Intervista/Lleshaj në 'Real Story': Keqpërdorimi i fëmijëve në protetsa duhet të marrë fund - Ministria e Brendshme
Postuar më: 15/12/2020

Intervista/Lleshaj në ‘Real Story’: Keqpërdorimi i fëmijëve në protetsa duhet të marrë fund

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pas dhënies së dorëheqjes, ishte i ftuar në emisionin “Real Story” në News 24, të gazetarit Sokol Balla.

Pjesë nga intervista:

  • Vendimi për t’u dorëhequr nga detyra e Ministrit të Brendshëm

Është fare e thjeshtë, kam dhënë dorëheqjen me qetësi dhe shumë vendosmëri. S’ka pasur asgjë tjetër. Mendoj që unë nuk jam person që heq dorë lehtësisht nga gjërat, aq më tepër heq dorë nën presion. Nëse do kishte ndonjë presion do kishte ndodhur e kundërta. Është rezultat jo i një situate, por i një momenti. Nuk kemi një kontekst të madh para largimit, por një ngjarje, një rrufe në qiell të hapur, që kërkon reflektim që shkaktoi një impakt tek unë. Është një ngjarje e vetme, e papritur, e pallogaritur.

  • Vrasja e Klodian Rashës dhe veprimi i policit

Humbja e jetës së një njeriu në terren më detyroi të reflektoj së pari si njeri në respekt të familjes të të ndjerit, që drejtoi sytë nga shteti. Motivi tjetër ishte edhe politik. Për këtë ngjarje, reaguan edhe ata përfaqësues të politikës së vjetër, që janë përgjegjës për ngjarje të tmerrshme që kanë ndodhur në mes të Tiranës dhe që justifikojnë dhunën shtetërore dhe barbare në mes të qytetit. Unë reagova dhe ndaj tyre, për t’ju thënë se nuk jam njësoj me ju. Por e para ishte reagimi moral e njerëzor ndaj familjes, që priste nga shteti një vlerësim serioz. Fatkeqësisht situata nuk ka qenë për armë. Reagimet e para ishin për tejkalim të kushteve të nevojshme. Unë mora këtë vendim, sepse ligji u tejkalua. Edhe deklarata e sotme e Prokurorisë, ishte në fakt deklaratë e SHÇBA-së. Veprimi ishte i pakuptueshëm. Është ngjarje e rëndë dhe e pakuptueshme dhe do të duhet të sqarohet thellë, ndërsa duhen hetime edhe më tej. Duhet dhënë përgjigja ‘Pse ndodhi ngjarja?’

  • Vizita tek familja e të ndjerit Rasha

E kam bërë këtë. Kam qenë tek familja Rasha. S’jam shumë për dimension publik, mediatik. Kam qenë dhe i kam kërkuar ndjesën familjes Rasha. Kam shkuar pasi kam dhënë dorëheqjen. Ndaj kam vonuar vajtjen me qëllim, që të kryerja një akt. Shpreha disa fjalë që ndonjëherë kanë peshë. Fjalët të shoqëruara me një akt ishin ndjesa e plotë ndaj familjes. Reagimi i tyre ishte krejt reagim dinjitoz i një familje shqiptare, që di të arsyetojë në një situatë tragjike që i ka pllakosur. Ishte dinjitoz. E prisja. E di që një familje e këtij konteksti reagon kështu.

  • Hetimet në lidhje me armën e gjetur pranë vendit të ngjarjes

Të parat njoftime janë raportimet e njerëzve që ballafaqohen me ngjarjen. Kolegu i tij në krah. Nuk mund të pretendohet qartësi absolute në çastet e para, pasi s’do të kishim nevojë për hetim. Dua të them se deklarata e parë zyrtare e Ministrisë së Brendshme është e pandryshuar, pasi që në çastin e parë pas analizimit të fakteve themelore, u konkludua se kemi tejkalim të ligjit nga efektivi. Tendenca e parë e kujtdo është që polici vepron në emër të ligjit. Në një kohë kur ai ka raportuar se ka kërkuar ndihmë. Këto janë pasqyruar në raport. Sigurisht që ka nevojë për thellim hetimi. Dinamika e ngjarjes është thelluar, por ka ngelur e hapur çështja e një arme që u fut në qarkullim në këtë histori, ajo u gjet në itinerarin e ndjekur nga viktima. Duhet sqaruar se ajo do të zbardhte shumë gjera. Çështja nuk është e mbyllur pa u sqaruar dhe çështja e armës, të panjohur, misterioze. Nuk është sqaruar dhe do të sqarohet. Më pas sqarohen dhe raportet paraprake. Nuk dyshohet dhe as penalizohet njeri për raporte paraprake.

