Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 122 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 10/02/2020

Ministria e Brendshme në 1 javë – Buletin nr. 122

Raporti javor nr. 122 – VIDEO

3 – 9 shkurt 2020

SHTETASI I DËBUAR U DËNUA NGA GJYKATA
Ministri Lleshaj në interpelancë: Situata e rendit në Shqipëri është e përmirësuar në mënyrë të ndjeshme, çdo tregues flet për këtë

Ministri i Brendshëm z. Sandër Lleshaj iu përgjigj pyetjeve në lidhje me situatën e rendit dhe sigurisë në vend, gjatë një interpelance të kërkuar nga deputeti Artur Roshi, ku theksoi se gjendja është përmirësuar në mënyrë rrënjësore dhe konstante në të gjithë harkun e 5-6 viteve të fundit. Ministri u shpreh se “Të gjithë indikatorët kryesorë të krimit dhe të sigurisë publike në vend, janë pothuajse 100 % më ulët sesa ishin përpara 10 viteve, apo përpara 5-6 viteve. Kjo do të thotë që situata e rendit në Shqipëri është e përmirësuar në mënyrë të ndjeshme, çdo tregues flet për këtë.”
Në lidhje me një nga çështjet e ngritura nga deputeti, që ka të bëjë me dëbimin nga vendi ynë të një shtetasi të huaj, i cili ishte kapur me dokumente të falsifikuara, Ministri sqaroi se: “Vendimmarrja për dëbimin e qytetarëve të huaj nuk merret nga Ministri i Brendshëm. Në rastin konkret të dëbimit, përgjegjëse janë Drejtoritë vendore të Policisë së Kufirit dhe Migracionit. Pra as të Drejtorisë Qendrore, por janë të nivelit vendor.”
Në lidhje me rastin, Lleshaj bëri një ekspoze të plotë të procedurave ligjore që ishin kryer nga organet gjyqësore dhe nënvizoi se shtetasit në fjalë i ishin njohur të gjitha të drejtat si subjekt i ligjit për të huajt. Ai vuri në dukje gjithashtu se shtetasi i huaj nuk kishte kërkuar azil në Shqipëri dhe në momentin e dëbimit nuk ka ngritur asnjë lloj pretendimi.

CEREMONIA, CERTIFIKOHEN EKSPERTËT E POLIGRAFIT
Ekspertët do të verifikojnë përmes kësaj pajisjeje kandidatët për në SPAK, BKH dhe gjithashtu edhe pjesëtarët e strukturave të sigurisë publike, Polici, Gardë etj..

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj përgëzoi ekspertët e parë të trajnuar për përdorimin e Poligrafit, të cilët do të verifikojnë përmes kësaj pajisjeje kandidatët për në SPAK, BKH dhe gjithashtu edhe pjesëtarët e strukturave të sigurisë publike, polici, Gardë etj..
“Është një ditë historike për ju, por edhe për vendin tonë sepse ne futim një instrument të ri objektiv, i cili ndihmon jo vetëm në finalizimin e hapave të reformës në drejtësi, por na jep një instrument mbrojtjeje për institucionet tona në vijueshmëri. Ky instrument nuk do të përdoret vetëm për SPAK-un, për BKH, por do të përdoret në vijimësi për gjithë rekrutimet e reja në Policinë e Shtetit, SHÇBA, Gardën e Republikës si dhe për diagnostifikimin periodik të gjithë personave që shërbejnë në institucionet e sigurisë publike”, theksoi ministri në fjalën e tij.
Ai falënderoi me këtë rast Qeverinë amerikane për ndihmën në sigurimin e pajisjeve, si edhe shoqatën e poligrafistëve amerikanë që trajnuan ekspertët e rinj shqiptarë. Ceremonia e certifikimit të ekspertëve u zhvillua në Ministrinë e Brendshme dhe në morën pjesë deputetë nga Komisioni i Sigurisë, Ambasadorja e re e SHBA në Tiranë znj. Yuri Kim, përfaqësues të misioneve partnere të Policisë së Shtetit, zyrtarë të lartë të MB e institucioneve të varësisë.

