Forumi i lidershipit për decentralizimin - Hartimi i Strategjisë së re Kombëtare Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2023–2030 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 27/09/2022

Forumi i lidershipit për decentralizimin – Hartimi i Strategjisë së re Kombëtare Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2023–2030

Hartimi i Strategjisë së re Kombëtare Ndërsektoriale për Decentralizimin dhe Qeverisjen Vendore 2023 – 2030 zhvillohet në një moment që reflekton mbi përvojën dhe bilancin e tetë viteve të Reformës Administrative Territoriale. Stadi i ri ku ka mbërritur Qeverisja Vendore dhe objektivi strategjik për decentralizimin dhe autonominë vendore është një proces që kërkon studime, analiza dhe konsultime të vazhdueshme me grupet e interesit, me ekspertë të fushës, me komunitetin dhe institucionet publike si dhe qasje me përvojat më të mira nga vendet e BE-së.

Ministria e Brendshme dhe AMVV, me mbështetjen e projektit  STAR3 organizuan një takim dy ditor me Grupin Teknik të Punës dhe përfaqësues nga Ministritë e linjës ku u diskutuan gjetjet dhe rekomandimet mbi fushat kryesore ku fokusohet Strategjia e re. Gjatë ditës së parë të takimit u prezantuan gjetjet dhe rekomandimet mbi Funksionet e Vetëqeverisjes Vendore, një nga prioritetet dhe fushat kryesore që përfshin disa prej përgjegjësive më të rëndësishme të pushtetit vendor. Në ditën e dytë, u diskutua mbi gjetjet dhe rekomandimet mbi Zhvillimin Ekonomik Vendor, më konkretisht rëndësia e ushtrimit të funksioneve të NJVV-ve në mënyrë autonome duke respektuar kuadrin ligjor, mbështetur në parimin e subsidaritetit duke ofruar shërbime efikase dhe eficiente në komunikim të vazhdueshëm dhe transparent me qytetarët.

Gjatë seksionit mbi gjetjet dhe rekomandimet mbi Demokracinë Vendore dhe Agjendën Evropiane u theksua rëndësia e transparencës dhe konsolidimit të këshillave bashkiak dhe rritjes së kapaciteteve të NJQV për të zbatuar me sukses detyrimet për anëtarësimin në BE.

 

Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme Enea Hoti:

Përshëndetje të gjithëve e faleminderit për pjesëmarjen. Mendoj se është një moment i rëndësishëm për rrugëtimin që kemi nisur për hartimin e Strategjisë së Decentralizimit në muajin prill. Dua të falenderoj e më pëlqen kjo gjetja e formatit të organizimit të këtij takimi, në formën e një tryezë të rrumbullakët, ku të gjithë palët dhe aktorët janë njësoj pa kënde pa anë, pra jemi të gjithë për të njëjtin qëllim. Prezantimi që kemi përgatitur është një sintezë shumë e shkurtër e punës së madhe që kemi bërë, me shoqatat, ne si Ministri, me Agjencinë, me të gjithë aktorët e përfshirë.

Unë do të doja të nënvizoja se hartimi i këtij produkti në fakt, Strategjisë, është i rëndësishëm, por më i rëndësishëm është procesi. Procesi që ne kemi ndjekur për të ardhur deri te drafti i parë i kësaj Strategjie, dhe bazat e procesit kanë qenë gjithëpërfshirja dhe sidomos pjesëmarja e aktorëve.

Aktorët në rradhë të parë janë bashkitë, janë qarqet, janë këshillat dhe gjithë projektet apo ekspertët që prej vitesh kanë ndihmuar dhe kanë qenë pranë qeverisë vendore. Por jo më pak të rëndësishëm janë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, këtu dua të falënderoj qeverinë zvicerane me tre projekte që na ka ndihmuar prej 20 vjetësh. Gjithashtu dhe BE, projektin STAR dhe gjithë aktorët e tjerë që ndihmojnë dhe mbështesin këtë proces. Nuk po zgjatem shumë po kaloj direkt te prezantimi.

