Fjala e ministrit Çuçi në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/05/2022

Fjala e ministrit Çuçi në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian

E nderuar znj. kryetare,

Të nderuar kolegë,

Të nderuar pjesëmarrës:

Takimin e sotëm nuk e shoh thjesht një raportim formal në Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian, por sinqerisht një mundësi më tepër për të diskutuar me njëri-tjetrin se si mund të avancojmë më shpejt drejt këtij procesi tejet të rëndësishëm dhe natyrisht të pakthyeshëm, pavarësisht konjekturave apo zhvillimeve momentale, Shqipëria, s’ka dyshim që do të jetë pjesë e Bashkimit Europian.

Ndër të tjera besoj së është në interes të vendit tonë që kur vjen puna te integrimi evropian, të flasim me të njëjtën gjuhë dhe të lemë mënjanë dallimet politike.

Shqipëria s’ka qenë kurrë më parë në një moment të tillë ku pret organizimin e konferencës së parë ndërqeveritare, pavarësisht vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, e cila është një çështje që s’ka të bëjë fare me përmbushjen e detyrave të shtëpisë nga ana jonë. Sikundër e ka konfirmuar disa herë Komisioni Europian, ne i kemi përmbushur të gjitha kushtet në këtë fazë. Megjithatë ky ngërç i krijuar nuk na ka stepur aspak, përkundrazi kemi vijuar me përpikëri ndjekjen dhe zbatimin e të gjitha rekomandimeve të Komisionit Evropian, duke shënuar rezultate të prekshme dhe të pakontestueshme.

Kapitulli 24 ashtu sikundër edhe Kapitulli 23 mund të konsiderohen si shtylla kurrizore e të gjithë procesit të zgjerimit. Jo më kot cilësohen si etapat çelës dhe mbyllës të gjithë procesit të gjatë të aderimit. Kjo përveçse na ngarkon me një përgjegjësi të madhe, është gjithashtu edhe privilegj, pasi na jep mundësinë si drejtues dhe politikanë, të marrim pjesë në një proces transformues, në të cilin e përsëris, të gjithë ne të ulur këtu sot, kemi një përgjegjësi individuale sipas rolit të rëndësishëm të gjithsecilit.

Raportimi i sotëm mbi përmbushjen e rekomandimeve të Kapitullit 24 “Drejtësi, Liri dhe Siguri” bazohet në të dhënat e Ministrisë së Brendshme dhe statistikat zyrtare të Policisë së Shtetit dhe prezanton rezultatet konkrete dhe hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar, migracionit të parregullt, azilit dhe shtetësisë. Do të flas për secilën nga këto fusha për të treguar përmbledhtazi çfarë kemi arritur deri më sot.

Bashkëpunimi me agjencitë e zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimi ndërkombëtar

Do ta filloja duke evidentuar një dimension që shpesh herë harrohet ose neglizhohet kur vjen puna te lufta kundër krimit të organizuar, si pika qendrore e gravitetit të punës sonë në përmbushje të rekomandimeve për Kapitullin 24. Krimi i organizuar nuk njeh kufij, nuk ka pasaportë, është një fenomen transnacional dhe si i tillë mund të luftohet vetëm në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë. Mes reformave transformuese dhe punës në strukturat e institucioneve ligjzbatuese, ne jemi përqendruar tek ndërtimi i besimit duke pasur sot si rezultat, operacione të përbashkëta, me vendet anëtare të BE, sikur të ishim një shtet anëtar.

Kur është fjala te bashkëpunimi ndërkombëtar Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit janë fokusuar jo vetëm te shkëmbimi i informacioneve me partnerët tanë për hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale, por edhe te zhvillimi i operacioneve të përbashkëta kryesisht nëpërmjet INTERPOL, EUROPOL, DEA, Zyrës së Interforcës, Rrjetit CARIN, etj.. Kjo dëshmon për nivelin e lartë të besimit që është krijuar te Shqipëria nga partnerët evropianë.

Nga rritja e numrit dhe cilësisë së informacioneve të shkëmbyera, te pjesëmarrja në operacione të përbashkëta në fushat e hetimit të veprave penale për narkotikët, trafiqet e paligjshme, pastrimin e parave, krimin ekonomik e financiar, krimin kompjuterik dhe krimeve të rënda, tregon qartësisht një rezultat vërtet impresionues, kur është fjala te bashkëpunimi ndërkombëtar.

