Intervista/Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i ftuar në emisionin “A Show” - Ministria e Brendshme
Postuar më: 02/02/2021

Intervista/Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i ftuar në emisionin “A Show”

Intervista/Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i ftuar në emisionin “A Show” me Adi Krastën – VIDEO

Pjesë nga intervista:

  • E keni vizualizuar “pse-në” e ofrimit të postit të Ministrit të Brendshëm?

Në xhunglën e politikës ose e pranon ose nuk e pranon një detyrë. Unë kam pranuar një ofertë të Kryeministrit që në 2013, kam qenë pjesë e qeverisjes. Kështu që tani jam pjesë e lojës dhe do vazhdoj.

  • Pak njerëz e dinë që ju keni qenë kancelar i gjykatës, keni mbaruar për jurisprudencë, shumë dinë që ju jeni marrë me pushtetin lokal, pastaj me reformën zgjedhore, reformën e pushtetit lokal që është konsideruar e suksesshme nga të gjithë zërat pozitiv dhe negativ, kështu që në një kuptim punës i kanë gjetur njeriun. Por ky pozicion i Ministrit të Brendshëm është një sfidë përpara zgjedhjeve?!

Është posti më i rëndësishëm pas Kryeministrit edhe si peshë, pasi përfshin shumë gjëra. Ministria e Brendshme ka pjesë të rëndësishme të shtetit të qeverisjes në një vend. Kështu që në një pjesë të madhe ndihem komod, sepse kam kontribuar dhe besoj që jam në rolin që mund ta bëj edhe më mirë. Por pesha politike që të jep si Ministër i Brendshëm është diçka tjetër. Në këtë pikëpamje ndihem disi edhe me përgjegjësi më të madhe ndaj publikut, dhe ekipit tim ku unë bëj pjesë.

  • Vetura e ish-ministrit Lleshaj, vetura luksoze ka bërë shumë zhurmë. Si ndiheni ju tani që e përdorni?

Respektoj të gjitha ndjeshmëritë e publikut, edhe asaj pakice që ndoshta edhe ka bërë zhurmë siç thoni ju. Për ndjeshmëritë e publikut jam shumë i përgjegjshëm, por mendoj që kjo nuk ka lidhje me vendimmarrjen dhe me politik-bërjen. Nuk besoj që ka rëndësi për publikun në ndihem mirë apo në ndihem keq unë në një veturë apo në një veturë tjetër. Rëndësi ka se çfarë vendimesh do të marr unë si Ministër i Brendshëm në këtë pozicion, edhe i gjithë përqendrimi imë është që ta mbyll me sa më shumë sukses mandatin tim në këtë post kaq të rëndësishëm.

  • Policia përdori gjatë prishjes së teatrit kombëtarë një dhunë të shproporcionuar. Si e keni adresuar ju këtë çështje në momentin që u bëtë ministër? Nuk mund ta neglizhonit apo jo?

Në lidhje me përcaktimin nëse sjellja e policisë në rastin konkret që ju përmendët është në tejkalim të kompetencave të policisë apo jo, kjo është një gjë që nuk vendoset as nga unë si Ministër i Brendshëm, po as nga ju si mediator me publikun. Por vendoset nga organet përgjegjëse që ka shteti për këtë punë. Për informacionin tuaj nëse nuk e keni, unë po ju them që nga ajo ngjarje janë 5 dosje në Prokurorinë e Tiranës ndërkohë që ne flasim. Një ndihmesë të madhe kanë dhënë organizma brenda Ministrisë së Brendshme për të ndihmuar hetimin e prokurorisë. Kështu t’ia lëmë institucioneve që të përcaktojnë se ku shihet kufiri dhe nëse është kaluar kufiri i kompetencave që ka pasur Policia e Shtetit lidhur me sjelljen në atë ngjarje që ju sapo e përmendët.  Por si Ministër i Brendshëm për mua qytetari është i paprekshëm, por edhe polici është i paprekshëm, jam në një pozicion midis të dyve.

