Leskovik/Kolonjë – Vijojnë takimet sensibilizuese për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale për kultivimin e bimëve narkotike
Strukturat e Policisë kanë vijuar me takimin e radhës të zhvilluar në Leskovik, për sensibilizimin e komunitetit dhe zbatimin e detyrave të çdo punonjësi e individi të ngarkuar me përgjegjësi, në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike.
Pjesëmarrës në këtë takim ishin Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë Drejtues i Parë Gjovalin Loka, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë Drejtues Fatmir Hoxha, Shefi i Komisariatit të Policisë Kolonjë Ardian Fezollari, Nënprefekti i Kolonjës Z. Sergei Peshtani, Shefat e Seksioneve për Krimet dhe Rendin, kryetarët e Njësive Administrative, kryepleqtë, inspektorë të pyjeve, si dhe banorë të këtyre zonave.
Gjatë takimit u diskutua për një bashkëpunim sa më efikas me strukturat e tjera ligjzbatuese, me komunitetin në drejtim të shkëmbimit të informacioneve në kohë reale me qëllim që edhe reagimi të jetë i menjëhershëm, si edhe për kontrollet e pandërprera në të gjithë territorin që mbulon kjo bashki.
DVP Korçë apelon për të gjithë qytetarët që të mos përfshihen në këtë aktivitet kriminal pasi do të përballen me forcën e ligjit dhe për çdo informacion që ata kanë të telefonojnë në numrin 129 të Policisë së Shtetit.