Për shembull mjafton të përmendim faktin që ne kemi shtuar më tej prezencën tonë në EUROPOL duke marrë kështu më shumë përgjegjësi. Sikurse shtetet e tjera anëtare të BE, Policia e Shtetit është pranuar bashkë-drejtuese në dy objektiva të EMPACT (Një platformë e strukturuar multidisiplinare për bashkëpunimin ndërmjet Shteteve Anëtare, Institucioneve dhe Agjencive të BE-së, si dhe vendeve të treta, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të tjerë (publik ose privat) për të adresuar kërcënimet prioritare ndaj krimeve të organizuara dhe të rënda ndërkombëtare) – Krimet financiare, Pastrimi i parave dhe Rikuperimi i Aseteve kriminale, si dhe është vend drejtues në një prej prioriteteve të Programit Analitik për krimet kundër pronës. Ky bashkëpunim ndikon në hetime më efikase dhe  sjell një impakt të ndjeshëm në drejtim të goditjes së grupeve kriminale.

Sipas gjetjeve të Progres-Raportit 2021, Shqipëria ka ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të forcuar bashkëpunimin policor ndërkombëtar, ndërkohë sa i takon rekomandimit në këtë fushë “Mbi emërimin e një Koordinatori Kombëtar të EMPACT”, e ka bërë tashmë që në prill 2021, roli i të cilit është bashkërendimi i përfshirjes së Policisë së Shtetit në planet operacionale të platformës EMPACT, çka rrit ndjeshëm efiçencën dhe bashkëveprimin me institucionet ligjzbatuese evropiane.

Sa i përket nënshkrimit të marrëveshjeve të reja në shkëmbimin e të dhënave në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit dua të përmend si të një rëndësie të madhe Marrëveshjen e Bashkëpunimit me EUROPOL për “Dhënien e të drejtës së aksesit në sistemin elektronik “SIENA” administratës doganore të Shqipërisë, e cila është nënshkruar në janar 2021. Në nëntor 2021 ky bashkëpunim është shtrirë edhe më tej me institucionet e reja të drejtësisë duke i dhënë akses edhe SPAK-ut, edhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Së shpejti ky akses do t’u mundësohet dhe autoriteteve të hetimit tatimor. Me rëndësi është gjithashtu fakti se tashmë pranë EUROJUST ne kemi edhe një prokuror kontakti, duke kompletuar kuadrin institucional të bashkëpunimit. Kur është fjala te operacionet e përbashkëta dua të përmend këtu së paku dy nga më të suksesshmit me EUROPOL si megaoperacioni “Dobra” apo “Losblancos”, me rezultate të matshme dhe të prekshme të përpjekjes sonë të përbashkët për goditjen e grupeve kriminale.

Lidhur me bashkëpunimin me agjencitë e BE-së, Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor, që nënshkroi marrëveshjen me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare (FRONTEX), marrëveshje e cila është rinovuar një vit më parë dhe ky bashkëpunim ka rezultuar shumë i suksesshëm në menaxhimin e kufirit dhe flukseve migratore. Kjo është një tjetër dëshmi domethënëse e besimit të madh të krijuar nga partnerët tanë. Marrëveshja e Punës e iniciuar dhe nënshkruar nga Shqipëria me Agjencinë e Drogave të Komisionit Evropian, në Mars 2019, u replikua më pas nga vendet e tjera të rajonit si një model i mirë pune për rritjen më tej të kapaciteteve kombëtare në këtë drejtim.

Le t’i shohim me radhë:

Lufta kundër krimit të organizuar

Mbetet absolutisht një prioritet për ne sepse duke krijuar një mjedis të sigurt, mund të garantojmë më pas zhvillimin ekonomik e social të vendit. Vëmendje e veçantë i është kushtuar sidomos luftës kundër kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike, trafikimit të paligjshëm dhe atij të qenieve njerëzore. Krijimi i infrastrukturës ligjore dhe institucionale në të cilën mbështetet lufta kundër krimit të organizuar është konsideruar si një kusht i domosdoshëm për të pasur sukses. Më poshtë një paraqitje e drejtimeve kryesore në luftën kundër krimit të organizuar sipas nënfushave:

Trafiku i armëve

Lidhur me rekomandimin e KE, mbi trafikimin e paligjshëm të armëve të zjarrit, të cilat përdoren edhe nga grupet kriminale shqiptare dhe trafikohen, kryesisht në vendet fqinje, ne kemi bërë një punë të madhe në këtë drejtim qoftë në përafrimin e legjislacionit vendas me EU acquis, ashtu edhe me përdorimin efektiv të sistemit ndërkombëtar të gjurmimit të armëve të zjarrit si sistemi i Interpol iARMS.