E filluam formalisht si proces në prill me miratimin e planifikimit të planit strategjik, me miratim të urdhrit të Kryeministrit. Pasi u krijua urdhri në muajin maj ne u angazhuam si Ministri e Brendshme, angazhuam menjëherë gjithë Agjencitë, kemi patur takime të gjera me donatorë, me ekspertë të cilët do të përfshiheshin në hartimin e strategjisë. Patjetër dhe rolin që shoqatat do të kishin në hartimin e strategjisë. Fatmirësisht kemi marë dhe mbështetje nga SIGMA që bën të mundur e mbikëqyr dhe monitoron nga pikëpamja e BE, metodologjinë dhe ecurinë e reformës në administratën publike jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në maj – qershor ishte pjesa e vijimit të procesit dhe angazhimit të aktorëve të marrjes së dakordësisë. Pastaj kaluam në korrik – gusht, që janë piku i verës, e këtu një falënderim për të dyja shoqatat që arritën në një kohë shumë të shkurtër të organizonin takimet për të marrë imputet nga aktorët nga bashkitë, nga qarqet, nga këshillat. Siç e thashë, ishte e rëndëshishme që përveç produktit dhe procesi të jepte dhe të kalonte në këto filtra të gjithëpërfshirjes. Kështu që ne morëm një white paper nga shoqatat, dhe në formën e rekomandimeve, këtu dua të them patjetër që dëshira e përfaqësuesve të qeverisjes vendore është që decentralizimi të thellohet më tej, tëkenë më shumë kopetenca më shumë hapësira. Por nga ana tjetër kemi qeverisjen qendrore, ministritë e linjës, gjë të cilën e dëshmoj në vetë të parë.

Kemi dy pozicione, si një lojë me tërheqje litari, që dikush do të tërheq nga vetja më shumë dhe dikush s’do të lëshojë, ose dhe kur lëshon, lëshon ato hallet dhe problemet dhe jo zgjidhjet. Kështu që ky nuk është fenomen i këtyre viteve, por është fenomen që e shoqëron decentralizimin që nga 1992. Kështu që normal, një herë “fiton” qeverisja qendrore një herë ajo vendore. Por e rëndësishme është që decentralizimi si proces vazhdon dhe qasja strategjike që të kemi për një qeverisje vendore pranë qytetarëve që ofron shërbime më eficente, ka gjetur vërtetim në fakt nga puna në terren, pra decentralizimi funksionon.

Në të gjitha takimet që janë bërë në gusht – shtator ne kemi marr rekomandimet, jemi përpjekur me dy nivelet, nga njëra anë me imputet që na vijnë nga shoqatat, bashkitë, t’i konfrontojmë me vizionin dhe politikat që kanë ministritë e linjës për sektorë të veçantë.

Ne, si Ministri e Brendshme, si Agjenci, jemi një institucion midis, që si të thuash duhet të harmonizojmë dhe koordinojë interesat po themi të të dy aktorëve kryesorë. Rekomandimet janë të shumta që kanë ardhur nga shoqatat, reflektimi nuk është ai që pritet, por ky është një proces në vijim dhe do duhet që të ulemi përsëri, dhe nuk është se është një dokument përfundimtar. Në prezantim jemi përpjekur të fokusohemi te rekomandimet dhe objektivat më kryesore, dhe drafti i parë që do jetë dhe narrativ do t’u shpërndahet dhe do të jetë më solid më konçiz, dhe do të komentoni dhe sygjeroni për gjëra konkrete. Kështu që unë po e kaloj pjesën e procesit.

Kemi pasur dy momente për të ardhur te drafti i strategjisë, pra impute që na vijnë nga bashkitë nëpërmjet shoqatave, dhe raportet nga ekspertët që kanë bërë një punë të mirë. Kuptohet që ekspertët janë ndonjëherë ex-katedra, i shohin gjërat që nga Tirana, nga tavolinat, dhe nuk e prekin realitetin që është në terren, gjë të cilën ne e kemi siguruar duke marë imput drejtpërdrejt nga bashkitë. Kuptohet që ne nuk jemi në një vakum, decentralizimi ka pasur strategji që është miratuar në 2015, e cila do të nënvizoja shkallën e realizimit të gjithë objektivave që ka pasur strategjia aktuale, ose po themi e vjetër e decentralizimit që vinte në një kontekst të reformës teritoriale të 2014.

