Fier – Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier u zhvillua takimi i rradhës për sensibilizimin e komunitetit dhe për marrjen e masave, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Në këtë takim morën pjesë zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Sokol Bizhga, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier Drejtues i Parë Lorenc Panganika dhe drejtuesit e strukturave të DVP Fier dhe të komisariateve në varësi.
Gjatë takimit u pasqyrua puna e bërë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, për vitin 2022 dhe tremujorit të parë të vitit 2023, si dhe u vendosën prioritetet që do të përmbushen po gjatë këtij viti.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i DVP Fier u shpreh se “kërkoj zbatimin e detyrave nga çdo punonjës policie dhe përfaqësues i strukturave mbështetëse që është i ngarkuar me përgjegjësi në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Policia e Fierit ka intensifikuar kontrollet në terren, si një masë e fortë parandaluese”.
Gjithashtu, në këtë takim u diskutua për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin, për të shkëmbyer informacion në kohë reale, me qëllim që edhe reagimi të jetë i menjëhershëm. Fokus tjetër i diskutimit ishte edhe identifikimi i zonave me risk të lartë, për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.