Dibër – Në ambientet e Drejtiorisë Vendore të Policisë Dibër u zhvillua takimi në nivel qarku “Për sensibilizimin e komunitetit dhe marrjen e masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2023”.
Në këtë takim morën pjesë Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër Drejtues Dhimitraq Ziu, Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, Shefat e Komisariateve, Shefat e sektorëve dhe seksioneve të strukturës së DVP.
Drejtori i DVP Dibër, në fjalën e tij bëri një përmbledhje të punës parandaluese dhe goditëse që është bërë në vitin 2022, qoftë në drejtim të parandalimit dhe goditjes së kultivimit, ashtu dhe në drejtim të parandalimit dhe goditjes së trafikimit të lëndëve narkotike.
Drejtori bëri prezent një sërë masash parandaluese që kanë nisur zbatimin, siç janë analizimi i situatës së vitit të kaluar, mbajtja nën kontroll e elementëve me tendencë në fushën e kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, takime sensibilizuese në shkolla institucione, takime sensibilizuese në çdo njësi administrative me banorët dhe kontroll të pandërprerë të territorit në bashkëpunim me të gjithë aktorët përgjegjës. Gjithashtu u diskutua për bashkëpunim sa më efikas me strukturat e tjera ligjzbatuese të qarkut dhe për problematika të ndryshme dhe kryesisht të zonave me risk për kultivim të bimëve narkotike.