Konferenca Ministrore për Qeverisje Migracioni të Qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, u përmbyll me miratimin e Deklaratës së Shkupit dhe angazhimin nga të gjithë partnerët për:
– Forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në adresimin e kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore;
– Rritjen e aksesit në rrugët ligjore për migrantët në situatë tranziti të zgjatur, në përputhje me kompetencat kombëtare;
– Adoptimin e një qasjeje menaxhimi gjithëpërfshirës për të rikthyerit.
Ministria e Brendshme, si institucioni që drejton dhe koordinon qeverisjen e migracionit në Shqipëri, u përfaqësua nga zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila në konferencën e bashke-organizuar nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut dhe Ministria e Punëve të Brendshme Çeke, nën kujdesin e Presidencës Çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, me mbështetjen e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).
Pjesë nga fjala e zv.ministrit të Brendshëm Andi Mahila:
Në vijim konkluzioneve, në tre takimet e fundit ministeriale që janë zhvilluar vetëm brenda një periudhe një mujore, shfrytëzoj rastin të konfirmoj edhe njëherë angazhimin e Shqipërisë, për të vijuar dhe thelluar masat për përmirësimin e qeverisjes së migracionit në tërësi, si edhe të aspekteve të caktuara relevante të trajtuara në këtë forum dhe të pasqyruara në Deklaratën e hartuar nga vendet e rajonit.
Qeveria shqiptare është plotësisht e angazhuar për ruajtjen e rritjen cilësore të qëndrueshmërisë së qeverisjes së migracionit, në përputhje me prioritetet kombëtare dhe angazhimet e marra në kuadrin ndërkombëtar, siç është Pakti Global për Migracionin e Sigurtë, të Rregullt dhe të Rregulluar, të cilin Shqipëria e ka nënshkruar. Një tregues i qartë i angazhimit tonë për plotësimin e këtyre detyrimeve është procesi i hartimit të Strategjisë së re Kombëtare për Migracionin dhe Planit të Veprimit. Mbështetja e vazhdueshme që IOM ka dhënë dhe besojmë se do të japë, në proceset tona për qeverisjen e qëndrueshme dhe menaxhimin e migracionit, është e rëndësishme dhe meriton falenderime.
Kontrabandimi i emigrantëve, si një nga mënyrat e kryerjes së migracionit të paligjshëm, për vetë karakteristikat që përmban si fenomen, është një sfidë e përbashkët që duhet ta adresojmë me të gjitha kapacitetet që kemi. Është gjithashtu një sfidë e vazhdueshme, ndaj së cilës mund të arrijmë rezultate vetëm nëse bashkërendojmë përpjekjet tona dhe rrisim cilësinë e mjeteve në dispozicion për ta luftuar si fenomen. Është e rëndësishme të evidentoj se, për ne, niveli i bashkëpunimit me vendet që ne ndajmë kufirin, për çështjet e kontrabandimit të emigrantëve është shumë i mirë. Migracioni është i lidhur me kufirin. Ne mbajmë përgjegjësi për format e migracionit të paligjshme që kryhen në kufirin tonë përkatës. Puna jonë për goditjen e këtij aktiviteti të paligjshëm duhet të bëhet më inteligjente, duke përdorur të gjitha avantazhet e teknologjisë, që nga kontrolli i kufijve e deri tek zbulimi i rrjeteve kriminale që i futin emigrantët në një cikël të pakthyeshëm shfrytëzimi. Në këtë pikë, ne vlerësojmë programin e ardhshëm që Komisioni Europian do të miratojë në Ballkanin Perëndimor për të trajtuar kontrabandimin dhe për të rritur kontrollet tona kufitare duke investuar në më shumë teknologji dhe menaxhim të avancuar të kufijve.
Ne kemi prezent kontrabandim të emigrantëve në kufijtë tanë, pasi përballemi me flukse migratore me origjinë nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës kryesisht, me qëllim të vetëm mbërritjen në vendet e BE-së, Europës Qendrore dhe Perëndimore kryesisht. Si vend tranzit kemi bërë e po bëjmë pjesën tonë për t’i prerë rrugën këtyre lëvizjeve që mobilizojnë krimin e organizuar më pas në të gjithë Europën. Natyrisht nuk jemi vetëm. Prezenca e FRONTEX dhe bashkëpunimi me agjencitë e tjera europianë për forcimin e kontrollit të kufijve kanë dhënë një impakt të lartë dhe janë për ne një histori suksesi.
Shqipëria ka në fuqi që nga viti 2021, ligj të ri “Për të huajt” dhe “Për Azilin”, të cilët i janë përshtatur plotësisht Direktivave respektive të BE-së. Zbatimi i ligjit “Për të Huaj”, lehtëson menaxhimin e migracionit të rregullt dhe luftën kundër migrimit të parregullt; përmirëson e bazën ligjore për të drejtat e të huajve, në drejtim të mbrojtjes së migrantëve dhe anëtarëve të tyre të familjes, refugjatëve, azilkërkuesve; garanton akses në programe dhe shërbime integrimi për të huajt; shton mundësitë e qëndrimit të të huajve në territorin Shqiptar, nëpërmjet kategorive të reja të lejeve të qëndrimit, dhe më kryesorja unifikon në një leje të vetme unike, të drejtën për të qëndruar dhe punuar në territorin e RSH.
Janë ndryshuar, plotësuar dhe përmirësuar dispozitat që i referohen të huajve që vijnë në vendin tonë për qëllime të kërkimit shkencor, studimit, trajnimit, shërbimit vullnetar, skemave të shkëmbimit të nxënësve ose projekte arsimore dhe au pairing, ndryshime që traspozojnë parashikimet e Direktivës (BE) 2016/801 e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit, datë 11 maj 2016, “Për kushtet e hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta për qëllime kërkimi, studimi, trajnimi, shërbimi vullnetar, skema shkëmbimi rinor ose projektesh mësimore dhe punën si “au pair”.
Shqipëria e ka shprehu dhe thekson se, mekanizmi i ripranimit është një bazë e mirë për të trajtuar dhe reduktuar migracionin ilegal. Shqipëria respekton dhe zbaton me përpikmëri marrëveshjen e ripranimit me Bashkimin Europian. Pothuajse me të gjitha shtetet anëtare të BE-së Shqipëria ka të nënshkruara protokolle dypalëshe ripranimi. Jemi në fazën përfundimtare të finalizimin të protokollit të ripranimit me Greqinë. Angazhimi i FRONTEX, edhe në këtë aspekt ka rritur cilësinë, e trajtimit të kërkesave për ripranim dhe kryerjes së operacioneve të ripranimit nga autoriteti ynë i kufirit dhe migracionit. Shqipëria mirëpret ekspertizën dhe asistencën e BE-së në këtë aspekt, dhe kjo jo vetëm për të nënshkruar marrëveshjet që përmenda me lart, porse për të gjetur rrugët dhe implementuar mënyra nëpërmjet të cilave vendet e origjinës së emigrantëve të paligjshëm, të janë të angazhuara për të marrë përgjegjësitë e tyre, duke e theksuar edhe njëherë si shumë të rëndësishëm këtë element. Faleminderit.