  • Vendimi i qeverisë për dhënie pensioni familjes së të ndjerit Rasha

Nuk mund të kishte një definicion tjetër për të justifikuar atë vendim, ose aksidentale ose çfarë? Nuk kishte tjetër. Mund të ketë vetëm një situatë hipotetike kur mund të atakohet ai vendim, kur vrasja është bërë në mënyrë të ligjshme. Edhe sikur të jetë vrasja e qëllimshme, vendimi është i drejtë sepse kompenson një familje të goditur pa ligj. Është më shumë një akt pozicionimi i qeverisë se sa një akt kompensimi materiale. Hipotetikisht qeveria mund të jetë gabim, në qoftë se vrasja rezulton që është kryer në kushte të ligjshme dhe ky që ka bërë vrasjen është e drejtë. Nga të gjitha informacionet tona, është e paligjshme. Vrasja ose është e ligjshme, ose është e paligjshme. Nëse vrasja është e paligjshme, qeveria ka bërë një veprim të ligjshëm. Nëse vrasja është e ligjshme, qeveria ka bërë një veprim të gabuar. Sa i përket deklaratës së Qazim Rashës, babai të 25-vjeçarit, është çështje që i takon botës së ndjenjave, të familjes. Nuk mund ta komentoj. Familja është në një presion jashtëzakonisht të madh publik dhe politik. Familja pati një letër publike e dolën shumë njerëz duke folur. Ai ka gjithë të drejtën e botës për t’u ndjerë keq por vendimi i qeverisë nuk është bërë as për ta rivrarë, asgjë. Vendimi i qeverisë shkon në favor të tezës që është vrarë jo-ligjërisht.

  • Kandidimi për deputet në zgjedhjet e 25 prillit?

Nuk e kam projektuar vetë rrugëtimin tim politik e ushtarak. Gjithë karriera ime nuk është projektuar, por është rezultat i rrethanave të caktuara, kur jam thirrur që të bëj një shërbim. Sigurisht kandidimi për zgjedhje është çështje e partive. Nuk mund të them nëse PS do të më ofrojë një mundësi apo jo. Do të shoh nëse pranoj, në rast se më thuhet se për çfarë bëhet fjalë. Janë shumë faktorë, që duhet të ndihesh mirë. Nuk kam kërkuar ndonjëherë post publik me presion. Për mua është e rëndësishme që në politikë të ndihem mirë.

  • Keqpërdorimi i fëmijëve në protesta

Protestat e tanishme dhe përfshirja e fëmijëve në to duhet parë me shumë vëmendje nga prokuroria. Ky keqpërdorim i fëmijëve duhet të marrë fund. Përgjithësisht jam përmbajtur nga deklarimet lidhur me presidentin e republikës. Ndonëse ai nuk është përmbajtur deri në çastin e parë të nominimit tim. Dua ta kursej përgjigjen, për arsye etike. Në respekt të kësaj kulture shtetërore po përmbahem. Aktivizimi i fëmijëve në këto protesta është episod i rrezikshëm. Një plan është; kush e bëri drejtpërdrejtë. Prokuroria duhet të hetojë. Nëse ne arrijmë që të heqim këtë instancën e fundit të dinjitetit dhe të fusim fëmijët në protesta, i kemi vënë flakën këtij vendi. Kush janë ata që e kanë iniciuar, ideuar, toleruar, kjo është çështje që duhet të analizohet në dy mënyra, në aspekt shoqëror dhe hetimor. Dëgjoj shumë që e nxisin këtë situatë me një papjekuri ekstreme.

  • Protestat në përgjithësi, arsyet, objektivi, dhuna e përdorur

Protestat gjykohen nga objektivi, nga tabela e qitjes së tyre, kujt i bien. Mund të shihni protestat e ndodhura së fundmi në Europë, ku godasin. Tërbimi, zemërimi, pakënaqësia ku godet. Keni parë të goditet parlamenti, godina e qeverisë, muzeu, teatri?! Adresimi i goditjes ndaj themeleve dhe simboleve të shtetit është pjesë e deficitit tonë të madh. Ne nuk kemi mësuar ende të protestojmë. Ta kanalizojmë ku duhet e mos ta shndërrojmë në instrument për të goditur veten. Problemi ynë është se nuk i ndiejmë si tonat. E ndiejmë shtetin si jashtë nesh. Protesta është hapur politike.

