Dibër – Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, Dhimitraq Ziu ka marrë pjesë në tre takime në nivel qarku “Për sensibilizimin e komunitetit dhe marrjen e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2023”.
Pjesë e takimit ishte Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehu, Shefat e Komisariateve, nd/specialistët e zonave dhe kryetarët e njësive administrative të Bashkive Dibër, Bulqizë dhe Mat.
Drejtori i DVP Dibër, në fjalën e tij bëri prezent një sërë masash parandaluese dhe që ka nisur zbatimi i tyre, siç janë analizimi i situatës së vitit të kaluar, mbajtja nën kontroll e elementëve me tendencë në fushën e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, takimet sensibilizuese në shkolla e institucione, takime sensibilizuese në çdo njësi administrative me banorët dhe kontroll të pandërprerë të territorit në bashkëpunim me të gjithë aktorët përgjegjës.
Drejtori kërkoi bashkëpunim sa më efikas me strukturat e tjera ligjzbatuese të qarkut dhe një impenjim nga aktorët që kanë detyrim për mbajtjen nën kontroll të territorit, duke dërguar informacion në çdo fund muaji pranë DVP. Gjithashtu kërkoi të rritet niveli i bashkëpunimit me qëllim që këtë vit të mos ketë asnjë tentativë për kultivim të bimëve narkotike.