Kemi një shkallë realizimi 67 %, pra që do të thotë 1/3 e rekomandimeve ose objektivave strategjike mbeten akoma për tu kryer, dhe shpresojmë që pjesa e mirë e tyre janë akoma me vlerë, nuk janë realizuar për 101 mijë arsye, por mbeten të vlefshme si rekomandime për t’u rimarë në strategjinë e re. Nuk po futem tek procesi strategjik apo tek arritjet, por dua të ndalem vetëm në disa piketa  që na kanë udhëhequr në punën tonë dhe në këtë proces.

Në radhë të parë debati dhe diskutimi që bëhet dhe kur flasim për dokumentat dhe strategjitë politike, është do të kemi thellim të decentralizimit, pra shtim të funksioneve të bashkive, apo versus, të konsolidimit të atyre që tashmë bashkitë kanë marrë me kuadrin e ri ligjor. Kështu që grupi i punës është i mendimit që besoj nuk ka nevojë të thellojë decentralizimin, pra duke shtuar funksionet, ne gjykojmë që funksionet që kanë marë tashmë që bashkitë kanë marë që nga 2015 janë të mjaftueshme.

Strategjia që do të shkojë për një konsolidim të mëtejshëm të këtyre funksioneve dhe shërbimeve, se sa një thellim apo shtim të funksioneve të reja. Mendojmë që akoma ka vend për të konsoliduar këto funksione dhe shërbime që kanë bashkitë, për të rritur efiçencën, për të rritur nivelin dhe standardin e funksioneve dhe shërbimeve. Kështu që e kemi pasur gjatë gjithë kohës këtë lloj qasje.

Ndërkohë vëmë re që përveç funksioneve të veta, kemi pasur debate për funksione të përbashkëta, që do të thotë ka funksione dhe shërbime që me ligjin e ri iu lanë qeverisjes vendore, qartazi iu lanë kompetencë vetëm bashkive, por në praktikë dhe në terren tregojnë që agjencitë qëndrore, apo institucionet qendrore tentojnë të bashkëveprojnë për ofrimin e këtyre shërbimeve.

Gjë që është normale në kuptimin final për t’i ofruar një shërbim më të mirë qytetarit. Dhe këtu shembulli i fundit është marrja përsipër ose bashkë-përgjegjësia për menaxhimin e përbashkët të ndërrmarjeve të ujësjellës/kanalizimeve drejt një modeli rajonal. Pra ndahet bashkë-përgjegjësia dhe qeveria qendrore merr përgjegjësinë së bashku me qeverisjen vendore në letra, kuptohet për një menaxhim më efikas të këtyre ndërmarjeve. Pra kur themi funksione të veta, funksione të përbashkëta janë dhe këto instrumente që gjatë viteve do të dalin dhe do të forcohen.

Kuptohet që legjislacioni e parashikon dhe bashkëpunimin midis dy pushteteve, pra midis dy qeverive, pra qeveri qendrore dhe qeveri vendore, për të ofruar shërbime. Kështu që nuk ka asgjë të re ose debat që ndodh midis decentralizimit simetrik dhe asimetrik, pavarësisht se ligji në thelb mendon që decentralizimi është simetrik, se të njëjtat funksione dhe shërbime t’i kryejnë të gjitha bashkitë dhe qarqet, pavarësisht kapaciteteve që kanë, në fakt ndodh që disa bashki i kryejnë të gjitha ose një numër të madh të funksioneve, dhe disa të tjera nuk i kryejnë plotësisht funksionet që u jep ligji. Pra, në praktikë kemi nje decentralizim asimetrik, ndodh që qeveria qendrore që edhe me ligjin e ri mund të tentojë që disa shërbime dhe funksione në mënyrë asimetrike t’ia decentralizojë disa bashkive dhe jo të gjithave.