Intervista/Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i ftuar në Top Talk në Top Channel - Ministria e Brendshme
Postuar më: 31/03/2021

Intervista/Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i ftuar në Top Talk në Top Channel

Intervista – Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në Top Talk në Top Channel – VIDEO:

Gazetari: Përshëndetje miq të Top Channel, kemi mbërritur në minutazhin e Top Talk për ditën e sotme, ish-ministri i Brendshëm Bledi Çuçi është sot prezent në Top Talk. Ai është njëkohësisht edhe drejtues politik për qarkun e Gjirokastrës në Partinë Socialiste, kështu që do të bisedojmë për shumë çështje që lidhen praktikisht edhe me dorëheqjen e tij nga Ministër i Punëve të Brendshme, por edhe si drejtues politik i angazhuar në zgjedhjet e 25 prillit për partinë socialiste.

Faleminderit Z. Çuçi që je në Top Talk.

Ministri: Mirëdita, por pse më hoqe nga Ministër, s’e mora vesh, por…

Gazetari: A keni dhënë dorëheqjen apo….

Ministri: Jo, s’kam dhënë dorëheqjen, kush ju tha që kam dhënë dorëheqjen?!

Gazetari: Na e sqaro këtë gjë atëherë, çfarë ka ndodhur?

Ministri: Kam bërë një urdhër delegimi, sepse ka filluar fushata, edhe nuk dua që të jem në fushatë edhe të bëj sikur jam Ministër, ndërkohë që ka zëvendësministra, ka Kushtetutë, ka ligje që e lejojnë këtë gjë që gjatë periudhës së fushatës t’i delegohet firma njërit nga zëvendësministrave dhe puna vazhdon…

Gazetari: Nuk është kjo një dorëheqje e përkohshme?

Ministri: Jo, absolutisht jo.

Gazetari: Ok, pra ju do vazhdoni t’i ushtroni se o i ushtron, o s’i ushtron kompetencat.

Ministri: Më fal edhe njëherë, Kushtetuta e ka shumë të qartë që kur ti nuk je në zyrë ja delegon firmën njërit nga zëvendësministrave.

Gazetari: Po, me arsye pra.

Ministri: Arsyeja është qenia në fushatë, unë duhet të jem në fushatë, unë jam person politik, unë jam në fushatë, jam i angazhuar 100% në fushatë dhe punët e Ministrisë sigurisht që ndiqen nga zëvendësministri  Unë jam Ministër, pa diskutim, nga pikëpamja kushtetuese nuk kam dhënë dorëheqjen.

Gazetari: Vazhdoni të keni të drejtën e firmës? Apo firmos zëvendësministri për kompetencat e Ministrit aktualisht?

Ministri: Jua thashë, kam deleguar firmën, por unë e ruaj të drejtën pa diskutim që të firmos sa herë që mund të jetë e nevojshme apo që mund të shkoj për gjëra të rëndësishme që janë në zyrë për të firmosur, jam unë Ministër.

Gazetari: Dakord, ishte një vendim personal ky apo po themi një kërkesë nga Kryeministri?

Ministri: Ky është qëndrim etik, çdo person publik…

Gazetari: Po, por e zgjodhët ta bënit vetë ta bënit këtë apo tha Kryeministri p.sh.: z. Çuçi, ju përkohësisht duhet të bëni këtë akt për shkak se…

Ministri: Pse duhet të thotë Kryeministri për çdo gjë, nuk e kuptoj këtë gjë, ajo është një gjë krejt normale. Kur iki jashtë shtetit, kur iki tre ditë me shërbim jashtë, ia delegoj firmën zëvendësministrit. Këtë s’ka nevojë të ma thotë Kryeministri, sepse ma ka thënë Kushtetuta. Në bazë të Kushtetutës, iki me shërbim në Gjirokastër, shërbimi do zgjasë 20 ditë, apo 15 ditë apo 10 ditë apo 1 muaj, do ta delegoj firmën. Kthehem nga shërbimi, vazhdoj.

Gazetari: Po pse p.sh. ju keni kohë që e keni marrë mandatin politik për të qenë drejtues i qarkut Gjirokastër, por këtë tërheqje e bëtë shumë më vonë, ka diçka këtu apo thjesht ishte çështje kohe që vendosët?

Ministri: Mandatin politik si drejtues i qarkut Gjirokastër, unë kam 5 vjet, i dashur.

Gazetari: Po mirë pra, po flasim për zgjedhjet tani apo jo… Aktin e tërheqjes si Ministër i Brendshëm e morët tani për shkak se keni angazhimin politik apo jo?

Ministri: Në qoftë se keni ndonjë konsulent juridik aty, duhet ta dini që fushata elektorale është një muaj.

