Elbasan/Goditet një grup i strukturuar kriminal – Arrestohen 5 persona - Ministria e Brendshme
Postuar më: 08/02/2018

Elbasan/Goditet një grup i strukturuar kriminal – Arrestohen 5 persona

VIDEO Elbasan/Goditet një grup i strukturuar kriminal – Arrestohen 5 persona, sekuestrohet lëndë plasëse, lëndë narkotike, municione luftarake dhe vlera monetare

Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Elbasanit në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit dhe Prokurorinë e Elbasanit, në kuadër të procedimit penal të referuar nga Policia lokale, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “POROSIA”.

Si rezultat i këtij operacioni të finalizuar me sukses pas një hetimi disa mujor me metoda speciale, u arrestuan në flagrancë 5 shtetas dhe 1 u shpall në kërkim.

Ata janë:

– G.Y., 20 vjeç, banues në Pogradec;  

– K.M., 21 vjeç, banues në Pogradec;

– K.P., 22 vjeç, banues në Pogradec;

– E.A., 39 vjeç, banues në fshatin Hudenisht, Pogradec;

– G.K., 39 vjeç, banues në fshatin Gribë, Gramsh.

Arrestimi i tyre u krye nga forcat e posaçme në disa ndërhyrje në Pogradec dhe në Gramsh.

Shtetasve G.Y. dhe K.M. u janë gjetur dhe sekuestruar 82 kallëpe të dyshuara si lëndë plasëse, e llojit tritol.

Shtetasit E.A. i është gjetur dhe sekuestruar 1.5 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis.

Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit G.K., në Gramsh janë gjetur 1 armë zjarri automatik, 1 pushkë me 440 fishekë, 3 automjete, 15 celularë si dhe  sasi e konsiderueshme lekësh.

Gjithashtu në kuadër të këtij procedimi penal është shpallur në kërkim shtetasi E.H., 20 vjeç banues në Pogradec, i dyshuar për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, si dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.