Kemi miratuar gjithashtu 3 ligje të rëndësishme dhe 14 akte nënligjore në funksion dhe zbatim të Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla, Armëve të Lehta, Municionit dhe Lëndëve Plasëse 2019-2024 dhe Planit të Veprimit të saj 2019-2021. Po kështu me rëndësi është të përmend këtu se tashmë është përfunduar Plani i Zhvillimit për Njësinë Qendrore të Armëve të Zjarrit, e cila do funksionojë si një njësi e specializuar në Policinë e Shtetit për inteligjencën, analizën, shkëmbimin e informacionit rajonal dhe dhënien e orientimeve strategjike dhe taktike në luftë kundër trafikimit dhe keqpërdorimit të armëve të zjarrit.

Këtu, është me vend të shprehim mirënjohjen për qeverinë franceze, gjermane dhe Komisionin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Udhërrëfyesit rajonal për kontrollin e armëve të zjarrit.

Krimi kibernetik

Krimi kibernetik është një problem global dhe natyrisht që këtu as Shqipëria nuk është e mbrojtur. Këtë e dëshmon në fakt edhe rritja e veprave penale të referuara në Prokurori gjatë vitit 2021, prandaj ne po intensifikojmë punën dhe shtojmë kapacitetet në këtë drejtim. Është miratuar “Strategjia për Hetimin e Krimit Kibernetik dhe Plani i Veprimit 2021-2025”, në zbatim dhe  të rekomandimit të Komisionit Evropian dhe të Progres Raportit 2020 për hartimin e një strategjie për krimin kibernetik. Po punojmë ndërkohë për shtimin dhe rregullimin e disa veprave penale ekzistuese në fushën e krimit kibernetik, me qëllim të përafrimit me direktivën e BE. Ngritja e kapaciteteve në luftën kundër krimit kibernetik është nevoja më emergjente që ne kemi, prandaj nga nivel sektori që e kemi aktualisht në Policinë e Shtetit, do të shkojmë në ngritjen e Drejtorisë së Krimit Kibernetik dhe zgjerojmë ndjeshëm kapaciteteve në nivel vendor për t’i dhënë rëndësinë dhe prioritetin që duhet.

Trafikimi dhe kontrabandimi i qenieve njerëzore

Kemi miratuar Planin Kombëtar të Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Personave 2021-2023, si një instrument, që synon koordinimin e aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë, përfshirë organizatat ndërkombëtare, të angazhuara në luftën kundër trafikimit të personave. Në përfundim të këtij plani do të kemi gjithashtu edhe një ligj të ri për mbrojtjen e viktimave të trafikimit, i cili do të vendosë në veçanti një skemë kompensimi të financuar nga shteti. Gjatë vitit të shkuar janë organizuar fushata ndërgjegjësuese për informimin lidhur me format e trafikimit të qenieve njerëzore dhe impaktin që ka në shoqëri ky fenomen. Adresimi i këtij problemi është një çështje e përbashkët e Policisë së Shtetit, pushtetit vendor, shërbimit social dhe organizatave të shoqërisë civile.

Lufta kundër pastrimit të parave dhe aseteve

Pastrimi i parave mbetet një nga sfidat kryesore edhe për ne ashtu si për shumë vende të tjera. Për të rritur efektivitetin e punës së Policisë së Shtetit në luftën kundër pastrimit të parave kemi miratuar ligjin “Për regjistrin qendror të llogarive bankare” dhe VKM-në “Për rregullat e aksesit në bazën e të dhënave të regjistrit qendror të llogarive bankare”.

Gjatë vitit 2021 u hartua dhe miratua Procedura Standarde “Për hetimin pasuror dhe identifikimin e aseteve, që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, përmes së cilës Policia e Shtetit në bashkëpunim me organet e tjera ligjzbatuese, aplikon hetimin pasuror e atë financiar paralel dhe pavarësisht hetimit penal.

Është dorëzuar tashmë produkti i Grupit të Punës për ngritjen e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve dhe do të njohim nga afër në fund të këtij muaji modelin e suksesshëm të aplikuar në Francë, për të qenë një njësi pranë Policisë së Shtetit. Ministria e Brendshme ka realizuar detyrimet e saj, në zbatim të Planit të Veprimit të rënë dakord me Task Forcën e Veprimit Financiar për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Lufta kundër drogës

Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe trafikimit të drogave vijon të mbetet prioritet për Policinë e Shtetit, e cila mban peshën kryesore në luftën kundër këtij fenomeni. Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë si dhe angazhimi maksimal i organeve ligjzbatuese dhe institucioneve të tjera të ngarkuara, ka qenë fokus i përbashkët i të gjithë institucioneve në luftën kundër kanabisit.

