Intervista/Lleshaj: Dorëheqja është shenjë respekti ndaj qytetarëve të vendit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/12/2020

Intervista/Lleshaj: Dorëheqja është shenjë respekti ndaj qytetarëve të vendit

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi nga zyra lidhje direkte me dy emisionet e mbrëmjes, në TV Klan dhe Top Channel

Pjesë nga biseda në “Opinion”:

Fevziu: A e ka pranuar dorëheqjen tuaj Kryeministri?

Lleshaj: Sigurisht që dorëheqja është pranuar sepse është e parevokueshme dhe është automatikisht e pranueshme dhe e pranuar.

Fevziu: Përse nuk e dhatë që ditën e parë, të mos ndodhnin këto protesta?

Lleshaj: Dorëheqja është një akt moral, i rëndësishëm dhe merret atëherë kur ndërgjegjja arrin në përfundimin që duhet bërë ky akt, këtë vendim e kam marr që herët, siç e tha dhe Kryeministri, por sot e finalizova pas takimit me Kryeministrin.

Fevziu: E dhatë vetë apo ua kërkoi Kryeministri dhe e kamufloi si dorëheqje?

Lleshaj: Dorëheqja jepet vetë, është një akt individual dhe sovran i imi.

Fevziu: Përse arritët në këtë përfundim? Ka diçka kontradiktore në deklaratën e Kryeministrit që e quan akt të një individi. Dhe për një akt individi është dorëheqja e një ministri?

Lleshaj: E vetmja kontradiktë është kontradikta me përvojën e krijuar në Shqipëri lidhur me dorëheqjen. Kjo dorëheqje ka një dimension human në radhë të parë. Kemi vrasjen e një djali të ri. Së dyti, ka një tension politik. Unë dua të distancohem nga një praktikë e shëmtuar e drejtimit të gishtit në çdo gjë që ndodh tek dikush. U bë disa ditë që persona që kanë përgjegjësi për shumë tragjedi kanë ngritur paturpësisht gishtin dhe dorën kundër policisë, ndërkohë që u mungon ndërgjegjja dhe i kanë lënë shtetit një hipotekë shumë të madhe, kriminale, siç është 21 Janari. Edhe pse nuk kam përgjegjësi të drejtpërdrejtë për ngjarjen e jap si gjest politik. Ata kërkuan që të japë dorëheqjen Lleshaj, tani çfarë do të bëjnë.

Dorëheqja është shenjë respekti ndaj qytetarëve të këtij vendi, për të thënë se dorëheqja është një akt normal.

Fevziu: A keni pasur një konflikt verbal me KM Rama në një nga mbledhjet e qeverisë dhe a mos ka qenë ky një moment që ai e përdori për t’ju “hequr qafe”?

Lleshaj: Nuk ka pasur vend për të më hequr qafe askush, sepse unë nuk jam person që hiqem qafe lehtësisht. Nuk kam pasur marrëdhënie të ngrohta me Kryeministrin, por i kam pasur korrekte, të ndershme, profesionale, konstante nga shtatori 2018 dhe besoj se do ta kem edhe më pas. Marrëdhënia mes nesh ka qenë dhe është e pacenuar.

Kam pasur një marrëdhënie të pacenuar dhe mund të jetë një model shumë i mirë i raportit mes Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit.

Fevziu: A mos ishte kjo një lëvizje për të shfryrë pakënaqësinë e publikut që të mos u ngjitet te Kryeministri?

Lleshaj: Absolutisht që nuk është kështu dhe nuk është ky qëllimi. Qëllimi është shumë i thellë, moral. Unë kam pasur fatin e keq që ta kuptoj vetë se çfarë do të thotë humbja e një fëmije. Nuk e kam thënë më parë.

Jam shumë i prekur nga ky fakt që një familje shqiptare, me shumë dinjitet, me sa kam parë në distancë, sepse nuk i kam takuar, ka humbur një fëmijë për shkak të veprimit të gabuar të një punonjësi të Policisë së Shtetit.

Ky është një motiv themelor, motiv moral, i cili më ka shtyrë drejt këtij hapi. Nuk ka asnjë lloj kalkulimi. Unë e kam përmendur rëndom, që kur kam hipur në këtë post, kam menduar dorëheqjen. Nuk ka kalkulim këtu. Ministri duhet ta bëjë gati dorëheqjen që ditën e parë të punës, është normale kjo.

Pjesë nga biseda në “Open”:

Pyetje: Si i vlerëson deklaratat kontradiktore të Policisë, nëse i riu ka pasur armë me vete?

Lleshaj: Nuk është momenti, por do përgjigjem. Nuk ka pasur asnjë kontradiktë. Ngjarja ka qenë një shok i vërtetë. Përfshirë edhe atë fatkeq që shkrepi armën. Është një kombinim fatkeq rrethanash.

Njoftimet kanë qenë paraprake nga raportimet në terren. Nga Ministria ka pasur vetëm një raportim. Nga SHÇBA ka pasur. Jemi pozicionuar kundër asaj që ka ndodhur dhe kemi marrë përgjegjësi duke thënë se tejkaloi.

Nuk ka pasur tendencë për manipulim. Ministria e Brendshme ka qenë e pozicionuar në favor të së vërtetës. Ajo që ka ndodhur ajo do dalë.

Pyetje: A i qëndroni deklaratës se pas çdo polici është fytyra juaj?

Lleshaj: I qëndroj më së shumti asaj. Nëse policia sillet keq, atëherë ministri sillet keq. Kjo nuk duhet keq interpretuar. Por kjo nuk do të thotë se bën një i lajthitur sulm, dhe është Ministri.

Unë sot do isha i turpëruar të kisha dalë dhe bërë palë me Policin që bëri atë krim. Por ka edhe shumë situata që me policët të bëhen palë. Se duhet një zë që t’i mbrojë. Se janë të dënuar nga ligji të mos flasin.