Intervista/Lleshaj në Report TV: Keqardhje që u tentua nga segmente të caktuara për të përdhosur një mort për qëllime politike - Ministria e Brendshme
Postuar më: 12/12/2020

Intervista/Lleshaj në Report TV: Keqardhje që u tentua nga segmente të caktuara për të përdhosur një mort për qëllime politike

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha një intervistë për Report TV, pas aktit të dorëheqjes të pak ditëve më parë, duke folur për situatën aktuale, protestat në vend pas vrasjes së Klodian Rashës nga efektivi i policisë.

Pjesë nga intervista:

  • Për djegien e selisë së PS në Shkodër nga protestuesit, dhe për përdorimin e të miturve nga partitë politike.

Policia nuk bazohet në supozimin që çdokush në çdo cep të Shqipërisë duhet të çmendet dhe të thyejë diçka. Unë isha duke thënë për kohën e reagimit të policisë. Ngjarja e sotme ishte një ngjarje që ishte jashtë supozimit të policies, që një protestë e organizuar nga organizatorë do të merrnin përsipër përgjegjësinë të digjnin një objekt publik, selinë e PS. Kjo ishte e paparashikueshme. Një gjë që nuk ka ndodhur për vite por ndodhi sot. Policia reagoi, mirë do ishte të kishte reaguar më shpejt, por nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi për gjëra të tilla të paparashikueshme.

Policia është e vendosur për t’ju përgjigjur akteve të papërgjegjshmërisë politike tët cila fshihet pas fëmijëve. Një gjë vlen, së pari, për qytetarët. Ka shumë që pyesim dhe meritojnë një përgjigje. Polica e Shtetit është plotësisht në gjendje e pajisur. Mos gaboni duke supozuar që është policia që keni lënë dikur, nuk është ajo. Është një polici e pajisur më së miri dhe e motivuar,  e pajisur për t’u  përballur  nga secila anë që do të vijë. Besoj  se po e shihni. Nuk mund të fshiheni pas alibive politike për të prishur qetësinë  e qytetarëve. Po synohet anormaliteti. Po keqpërdoret një aksident tragjik, një ngjarje tragjike për t’u kthyer në kauzë politike. Taktika që po ndiqet është më e ulët është keqpërdorimi dramatik i fëmijëve të papërgjegjshëm.

  • Reagimet pas dorëheqjes

Kam marrë me mijëra reagime më shumë pozitive, më kanë thënë të mos e kisha dhënë dorëheqjen por vlerësojnë aktin. Kam marrë vlerësime edhe nga jashtë vendit. Me të thënë të drejtën jam indiferent ndaj reagimeve sepse kjo ka qenë një lëvizje personale.

Dua të gjej edhe reflektim. Ne nuk na mban në këmbë vetëm ligji, por morali, vlerat shoqërore. Në respekt të mortit të një familje shumë të nderuar kam menduar që të bëj një gjest. Dorëheqja ka dhe një simbol politik. U gjeta në mënyrë të pandershme në zjarrin politik të disa përfaqësuesve politik të cilët drejtuan gishtin drejt meje duke mos patur marren dhe as turpin për të më quajtur vrasës. Ky ishte një aspekt i papranueshëm. Nuk hezitojnë të drejtojnë gishtin kundrejt meje ndërkohë që nuk kanë marrë përgjegjësi për asgjë që kanë bërë.

E jap dorëheqjen në këto kushte thjesht për pak gjë, për të thënë se “Unë nuk jam si ju!”,  “Ne nuk jemi si ju!”, dhe se kemi tjetër sens qytetarie dhe në lidhje me postin. Lidhja ime me karrigen e ministrit është e barabartë me 0 përballë vlerave të mia qytetare. Ky  është mesazhi. Kurrë nuk e kisha menduar. Nëse i kujtoni protestat e vitit të kaluar. Një çast më mbrapa në kohën e reagimit, një nivel më poshtë në nivelin e dhunës dhe ka zero viktima. Dhe kjo zero viktima ka qenë dhe mbetet një parim i panegociueshëm për mua. Policia e Shtetit shqiptar nuk prodhon viktima. Në këtë rast jemi në kushtet e një incidenti, por edhe në këto kushte unë mendova se kjo duhet të ishte zgjidhja.

  • Për vrasjen e Klodjan Rashës

Kamera e trupit nuk prish punë, pasi ajo do të na tregonte rrjedhën e ngjarjes. Ndërkohë që dinamika e ngjarjes është e zbardhur nga një mori kamerash. Tashmë është e provuar që ngjarja është bërë në tejkalim të mbrojtjes në kushte ligjore të punonjësit të Policisë. Ne kemi nevojë të analizojmë dhe të përmirësojmë punën e policisë.  Por nuk evidentojmë defekte në zinxhirin e komandimit të policisë, sipas vlerësimit të deritanishëm është e gjitha një dramë e sjelljes së papërshtatshme të një polici të vetëm të policisë. Duhet parë por ende nuk e kemi një përse. Vetë punonjësi i policisë nuk e ka thënë ende pse.  Motivi dhe detajet e vendimmarrjes së punonjësit të policit në ato çaste mbeten për tu sqaruar”.