Gazetari: Po pra, patjetër. E di që është një muaj, por çështja është që ne donim të dinim, në këtë rast opinioni publik, aktin e dorëheqjes tuaj, në kuptimin figurativ, e dimë që nuk është dorëheqje.

Ministri: Nuk është dorëheqje.

Gazetari: Që ta kuptojnë njerëzit. Ok tërheqjen tuaj momentale atëherë, ose delegimin e kompetencave në qoftë se e doni të saktë.

Ministri: Është delegim, nuk je në zyrë, do të zëvendësojë dikush.

Gazetari: Në PS ka një vendim politik që drejtuesit që janë të angazhuar në poste politike, në parti nuk mbajnë poste në qeveri. Kjo gjë kishte lidhje me këtë apo ishte thjeshtë një çështje tjetër?

Ministri: Nuk ka një vendim të tillë politik.

Gazetari: Pra në qoftë se ke një post politik në parti, Rama ka thënë që nuk mbajnë dy funksione, edhe funksionin partiak dhe funksionin ekzekutiv. Ju e dini këtë gjë?

Ministri: Ne, nga drejtuesit është Klosi, jam unë, është Niko Peleshi, është Elisa Spiropali që janë drejtues qarqesh, është Olta Xhaçka që ishte në Dibër, deri para se të dilte lista e zgjedhjeve, e cila shkoi në Korçë, d.m.th. ne kemi drejtues politik që janë ministra.

Gazetari: Tani çështja është që ka nga krahu i tjetër insinuata të ndryshme që lidhen me, për shembull, me ngjarjet në Elbasan, por duke u afruar dita e zgjedhjeve mund të ketë edhe ngjarje tipike të tjera me karakter të tensionuar. A është normale që Ministria më e rëndësishme mos të ketë titullarin e saj në detyrë në të tilla situata, që mund të ndodhin dhe nuk parashikohet se si mund të shkojnë?

Ministri: E kemi thënë që në fillim, duhet të mësohemi që çështjet e rendit i takojnë Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit funksion në bazë të një ligji specifik, në bazë të drejtave që burojnë nga Kushtetuta, në bazë të pavarësisë që buron nga fryma e Kushtetutës dhe në bazë të të gjithë korpusit ligjor, që garanton të drejtat e njeriut dhe pa diskutim mirëfunksionimin e një shteti. Kështu që është policia në detyrë 100%. Ministri është person politik dhe pa diskutim nëse ka ngjarje të një karakteri shumë të veçantë, apo të jashtëzakonshëm, unë këtu jam, nuk kam vdekur, larg qoftë, meqë më hoqët edhe nga ministër, thashë mos e çoni edhe më tej… Jam këtu, kam deleguar vetëm firmën tek zëvendësministri, sepse nuk dua të jem hipokrit, sikur jam edhe në zyrë edhe në Gjirokastër. Kjo është për mendimin tim, një nga qëndrimet etike, të paktën për mua. Kështu, besoj kjo është shumë e qartë që unë jam në detyrë, unë jam i emëruar, jam ministër i Brendshëm. Thashë është një qëndrim etik i Ministrit të Brendshëm që ta delegojë firmën përderisa nuk është në zyrë në një periudhë të vazhdueshme. Kështu që nuk jam për t’i dhënë mesazhe opozitës, jam për t’u dhënë mesazhe etike nga ana ime si funksionar publik, shqiptarëve dhe shoqërisë shqiptare. Besoj se është një sjellje shumë e mirë dhe kjo duhet të jetë gjëja më normale.

Gazetari: A keni juve, natyrisht, nëse mund ta ndajmë këtë gjë edhe publikisht, informacion për ngjarje ose situata destabiliteti gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas saj, paraprakisht ju pyes për këtë?

Ministri: Nuk ka informacione specifike lidhur me këtë. Nuk ka pse të ketë. Nuk ka arsye pse të ketë. Madje unë jam i bindur që gjithçka do të shkojë qetë. Partitë politike kanë hyrë në një garë. Tashmë jemi maturuar, besoj unë, edhe forcat politike janë maturuar, edhe shqiptarët janë maturuar me demokracinë, janë mësuar me garat elektorale, politike. Kështu që besoj se nuk do të kemi ngjarje. Por për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, nuk ka asnjë informacion për një situatë apo ngjarje të jashtëzakonshme që lidhet me procesin zgjedhor.

Gazetari: Kërkoj një interpretim se si ju e lexoni p.sh., deklaratën e Presidentit të Republikës, i cili thotë: do t’i pritet dora, ose të mos guxojë kush të prekë qoftë edhe një votë të vetme sepse pastaj do të ketë probleme shumë të mëdha. Populli i 2 marsit është aty dhe ne jemi këtu për ta drejtuar popullin tek ata që do të ngacmojnë votën. A është kjo një para-insinuatë e ngjarjeve që mund të ndodhin pas 25 prillit, nëse opozita nuk i fiton zgjedhjet?