  • Po në rastin e vrasjes së Klodian Rashës. Do të bëhet një hetim nga Ministria e Brendshme?

Rastin e Klodianit të ndjerë, mund t’ju them dhe mund të ju informoj që dosja penale për vrasjen e Klodianit do të shkojë në gjykatë nga Prokuroria. Gjithashtu mund t’ju them që 90% e dosjes që ka prokuroria është hetuar nga shërbimet tona të brendshme. Nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat që është një instrument i Ministrit të Brendshëm, dhe e fiksuar me të gjitha provat, dhe e “qepur” nga pikëpamja procedurale që prokurori shumë shpejt do ta çojë në gjykatë.

  • SHÇBA-ja, kontrolli i brendshëm po i largohet, ose ka tendencën në një reformë ndoshta, ministria ta largojë nga strukturat e mirëfillta dhe ta nxjerrë në vete, ta bëjë më civile. E para pse e bëni këtë? Mos kjo do ta bëjë këtë institucion, këtë hallkë të pafuqishme për të proceduar të vetët?!

Përkundrazi, argumenti në këtë rast është duke u shkëputur si forcë policore, dhe duke dalë si një agjenci civile do e bëjë më të fortë dhe më të pavarur për të kontrolluar dhe mbikëqyrur policinë. Ka qenë një insistim i partnerëve tanë, kryesisht i amerikanëve për të krijuar një agjenci të tillë. Unë jam i kënaqur që sot kemi arritur, është miratuar ligji dhe ne jemi në procesin e strukturimit, do ja ndryshojmë dhe akronimin, do bëhet “Agjencia e Mbikëqyrjes Policore”. Ky një instrument shumë i rëndësishëm në një fazë ku policia gjithmonë e më tepër po i shkëputet diktatit të fortë të politikës, të ministrit, të kryeministrit. Pasi ka një ligj të tijin dhe ka një piramidë të sajën që funksionon, dhe mënyra se si Ministri i brendshëm, që është ministri përgjegjës për rendin publik dhe për rrjedhojë për policinë, sjelljen e policisë, i vetmi instrument që ka në dorë ministri i brendshëm është agjencia për ta mbikëqyrur policinë. Ky është një binom shumë i rëndësishëm për të pasur polici të pavarur por gjithsesi të mos kalojë ato kompetencat ligjore.

  • Drejtori i policisë Ardi Veliu duket dhe ka një mbështetje të plotë të Kryeministrit. Është ai kështu jashtë kontrollit tuaj?

Nuk do kontrollohet me “kamzhikun” politik të Ministrit të Brendshëm, por kontrollohet nëpërmjet mbikëqyrjes që bëhet me instrumente të tipit të agjencisë që sapo folëm. Prandaj merr një rëndësi të madhe kjo agjenci, s’ka rëndësi kush është sot Drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

  • E pëlqeni ju punën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit?

Sigurisht jam i kënaqur, por jam shumë shpejt për të bërë një vlerësim në lidhje me marrëdhënien Ministër i Brendshëm, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

  • Keni thënë që nuk dëshironi të mbaheni mend si ministri i policisë, por dëshironi të mbaheni mend si Ministri i Brendshëm. Çfarë të keqe ka në qoftë se do të ishit si “Fusheja”?

Ministria e Brendshme është shumë më e gjerë se Policia e Shtetit, dhe duhet parë sidomos nga politika, nga ministri si e tillë. Duhet parë si e tillë sepse shteti nuk është vetëm organ dhune, pra nuk është vetëm polici në kuptimin policor të veprimit. Përveç kësaj në punën e brendshme, nuk është vetëm policia, janë shumë më gjerë: shërbimi civil, zjarrfikëset, kufiri etj., pra ka shumë gjëra. Një dimension shumë i gjerë përtej policisë, ndaj unë kam thënë që nuk dua të mbahem mend thjeshtë, që ti të më pyesësh për Ardi Veliun, por dua të mbahem mend si një Ministër i Brendshëm që të paktën tentoi t’i luaj të gjitha këto ingranazhe që ka në dorë në mënyrë që të garantojnë qetësinë apo rendin publik në një formë tjetër.

