, sa jemi ende në kohë, të përpiqemi me të gjitha forcat, të gjithë bashkë, qytetarë, shoqëri civile, institucione shtetërore e agjenci ligjzbatuese për të mbrojtur burimet natyrore mbi të cilat kemi ndërtuar jetën tonë. Faleminderit.