Ministri: Duhet të kemi të qartë një gjë, Presidenti i Republikës ka zbritur nga karrigia e Presidentit të Republikës dhe ka dalë në fushatë. Për këtë janë të qartë besoj të gjithë shqiptarët. Dhe si i tillë, duke e lënë postin e Presidentit dhe duke hyrë aktivisht në fushatë, sigurisht që nuk na çudisin as deklaratat që janë produkt retorik, që është produkt thellësisht i fushatave. Me deklarata apo thirrje të tilla jemi mësuar tashmë. Janë për konsum ditor të fushatës. Kështu që besoj unë nuk ka asgjë, as për t’u marrë, as për t’u parë me një rëndësi të posaçme, sepse nuk vijnë nga goja e presidentit por vijnë nga një prej kryetarëve të forcave politike opozitare në Shqipëri.

Gazetari: Pse gjithmonë tentoni ta shpërbëni forcën e Ilir Metës, edhe si faktor politik, duke e bërë si një kryetar thjeshtë partie?! Në fakt është presidenti i Republikës, gjithmonë, në çdo rast.

Ministri: Thashë pra, ai ka kohë që ka dalë në fushatë, nuk po kryen më rolin e presidentit të Republikës.

Gazetari: Jeni i treti në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun Gjirokastër. Çfarë ju thonë sondimet tuaja, sepse ka disa referenca që me pikëpyetje e keni nr. 3 në Gjirokastër?

Ministri: Unë jam drejtues politik i qarkut dhe kërkova vetë që të jem i treti, pikërisht sepse e gjithë beteja, ose pikëpyetja, për ta lidhur me atë që ju përmendët, lidhet me mandatin e tretë në Gjirokastër. Sepse sigurisht PS, sikur të mos bëjë fare fushatë ne Gjirokastër, i ka 2 mandate.

Nga viti 2017, Gjirokastrës i ka ikur një mandat dhe nga 5 mandate që ka pasur qarku Gjirokastër, kanë mbetur 4 mandate. Kështu që ne pretendojmë të marrim 3 mandate nga 4, që është sigurisht një objektiv shumë ambicioz. Pikërisht për të zgjidhur pikëpyetjen apo për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, unë e gjykova që si drejtues politik, të vendosem vetë në linjë të parë të betejës, në mënyrë që të marrim maksimumin e votave dhe të fitojmë mandatin e tretë për PS në qarkun e Gjirokastrës.

Ky është një objektiv i vështirë por jo i paarritshëm. Ndërkohë sondazhet që ne kemi bërë na tregojnë që ne mund ta marrim mandatin e tretë në qarkun e Gjirokastrës, sigurisht duke i kushtuar të gjithë energjinë tonë, si skuadër, gjatë këtyre më pak se një muaj që ka mbetur, të fokusohemi në fushatë për të komunikuar me njerëzit dhe ç ’është më e rëndësishme për t’i bërë njerëzit edhe ata skeptikë, të cilët me arsye, apo pa arsye, të lodhur ose jo, mund të jenë indiferentë në ditën e zgjedhjeve, për të dalë dhe për të votuar, për t’i nxjerrë njerëzit për të votuar. Sepse po dolën njerëzit për të votuar në Gjirokastër, pa diskutim që 3 mandate nga katër, kanë për të votuar për Partinë Socialiste.

Gazetari: Atëherë t’ju pyes në vazhdim të logjikës që po thoni po dolën njerëzit për të votuar. Pse nuk dalin njerëzit për të votuar? Ia keni bërë këtë pyetje vetes. Ose pse mund të mos të dalin njerëzit për të votuar?

Ministri: Tani kjo është si pyetje që mund të bëhej në kohën e Enverit. E kupton! T’i kërkoje llogari, anëtarëve të Bashkimeve Profesionale që pse nuk i nxore ti njerëzit për të votuar 99.99%! Në çdo demokraci, në çdo vend të zhvilluar, sado demokraci të kulluar e të zhvilluar të ketë në botë, ka njerëz indiferentë. Madje ka vende me standarde shumë të larta demokratike ku njerëzit kanë indiferencë dhe nuk dalin në votim.

Gazetari: Nuk janë indiferentë, janë edhe të pakënaqur. Pyetja është për këtë pjesën tjetër në fakt, për ta pakënaqurit.

Ministri: Si mund të jenë njerëzit 100% të kënaqur?! Më fal tani, si mund të jenë?! A do të ekzistonte demokracia në qoftë se do ishin njerëzit 100% të kënaqur. Kjo është gjëja më normale që ka njerëz të pakënaqur. Pa diskutim që ka njerëz të pakënaqur.