  • Ka patur një shqetësim që largimi i Lleshajt në një moment shumë të rëndësishëm 4 muaj përpara zgjedhjeve, automatikisht e vendoste ministrin e ardhëm në një pozicion të vështirë. Cila është panorama e shqetësimit?! Dy probleme me zgjedhjet, qindra njerëz me ID të skaduar, lista me njerëz të vdekur që është karakteristikë e të gjithë zgjedhjeve të këtyre 30 viteve , dhe frika e blerjes së votës. Si do t’ja dilni t’i shmangni këto fenomene?

Për çështjen e parë si shqetësim, dokumentet e identitetit, ne po bëjmë gjithçka që ti sensibilizojmë njerëzit që të shkojnë të aplikojnë për rinovimin e dokumentit të identitetit në mënyrë që ditën e zgjedhjeve të kenë një dokument të vlefshëm. Sa i takon mobilizimit tonë ne kemi hapur pika në të gjithë Shqipërinë për aplikimin për dokumentet e identitetit, i mbajmë edhe të shtunave tani hapur. Kemi një kapacitet prej 15 mijë deri në 20 mijë karta në ditë për të printuar. Unë që ditën e parë që erdha si Ministër i Brendshëm i kam kushtuar  një pjesë të rëndësishme të kohës time një fushate për të sensibilizuar njerëzit për të aplikuar për dokumentin. Me urdhrin tim u vendos në publikimin e listës së radhës të votuesve, që atyre votuesve që ju ka skaduar dokumenti i identitetit, apo i skadon deri në datën 25 prill të markohen në listë. Në portalin e-Albania është vendosur një mesazh që të alerton, që nëse hyn për të marrë një shërbim gjëja e parë që të del është  që shiko i nderuar qytetarë të ka skaduar dokumenti i identitetit. Kam sensibilizuar të gjithë personat të cilët kanë një audiencë në publik, përfshi ambasadorë, persona publik që merren me politikë, etj.

Për sa i përket blerjes së votës, është një fenomen që shfaqet në forma të ndryshme, nuk është që është një formë mënyra sesi blihet. Ne mundohemi që të paktën këto format klasike që janë shfaqur deri tani t’i parandalojmë. Kemi vënë sanksione shumë të forta në ligj për këdo që kapet duke shitur votën. Dhe të gjithë ne si qytetarë, shoqëri duhet të sensibilizohemi.

  • Policia duhet të qëndrojë jashtë qendrave të votimit, tashmë edhe me ligj. Në qoftë se do të kishte probleme a nuk do të ishte e domosdoshme ndërhyrja e policisë të paktën minimalisht?

Pa diskutim në rast se ka probleme në qendrat e votimit dhe qendrat e numërimit, do të ndërhyjë policia me kërkesën edhe të komisioneve përkatëse. Ky është një rregull që ne kemi shumë vite që e kemi vënë. Këtu duhet të themi që policia ka marrë vlerësime maksimale nga të gjithë mekanizmat që monitorojnë procesin zgjedhor në Shqipëri, ku më kryesori është ekipi i OSBE-ODHIR. Ka paragrafë të plotë që i kushtohet punës së mirë të policisë të bërë ditën e zgjedhjeve në këto raste. Zgjedhja jonë tashmë nga politika që vendosëm që policinë ta lëmë larg dhe të ndërhyjë vetëm kur kërkohet nga komisioni, ose kur ka një rast flagrance që diktohet nga vetë policia. Ndërkohë ne vazhdimisht trajnojmë policinë për ditën e  zgjedhjeve, për ditët e fushatës dhe pas zgjedhjeve. Vetëm javën që kaloi filloi trajnimi me ekspertë të OSBE-së, edhe të KQZ-së për mënyrën se si duhet të sillet në bazë të përcaktimeve që bën i gjithë legjislacioni.

