Durrës/Sekretarja e Përgjithshme e MB: Shërbimet online, lehtësi. Vetë institucionet sigurojnë dokumentet, nëpërmjet sistemit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 04/05/2022

Durrës/Sekretarja e Përgjithshme e MB: Shërbimet online, lehtësi. Vetë institucionet sigurojnë dokumentet, nëpërmjet sistemit

DurrësSekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme dhe Kryetarja e Bashkisë, inspektim në sportelet e gjendjes civile të kësaj bashkie

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme, Elena Pici, shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Vangjush Stavro, së bashku me Kryetaren e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako dhe Prefektin e Qarkut Emilian Jani, zhvilluan një inspektim në zyrat ku ofrohet shërbimi online për qytetarët, në disa njësi të bashkisë së Durrësit. Që nga 1 maji, shërbimet e gjendjes civile ofrohen online për të gjithë qytetarët. Udhëzimet për përdorimin e sistemit në e-albania janë afishuar kudo pranë institucioneve të administratës shtetërore dhe në faqet e internetit, ku saktësohet se cilat shërbime ofrohen online.

VIDEO – Në fund të inspektimit Sekretarja e Përgjithshme u shpreh

Elena Pici: Kemi ardhur për të parë nga afër, së bashku me kryetaren e bashkisë, znj. Sako, ofrimin e shërbimeve të gjendjes civile në qytetin e Durrësit, ku tashmë do të ketë vetëm 11 sportele fizike, ndërkohë që pjesa tjetër do të jenë sportele online. Sikundër janë informuar të gjithë qytetarët, prej datës 1 maj, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, në kuadër të reformës për qeverisjen dixhitale, kemi një mbyllje të sporteleve fizike ku shërbimet tashmë do të ofrohen vetëm online, nëpërmjet platformës #eAlbania. Për shërbimin e gjendjes civile do të jenë vetëm 150 sportele fizike në të gjithë territorin e vendit. Hartën e këtyre sporteleve të gjithë qytetarët mund ta gjejnë në web-siten e Ministrisë së Brendshme, por besoj edhe në të gjithë web-sitet e të gjithë bashkive respektive. Në këto sportele fizike, sikundër ishte njëri që sapo inspektuam me kryetaren e bashkisë, do të ofrohen vetëm ato shërbime të cilat kanë nevojë domosdoshmërisht për prezencën fizike të qytetarit. Që do të thotë, shërbime të regjistrimit të lindjes, të martesës dhe të vdekjes, ndërkohë që çdo shërbim tjetër të gjendjes civile, të gjitha certifikatat që qytetarët marrin, do të merren online vetëm nëpërmjet platformës e-albania.

Pyetje: Sa është e mundshme znj. Pici që të funksionojë ky si projekt?

Elena Pici: Ky është një projekt shumë i mundshëm që të funksionojë, është një reformë që ka rreth 3 vite që ka filluar të funksionojë dhe gjithë administrata të përqendrohet për realizimin e saj. Do të ketë mjaftueshëm lehtësi për qytetarët. Dhe një ndër gjërat që unë do të doja të theksoja këtu është që tashmë qytetarët nuk do të duhet as që t’i marrin certifikatat për një institucion tjetër. Janë vetë institucionet të cilat duhet të kërkojnë këto dokumente, nëpërmjet sistemit, te Gjendja Civile.

Pra, për të marrë një shembull, nëse një qytetar do të kërkojë një shërbim te zyra arsimore, dhe si pjesë e këtij aplikimi do të duhet një certifikatë, është zyra arsimore që nëpërmjet sistemit ia kërkon gjendjes civile dhe certifikata i shkon automatikisht, pa iu dashur qytetarit t’ia dorëzojë. Qytetarëve certifikatat mund t’iu duhen po themi vetëm në rastet po themi, për përdorim jashtë vendit, ku tashmë një ndër risitë më të mëdha që ne kemi mundësuar është printimi i certifikatës nga e-albania në 6 gjuhë automatikisht. Pra me marrjen e shërbimit të certifikatës në 6 gjuhë, qytetari e çon te Ministria e Punëve të Jashtme për ta apostiluar dhe më pas e përdor edhe jashtë vendit. Pra ka mjaftueshëm lehtësi në këtë proces që të sigurohemi që këtë shërbim qytetarët do ta marrin pa kosto, pa radhë dhe të gjithë njësoj, pavarësisht se ku ndodhen.

Pyetje: A e ul apo a e pengon deri diku korrupsionin kjo?

Elena Pici: Pengon çdo lloj qasjeje potenciale nëse ka pasur më parë, në këtë qasje siç ju përmendët, sepse tashmë të gjithë qytetarët do të mund ta marrin shërbimin njësoj, brenda të njëjtave afate. Ne kemi një sistem që monitorojmë në kohë reale performancën e çdo punonjësit të gjendjes civile. Nëse shërbimi nuk është ofruar brenda afatit 24 apo 48 orë siç parashikon çdo shërbim, atëherë punonjësi shfaqet në sistem “me vonesë”, dhe patjetër që ne do të marrim gjithë masat e nevojshme, nëse këto janë situata të përsëritura.

Pyetje: A po mendohet për hapjen e një zyre të ADISA-s në Durrës, sepse në dijeninë tonë nuk ka një të tillë dhe duke pasur parasysh se jo vetëm gjendja civile, por edhe sigurimet shoqërore e të tjera shërbime do të kalojnë online e ndoshta do të jetë e nevojshme për pensionistët?

Elena Pici: Zyrat e ADISA-s do të mbyllen në të gjithë Republikën e Shqipërisë, nuk do të ketë më zyra që ofrojnë shërbimin e ADISA-s, për rrjedhojë nuk mund të ketë as në qytetin e Durrësit. Ministria e Brendshme është plotësisht e angazhuar për sa u përket shërbimeve të gjendjes civile dhe të Policisë së Shtetit. Të gjithë punonjësit që do të jenë në sportele do të orientojnë qytetarët se si të aplikojnë për këto shërbime fizike. Këtë madje ma siguroi edhe Kryetarja e bashkisë, se gjithë punonjësit e njësive administrative janë të instruktuar që të orientojnë qytetarët, se si merret shërbimi nëpërmjet e-albania. Kështu që për shërbimin e gjendjes civile, Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe gjithë pushteti lokal, falë vëmendjes së veçantë që i kanë kushtuar të gjithë kryetarët e bashkive, do të jenë në dispozicion të këtij procesi, sidomos gjatë periudhës së parë tranzitore. Për këtë arsye dhe ne po bëjmë një inspektim që do ta vijojmë në çdo bashki të vendit, që të sigurohemi që problematikat kryesore të jenë në vëmendjen tonë dhe të zgjidhen menjëherë dhe me eficencë për qytetarët.