Faji është i të gjithëve, i të dy palëve, të dy kemi faj. Kemi një lloj verbërie që e tejkalon arsyen. Prishja e semaforëve nuk i qëndron asnjë lloj logjike. Është të dëmtojë interesin publik, sigurimin e qarkullimit. Mungesa e semaforit është shkak për të vdekur një njeri tjetër. Semafori, këtë elementar të zhvillimit ende sot e gjejmë vetëm në Tiranë. Por dhe këto pak që kemi këtu në vend t’i shpërndajmë, vijmë i prishim. Përse? Si zemërim ndaj një vrasjeje që është në proces ligjor. Është hapur politike. Liderët opozitarë i kanë dalë hapur në mbështetje.

  • Frymë ushtarake në Policinë e Shtetit?

Nëse ka një çështje për të cilën nuk gjen fjalë, është kjo akuzë e bërë nga disa persona, për të cilën nuk gjej asnjë definicion brenda etikës. Thënia që: “Ka futur frymën ushtarake në Policinë e Shtetit”. Më duket në kufijtë e marrëzisë si argument. Është marrëzi që motërzohet me idiotësinë. Pse?! Të thuhet se ministri paska bacgraund ushtarak dhe na kërcënoka, etj! Ushtarakët janë qytetarë të barabartë të këtij vendi. A kanë të drejtë ushtarakët të zgjidhen pasi të lënë uniformën, po! E kam bërë dy herë, pasi jam liruar dy herë. Ata kanë të drejtë të zgjidhen, ushtarakët, mund të bëhen dhe ministra, kryeministra, e presidente. Këta se militarizojnë qeverinë. Nëse vjen një veteriner në krye të Ministrisë së Brendshme çfarë natyre do i jap ministrisë së Brendshme?! Apo një doktor?! Do i trajtojë si pacientë, apo si viruse! Kushdo që të vijë në postin e ministrit të Brendshëm do të vijë nga një profesion i caktuar.

  • Policia e Shtetit, organizata më e besueshme për shqiptarët

Ne kemi 224 policë që janë vrarë nga të tjerët. Një individ nuk ndyen Policinë e Shtetit. Policia ka përkrahje publike. Një program serioz i qeverisë suedeze na tregon se Policia e Shtetit është organizata më e besueshme. Qytetarët shqiptarë, 80% ndihen të sigurt në vend. Kjo është gjendje e momentit. Qytetarët mbështesin policinë, sepse forcat policore kanë kryer punën e tyre. Krimet kanë tendencë rënie.

  • Për KM Rama

Edi Ramën e kam vlerësuar dhe do ta vlerësoj, për faktin se më ka besuar, sepse nuk ka pasur kurrë me mua raport miqësie. Kjo më ka bërë të besoj që ky njeri nuk ka ndonjë axhendë personale. Kjo sepse ndryshe do të zgjidhte një kamikaz personal. Rama më ka besuar, sepse më ka vlerësuar se mund të bëja post duke punuar në mënyrë parimore. Them se është një lider demokratik, pavarësisht perceptimit në popull, që ndoshta është ndryshe. Rama nuk është tolerant, nëse je i dobët, nuk ke sfidë në argument, ndoshta edhe ndaj forcës që ke. Ky është pozicioni im ndaj figurës së Ramës.

  • Kërkesa për dorëheqjen e Ardi Veliut

Kërkesat për dorëheqjen e drejtorit të policisë janë të paarsyeshme. Ai është drejtues i administratës shtetërore. Ka përgjegjësi para ligjit, s’ka përgjegjësi politike. Është neutral. Ai jep llogari ligjore dhe shtetërore. Nëse dikush konteston Ardi Veliun ligjërisht, për disa arsye, nuk është zgjidhje dorëheqja e tij. Zgjidhja është trajtimi në rrugën ligjore i çështjes. Nëse ai ka bërë një akuzë, duhet të dënohet. Të shndërrosh çështje e një drejtuesi të policisë, si politike, është absurde. Duhet t’ju mjaftoja unë. Nëse nuk mjaftoheshin me mua, duhet të ngjiteshin më sipër. S’ka si mund të zgjedh Rama mes meje dhe Veliut. Posti im është ende bosh. Posti i Ministrit dhe i Drejtorit të Policisë janë poste krejt të kundërta.