  • Si Ministër i Brendshëm keni patur ju kuriozitt për akuzat dhe përgjimet që ka ngritur Porkuroria e Katanzaros dhe Nikola Grateri, për kontakte, interesa dhe elemente aktive të veprimtarisë në Tiranë?

Policia këtu nuk hyn, Prokuroria jonë nëse e sheh të arsyeshme ndërhyn, hap çështjen nëse e sheh që ka elementë, në dijeninë time nuk ka ndërhyrë, nuk e ka çmuar të ndërhyjë. Nga informacionet e mia, në konkluzionet e dosjes është shprehur qartë që këtu nuk ka vend për të nisur një çështje penale, vetë dosja e Katanzaros. Thashë nuk po flasim me Ministrin e Brendshëm, apo me mbikëqyrësin e policisë, apo drejtuesin në kuptimin politik të policisë kjo është një çështje e debatit publik që unë po jap një opinion si qytetar i thjeshtë.

  • Ishte OFL-ja një dështim?

Ishte një sukses i jashtëzakonshëm. Po të shohim statistikat në një vit OFL-ja ka çuar 243 dosje në SPAK dhe në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në 243 dosje janë rreth 1800 pasuri të luajtshme të paluajtshme të konfiskuara subjekteve të OFL-së. Pra, të atyre personave që kanë kryer krime në atë marzhin e rëndë të krimeve të përcaktuara në Kodin Penal. Sot puna e policisë është mbyllur sepse ligji ishte me afat 1 vjeçar, por vazhdon puna me SPAK dhe me Gjykatën e Krimeve të Rënda. 105 dosje janë konfirmuar është marrë vendim nga Gjykata Speciale e Krimeve të Rënda, 642 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme është marrë vendim për konfiskimin dhe sekuestrimin e tyre dhe i janë dhënë shtetit për administrim. Pritet që edhe dosjet e tjera të gjykohen nga gjykata. E thënë ndryshe është një dosje në ditë e prodhuar nga struktura e OFL-së, është nga sukseset më të mëdha në gjykimin tim edhe si Ministër i Brendshëm, por edhe si politikan edhe si qytetarë që policia ka bërë ndonjëherë.

  • E keni pranuar që vetingu i policisë ka rezultuar më i vështirë dhe më i ngadaltë. Pse?

Për shumë arsye ndoshta nuk është parashikuar me largpamësi ecuria e këtij procesi kur janë shkruar dispozitat përkatëse për thellësinë e vetingut. Kjo mund të jetë një nga arsyet, mund të jetë arsye ndoshta mosparashikimi i strukturave që do të merreshin me veting dhe i ngarkesës administrative që do kishin. Pra ka shumë gjëra, të cilat unë i kam evidentuar gjatë këtij muaji në detyrë, kam një bashkëpunim shumë të ngushtë me Komisionin e Sigurisë në Parlament që është edhe komision monitorues i veprimtarisë së Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit. Pak a shumë kemi rënë në të njëjtin konkluzion dhe shumë shpejt do t’i paraqesim edhe publikut qëndrimin tonë lidhur me ecurinë e vetingut. Por jam i bindur që kështu nuk mund të vazhdohet më.

  • Për tenderin e veshjeve të policisë ka qenë shumë i dyshimtë sipas mendimit të qytetarëve. Në momentin që keni mbërritur e keni kuptuar që ka një problem aty. Si e keni zgjidhur? Keni mundësinë për ta zgjidhur?

E di që PD-ja ka bërë një kallëzim për tenderin e uniformave. Në momentin që unë kam ardhur në detyrë ajo çështje ishte e mbyllur, ishte nënshkruar kontrata ishte në zbatim të kontratës. Kështu që nëse janë bërë shkelje prokuroria është aty, ka dosjen atje të merret me dosjen, ta gjykojë, të dënojë të gjejë fajtorë, nuk kam asnjë kompleks për këtë.