  • Për thirrjet e protestuesve për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu

Zërat e protestës meritojnë kurdoherë vëmendje, por duhet të jenë zëra protestuesish. Në rastin që ju përmendet bëhet fjalë për dhunues. Dhunuesit duhet të përballohen dhe zbrapsen. Këtë duhet të bëjë policia dhe po e bën t’i zbrapsë. Nuk duhet të dëgjohen zërat e njerëzve që djegin.

Si duhet të zemërohen të tjerë më shumë që se ndjejnë fare! Si munden të shtrojnë kërkesa zërat e motrave virtuale! Ato duhet të zbrapsen. Zëri i qytetarëve dhe  i partnerëve duhet dëgjuar dhe këtë do të bëjmë, e po bëjmë.

  • Lidhur me  qëndrimin dhe letrën e familjes Rasha ku bënte thirrje për mospërdorim politik të situatës

Familja Rasha po demonstron një dinjitet të jashtëzakonshëm, një dinjitet të pritshëm për një familje shqiptare, malësore. Gjej rastin edhe një herë që të shpreh edhe një herë ngushëllimet.  Kodi i vdekjes ndër shqiptarë është i shenjtë, shqiptarët kanë arritur ta ruajnë edhe sot traditën, ndryshe nga çdo pjesë të jetës sonë.  Shenjtëria dhe solemniteti i mortit shqiptar nuk është prekur.

Nga ana tjetër më vjen shumë keq që u tentua nga segmente të caktuara për të shpërdorur dhe përdhosur një mort për qëllime të caktuara politike.  Edhe këtu dua ta falënderoj familjen Rasha e cila nuk u përdor por qëndroi me dinjitet.

Familja Rasha meriton të gjithë simpatinë e shqiptarëve sot. Unë kam qenë në një vizitë por nuk preferoj që këto vizita t’i bëj publike. E kam bërë vizitën pasi dhashë dorëheqjen. Jo se kisha merak për të vajtur, sepse në veri shkohet në këto raste edhe te hasmi. Doja të shkoja thjesht si Sandër Lleshaj. E kam konstatuar me nder që ata e meritojnë të gjithë respektin e shqiptarëve.

  • Qëllimi i opozitës lidhur me veprimet që ka ndërmarrë ditët e fundit

Asnjë herë nuk kam arritur t’i kuptoj qëllimet e opozitës jashtë parlamentare. Sulme ndaj parlamentit, sulme ndaj ministrisë, nuk kam arritur kurrë të kuptoj çfarë synohet. Sepse njerëzit normalë përdorin arsyetime normale, nuk mund të merret me dhunë pushteti në një vend demokratik. Është miopi është dritëshkurtësi. Opozita është këshilluar tmerrësisht keq dhe është vënë në ndikimin e shumë këshilltarëve që nuk dinë asgjë për të thënë. Nuk drejtohen kauzat politike mbi metafora dhe politikë, njerëzit që nuk e dinë se çfarë është shteti, vetëm CV-në e tyre do të shohësh se asnjë orë nuk kanë marrë në jetën e tyre se çfarë është një sistem demokratik, parlamentarë, partitë politike, shteti.

E rëndë që kanë zë njerëz që nuk dinë asgjë dhe kanë ndikim mbi opozitën. Opozita nuk mund të ofrojë një të ardhme të re. Nuk mund të ndizen më aspiratët e shqiptarëve me figura të djegura. Me njerëz që duan të mbajnë peng Shqipërinë. Vetëm këtu ndodh riciklim i figurave të stër-djegura. Pamundësi organike e opozitës për të ofruar diçka për shqiptarët.

  • Për ekzistencën e mundësisë për ndërhyrje të vendeve të huaja në protestën e dhunshme që po zhvillohet këto ditë

Influencat e huaja janë por ato janë pjesë e natyrshme. Çdo vend ndjek interesat e tij dhe përgjegjësitë duhet t’i gjejmë te vetja jonë, te shqiptarët që veprojnë kundër interesit të vendit të tyre. Çfarë kërkohet me këtë dhunë?! Edhe nëse sot qeveria do të jepte dorëheqjen organizimi i zgjedhjeve do të shkonte deri në prill. Duan thjesht të bëjnë tym e flakë? Por nuk kanë një shtet letër para syve, kanë një shtet funksional, kanë një polici tjetër ndryshe nga siç e kanë lënë.