MINISTRI LLESHAJ, TAKIM ME PREFEKTËT DHE KRYETARËT E BASHKIVE
U diskutuan masat për menaxhimin e emergjencave, Adresarin, Sigurinë Rrugore, Shërbimet online, Dixhitalizimin e arkivave të Gjendjes Civile, dhe masat për Sezonin turistik

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një takim me Prefektët e Qarqeve dhe kryetarët e Bashkive në vend, në lidhje me masat për menaxhimin e emergjencave, Adresarin, Sigurinë Rrugore, Shërbimet online, Dixhitalizimin e arkivave të Gjendjes Civile, Shërbimin zjarrfikës dhe masat për Sezonin turistik.
Ministri kërkoi prej pushtetarëve lokalë që të jenë më të gatshëm për të bashkëpunuar me agjencitë qendrore, sidomos sa i përket çështjeve të dixhitalizimit të dokumenteve dhe ofrimit të shërbimeve online për qytetarët.
Në lidhje me ofrimin e shërbimeve online, Ministri Lleshaj theksoi se: “Qeveria Shqiptare e ka vendosur në krye të prioriteteve të saj kalimin nga shërbimet në sportele, në ato online. Por shërbime online duhet të ofrojë edhe pushteti vendor, sepse u shërbejmë të njëjtëve qytetarë.“
Ministri u kërkoi drejtuesve lokalë që të bashkëpunojnë në procesin e dixhitalizimit të regjistrave të Gjendjes civile të një periudhe të caktuar që kap një harko kohor prej afër gjysëm shekulli.
Në lidhje me sezonin turistik ai kërkoi që të nisin që tani me masat përkatëse në mënyrë që “sezoni veror 2020 të jetë një sukses”. Për shërbimin zjarrfikës, Lleshaj tha se ”Shërbimin Zjarrfikës duhet ta ngremë në një nivel të ri më të lartë, sidomos për personelin. Duhet që punonjësit zjarrfikës të jenë trupë speciale, elitë, më të mirë se ata të RENEA-s.”

REZULTATET E PARA TË “OPERACIONIT FORCA E LIGJIT”
Prej datës 3 shkurt ka nisur Operacioni Forca e Ligjit, me veprime konkrete në terren. Sekuestrohen dhjetëra prona e pasuri të tjera

“Operacioni Forca e Ligjit” ka startuar në disa qarqe të vendit duke u dërguar subjekteve të ligjit, formularët për deklarimin e pasurisë dhe si duke vënë nën sekuestro disa prej aseteve të tyre. Sipas vendimit të aprovuar nga qeveria, përgjigjet e marra nëpërmjet formularëve OFL ia dërgon SPAK-ut, dhe ky i fundit, Gjykatës së Posaçme, e cila merr vendimin final mbi pasuritë e sekuestruara.
Në Durrës OFL sekuestroi një objekt, kompleks shërbimesh dhe një pikë karburanti në pronësi të një shtetasi të dënuar nga autoritet italiane, i cili së fundi akuzohet edhe për rrëmbimin dhe vrasjen e një shtetasi tjetër.
Ndërsa në Shkodër u sekuestruan disa banesa, troje dhe prona të tjera të patundshme, automjete dhe pasuri të tjera, në emër të disa shtetasve, të cilët akuzohen për trafik narkotikësh dhe vepra të tjera të rënda penale.
Formularët e deklarimit u janë dërguar edhe disa subjekteve të tjerë, në Elbasan, të akuzuar për vepra shumë të rënda penale si vrasje, trafik lëndësh narkotike, trafik armësh, personash etj. Pasuritë që janë në emër të këtyre shtetasve dyshohet se janë vënë me kapitale të siguruara nga veprimtaria kriminale.

SHÇBA PEZULLON NGA DETYRA 11 PUNONJËS POLICIE
Policët janë pezulluar për shpërdorim detyre lidhure me ngjarje të tilla si favorizim të kultivimit të kanabisit, lejim të ndërtimeve pa leje, favorizim për kalim të paligjshëm kufiri etj

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), pezulloi 11 punonjës policie për favorizim kalimi të paligjshëm kufiri si dhe shpërdorim detyre në Rinas dhe në DVP Durrës. Hetimet në lidhje me ngjarjet, u kryen me metoda speciale, në bashkëpunim me prokuroritë dhe gjykatat e shkallës së parë të Tiranës dhe Durrësit. Në rastin e Durrësit shpërdorimet e detyrës nga 7 punonjës të policisë kanë të bëjnë me: favorizimin e kultivimit të bimëve narkotike, ndërtimeve pa leje, fshehje dhe manipulim të ngjarjeve, pengimin e zbulimit të së vërtetës dhe fakteve kriminale, mos-raportime të ngjarjeve kriminale, mos-evidentim të kallëzimeve të shtetasve sipas detyrimeve ligjore, etj. Gjatë ndërhyrjes u sekuestrua një sasi kanabisi si dhe u shkatërruan bimë narkotike.
Në Tiranë, 4 punonjës të policisë favorizuan kalimin e pa ligjshëm të kufirit nga aeroporti i Rinasit të një shtetaseje me dokumente false, e cila gjithashtu është proceduar dhe ndiqet penalisht.  Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të të gjitha ngjarjeve, ndërsa materialet procedurale i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme.