KJV vijon punën intensive për verifikimin e 45 subjekteve të para - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/08/2019

KJV vijon punën intensive për verifikimin e 45 subjekteve të para

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, i ngritur në zbatim të ligjit nr. 12/2018 “Për Vlerësimin Kalimtar dhe Periodik të Punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, i ndryshuar, bën me dije opinionin publik se me qëllim shqyrtimin e çështjeve për subjektet që i nënshtrohen vlerësimit kalimtar, po punon intensivisht me verifikimin e 45 subjekteve të para të hedhura me short sipas përcaktimeve ligjore duke u bazuar në parimet e procesit të rregullt ligjor dhe gjykimit të shpejtë, parimin e hetimit kryesisht dhe barazisë përpara ligjit, si dhe parimin e eficiencës dhe të proporcionalitetit.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit që prej fundmuajit qershor, kur ka nisur hetimin për 45 subjektet e shortuara me grada dhe pozicione të larta dhe më tej gjatë muajit korrik e aktualisht është duke shkëmbyer një korespondencë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse me një sërë institucionesh publike shtetërore dhe private, agjenci ligjzbatuese dhe organe të pavarura, me qëllim marrjen e informacionit të plotë dhe dokumentacionit zyrtar që fakton vërtetësinë e deklarimeve të subjekteve.

Për shkak të vetë natyrës së hetimit administrativ që sanksionon ligji 12/2018, duke përfshirë verifikimin dhe kërkimin e një sërë të dhënash të pakufizuara dhe ndërmarrjen e një sërë veprimeve proceduriale  për ekzistencën dhe vërtetueshmërinë e provave lidhur me kontrolllin e figurës, pasurisë dhe profesionalizmit, përmes bashkëpunimit me shumë institucione dhe organizma brenda, por dhe jashtë vendit, si dhe me vetë subjeketet e vlerësimit, Komisioni është në proces pritjeje dhe verifikimi fundor të një sërë përgjigjesh nga instiucionet të cilave iu është drejtuar për kërkim të dhënash lidhur me subjektet, por dhe personat e lidhur me ta.

Deri më tani është administruar një volum i madh dokumentacioni, i cili ende nuk është shterues në kuadër të hetimit ndërkohë që mungon përcjellja e të dhënave nga disa institucione të rëndësishme të cilat kanë vonesa në përpunimin dhe përcjelljen e tyre.

Komisioni konsideron prioritet dhe sfidë përmbylljen e hetimit për 45 subjektet e para dhe daljen në një kohë sa më të afert të tyre në seanca dëgjimore duke u garantuar subjekteve paanshmëri në proces dhe të gjitha të drejtat e tyre për një proces të rregullt ligjor.

Nga ana tjetër, në kuadër të transparencës dhe të drejtës së informimit si dhe duke konsideruar një instrument mjaft të rëndësishëm pjesëmarrjen e publikut në denoncimin e çdo rasti dhe bashkëpunimin për të paraqitur çdo element të rëndësishëm dhe të vlefshëm për procesin e vlerësimit, Komisioni fton çdo qytetar si dhe median, t’i  drejtohen faqes zyrtare të institucionit www.kjv.al  për të bashkëpunuar si dhe marrë njoftimet e duhura lidhur me procesin si dhe përditësimin e tij në vijim.

Anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, të organizuar tashmë në 5 trupa vlerësuese, janë të  angazhuar maksimalisht dhe po punojnë përgjatë gjithë muajit gusht me kapacitet të plotë se bashku me anëtarët e Sekretariatit Teknik për kryerjen me përgjegjësi të misionit ligjor, të interesit publik dhe integrues të vendit, për sigurimin e besimit të qytetarëve në sistemin e policisë së shtetit dhe strukturave te saj, rritjen e transparencës dhe integritetit e profesionalizimit të saj si dhe parandalimin e fenomeneve që dëmtojnë imazhin e policisë së shtetit dhe strukturave mbështetëse të saj në Republikën e Shqipërisë.