Në shkurt 2021 bëmë rinovimin e Protokollit Operacional midis Policisë së Shtetit dhe Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme në Itali, dhe për herë të parë, nga Guardia di Finanza, është shtuar me një muaj periudha kohore e aktivitetit të monitorimit ajror.

Gjithashtu në të gjithë territorin e vendit janë kryer mbi 5 mijë kontrolle të ambienteve të mbyllura, të cilat janë një tendencë e re e kultivimit të kanabisit. Në këto muaj të parë të vitit 2022 Policia e Shteti ka zhvilluar mbi 600 takime ndërgjegjësuese me drejtues të institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe vendor, drejtues të organeve të pushtetit lokal, nxënës e mësues dhe organizata të shoqërisë civile.

Policia e Shtetit po zbaton të gjitha masat e nevojshme planifikuese, organizuese dhe operacionale, në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, si dhe kemi forcuar masat parandaluese, të cilat janë po aq të rëndësishme sa edhe qasja represive.

Bashkë me partnerët, donatorët dhe shoqërinë civile kemi ndërmarrë nisma dhe projekte të ndryshme ndërgjegjësimi kundër kultivimit të drogës, si dhe kemi zbatuar programe të zhvillimit alternativ të komuniteteve të zonave rurale si për shembull fermerët në zonën e Pultit, disa familje prodhuese të produkteve tradicionale në Dibër etj. Dekurajimi i krimit dhe veçanërisht kultivimit e trafikut të drogës ka një rëndësi të madhe në punën e Policisë së Shtetit dhe organizatave partnere, përfshi këtu natyrisht edhe shoqërinë civile.

Shumë asete të konfiskuara nga grupe të trafikut të drogës menaxhohen sot me sukses nga organizata të shoqërisë civile, grupe komunitare, të rinj apo gra viktima të trafikimit dhe dhunës, duke ofruar mundësi shumë të mira jo vetëm për fuqizimin e tyre por dhe të komuniteteve ku ato jetojnë.

Lufta kundër terrorizmit

Shqipëria është vlerësuar vazhdimisht me nota pozitive kur vjen fjala te lufta kundër terrorizmit. Edhe në Progres Raportin e KE për vitin 2021 thuhet se Shqipëria ka marrë pjesë aktive në zbatimin e nismës kundër terrorizmit të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë është miratuar Strategjia e re Ndërsektoriale Kundër Terrorizmit 2021-2025 dhe Plani i saj i Veprimit 2021-2023 u miratua në dhjetor 2020, e cila është plotësisht në përputhje me katër shtyllat e Planit të Veprimit të BE-së për Luftimin e Terrorizmit dhe Strategjinë Kundër Terrorizmit.

Bashkë me partnerët tanë vijojmë përpjekjet për kthimin e grave dhe fëmijëve të mbetur në kampet në Siri. Deri më tani në Shqipëri janë kthyer 24 persona nga këto zona konflikti, nga të cilët 6 gra dhe 18 fëmijë. Vëmendja e qeverisë shqiptare mbetet gjithmonë e fokusuar tek riatdhesimi i grave dhe fëmijëve si kategori vulnerabël.

Një zhvillim pozitiv për t’u evidentuar është kalimi në përgjegjësi të Ministrisë së Brendshme i Qendrës për Koordinimin kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Kjo mundëson ndjekje dhe koordinim më të ngushtë mes strukturave për rehabilitimin dhe riintegrimin e të kthyerve. Së shpejti do të miratohet edhe kuadri i ri strategjik për parandalimin dhe kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Migracioni dhe azili

Kemi një kuadër ligjor në një linjë me legjislacionin e Bashkimit Evropian duke synuar ndërtimin e një politike migratore më të fortë dhe koherente. Janë përmirësuar aktet normative në aspektin e procedurave të dokumenteve të udhëtimit, vizave, punësimit, qëndrimit, bashkimit familjar, por edhe në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë migrantëve apo familjeve të tyre. Ligji i ri “Për të Huajt” parashikon gjithashtu krijimin dhe funksionimin e Regjistrit Elektronik Kombëtar për të Huajt, një databazë që nuk e kemi pasur deri më tani.

Për rintegrimin e të kthyerve, veçanërisht atyre më vulnerabël, si romët dhe egjiptianët, që ka qenë edhe rekomandim i KE, Strategjia Kombëtare e Migracionit dhe Plani i Veprimit për vitet 2019-2022, sigurojnë një kuadër të qartë dhe masa konkrete.

Trajtimi i imigrantëve të parregullt sipas standardeve ndërkombëtare, ka qenë dhe mbetet prioritet. Përballë fluksit aktual të imigracionit të parregullt, ekzistojnë kapacitete të mjaftueshme për akomodimin e imigrantëve të parregullt. Qendra të Përkohshme të Akomodimit dhe Regjistrimit janë ngritur në Gjirokastër dhe Korçë.  Ndërkohë është kryer rikonstruksioni i Qendrës Kombëtare për Azilkërkuesit në Tiranë për të krijuar kushte më të mira në përputhje me standardet evropiane.

Lidhur me rekomandimin e KE për ambiente të veçanta për të miturit e pashoqëruar, ligji “Për të Huajt” parashikon se i mituri mund të mbahet në qendër të mbyllur vetëm në rast të interesit më të lartë të tij apo të familjes, në mjedise të posaçme të ndara nga ato për të rritur. Para ndalimit të një të mituri në qendër të mbyllur, kërkohet mendimi i një punonjësi social dhe i një psikologu.

Në zbatim të rekomandimeve të Komisionit Evropian, por edhe diktuar nga nevoja për adresimin e sfidave të imigracionit të parregullt drejt kufijve shqiptarë, gjatë vitit 2021 janë hartuar dhe janë dërguar për negocim, marrëveshjet e ripranimit me disa shtete. Në shkurt të vitit 2022, është iniciuar një Marrëveshje dypalëshe Partneriteti në fushën e Migracionit me Indinë, Egjiptin, Tunizinë dhe Bangladeshin që janë vende burimi për emigracionin.

Sa i takon rekomandimit për kthimin e shtetasve të huaj imigrantë të parregullt të kapur/konstatuar në kufi/territor, trajtohen në përputhje me Ligjin “Për të Huajt” dhe procedurat standarde të punës të miratuara nga Policia e Shtetit.

Nisur nga situata mbi azilkërkimin e pabazë të shtetasve shqiptarë në BE dhe vende të tjera të zonës Schengen, si dhe me qëllim ndërgjegjësimin e shtetasve shqiptarë për pasojat e qëndrimet përtej afateve dhe azilkërkimit të pabazë dhe për të mos abuzuar me të drejtën e lëvizjes së lirë, Shqipëria ka marrë një sërë masash duke filluar nga: Forcimi i kontrollit të shtetasve shqiptarë që kalojnë kufirin shtetëror dhe kontrolli i detajuar për minorenët që udhëtojnë jashtë vendit deri tek intensifikimi i bashkëpunimit në shkëmbimin e informacionit.

Shqipëria ka tashmë një sistem azili për të cilin po punohet gjithmonë e më shumë, për t’iu afruar standardeve europiane, duke realizuar funksionimin e plotë të procedurave në përcaktimin e statusit të refugjatit për personat që kërkojnë azil. Ligji i ri “Për Azilin” që hyri në fuqi në mars të vitit të shkuar është një zhvillim pozitiv. Aktualisht në zbatim të këtij ligji janë hartuar 15 akte nënligjore prej të cilave 12 miratuar dhe 3 pritet të miratohen.

Menaxhimi i integruar i kufirit

Në këtë drejtim janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me vendet fqinje. Pikën më të fundit e inauguruam pak javë më parë me Kosovën. Ndërkohë puna është fokusuar në konsolidimin dhe zbatimin e akteve ligjore e nënligjore në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufirit dhe Migracionit dhe zbatimin e standardeve të kontrollit si dhe mbikëqyrjes së kufirit për lehtësimin e procedurave gjatë kalimit të njerëzve dhe mallrave nëpërmjet kufirit.

Konkluzion

Të nderuar pjesëmarrës,

Çfarë prezantova deri më tani është një panoramë e përmbledhur e punës së përditshme që ne bëjmë, jo thjesht si qëllim në vetvete për të plotësuar kushtet e Bashkimit Europian në kuadër të procesit të integrimit, por sepse në radhë të parë besojmë se reformat dhe rritja e standardeve i shërbejnë vetë qytetarëve shqiptarë. Do të vijojmë punën me ritëm të shpejtë edhe përgjatë vitit 2022 për të çuar përpara investimet dhe modernizimin e mëtejshëm të shërbimeve dhe për të rritur cilësisht luftën kundër krimit të organizuar dhe çdo forme tjetër paligjshmërie.

Duke ju falënderuar për vëmendjen, uroj që brenda kohës që pata në dispozicion t’i kem evidentuar të gjitha çështjet dhe tematikat që lidhen me Kapitullin 24. Sidoqoftë mbetem në dispozicionin tuaj dhe mirëpres çdo pyetje, qoftë nga kolegët deputetë ashtu edhe nga përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile.

Faleminderit!