Gazetari: Nuk do ta humb logjikën për t’ju riadresuar pyetjen edhe njëherë. Ju thatë që po dolën njerëzit që të votojnë, ne do të fitojmë mandatin e tretë.

Ministri: Po dolën njerëzit, sigurisht; po nxorëm njerëzit në mënyrë masive për të votuar, ne fitojmë edhe ndryshe. Por që ta lidhësh tamam edhe në kontekstin e asaj që thashë unë, thashë që ne do të punojmë këtë muaj, sepse sondazhet na tregojnë që jemi fitues të 3 mandateve, por duhet të punojmë këtë muaj që të nxjerrim njerëzit për të votuar. Sepse e garantojmë mandatin e tretë, po nxorëm njerëzit për të votuar, sepse në qarkun e Gjirokastrës, njerëzit po dolën për të votuar 3 mandate janë për Partinë Socialiste.

Gazetari: Pra, ju po thoni që njerëzit përtojnë të dalin të votojnë, jo se janë të pakënaqur dhe nuk duan të votojnë?

Ministri: Unë thashë krejt të kundërtën, pse ma shtrembëron tani. Ti mendon që nuk ka njerëz të pakënaqur?! Pra, nuk ka demokraci, po nuk pati njerëz të pakënaqur.

Gazetari: Në fakt unë mendoj që ka shumë të pakënaqur.

Ministri: Po pra, unë ta thashë pra. Nuk ka demokraci po nuk pati njerëz të pakënaqur; sigurisht vetëm në demokraci ka njerëz të pakënaqur. Ose të paktën që e shprehin pakënaqësinë, se ka të pakënaqur edhe në diktatura, po nuk e shprehin pakënaqësinë, këtu ndryshon, ky është thelbi i ndryshimit të sistemit.

Gazetari: Pyetja e fundit në fakt, do të doja të merrja sa më shumë informacion nga ju meqë jeni në një detyrë të rëndësishme, edhe pse përkohësisht të ngrirë, nëse mund ta themi kështu…

Ministri: Jo, nga pikëpamja kushtetuese nuk jam i ngrirë. Kam deleguar firmën se jam me shërbim. Jam me shërbim në Gjirokastër dhe kur jam me shërbim jashtë zyrës, jashtë Tirane, ka një zëvendësministër që kam deleguar për të firmosur.

Gazetari: Si Ministër i Brendshëm keni bërë një vizitë katër javë më parë në Siri. A mund të na thoni diçka rreth kësaj. Keni takuar atje Gjeneralin Abaz Ibrahim, Drejtor i Përgjithshëm i Sigurisë së Libanit. A mund të na thoni ku jemi me procesin e riatdhesimit të grave dhe të fëmijëve nga Siria për në Shqipëri? Nëse juve mund të ndani këtë informacion me neve, dhe ka një lajm vërtetë për të na thënë.

Ministri: Ajo që mund të them është që çdo ditë, po çdo ditë unë merrem me këtë çështje dhe pa diskutim që në ato kampe është një situatë shumë e keqe. Për shkak të trazirave në rajon edhe ekuilibrat aty, në ato kampe, që tashmë po kthehen në kampe famëkeqe janë shumë të brishta.

Atje është një situatë ku duhet çdo ditë të gjesh njeriun me kë duhet të negociosh. Sepse çfarë të sjell dita, nuk ta sjell ora e kështu me radhë. Domethënë që duhet shumë përpjekje. Ne përpjekjen do ta bëjmë maksimale. Unë them që çdo ditë, çdo ditë merrem sadopak me këtë çështje, e shpresoj që shumë shpejt do të kemi edhe rezultate konkrete.

Ajo që mund t’i garantoj shqiptarët, që të gjithë shtetasit shqiptarë që janë në ato dy kampe, të paktën që janë kampet më të mëdha, ne do t’i riatdhesojmë, do t’i sjellim në Shqipëri. Mund të them edhe që po bëjmë një punë që edhe vende shumë më të zhvilluara, dhe me shërbime inteligjente, me një traditë mbresë-lënëse e kanë të vështirë të riatdhesojnë shtetasit e tyre që janë atje. Ju thashë do kemi shumë shpejt edhe rezultate konkrete në lidhje me këtë çështje. Por i garantoj që të gjithë shqiptarët që janë në ato kampe do të riatdhesohen në kushte të mira shëndetësore.

Gazetari: Faleminderit Bledi Çuçi që ishe në “Top Talk”, natyrisht në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, por që erdhe edhe në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut të Gjirokastrës për Partinë Socialiste. Të uroj suksese në 25 prill!

Ministri: E përmirësove. Faleminderit!

Gazetari: Unë e hap dhe e mbyll ashtu siç dëshiroj ta trajtoj emisionin, kështu që mos ki merak je Ministër i Punëve të Brendshme, deri kur Kryeministri nuk ka firmosur shkarkimin tuaj.