Çuçi sqaron pse mungon anëtari i Komitetit Shqiptar të Helsinkit në Komisionin Kombëtar për Azilin: Për më shumë se 3 muaj nuk dhanë asnjë përgjigje, megjithatë mund të marrin pjesë në çdo mbledhje - Ministria e Brendshme
Postuar më: 28/04/2022

Çuçi sqaron pse mungon anëtari i Komitetit Shqiptar të Helsinkit në Komisionin Kombëtar për Azilin: Për më shumë se 3 muaj nuk dhanë asnjë përgjigje, megjithatë mund të marrin pjesë në çdo mbledhje

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, sqaroi sot në Kuvend mungesën e një anëtari të Komisionit Shqiptar të Helsinkit në përbërje të Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët. Ai tha se ligji i ri për Azilin ka përcaktuar që Komisioni Kombëtar për Azilin të përbëhet nga pesë anëtarë dhe jo nga shtatë anëtarë dhe se është një komision ankimi administrativ. Komitetit Shqiptar i Helsinkit nuk ka kthyer përgjigje për një kohë të gjatë tha ministri Çuçi pavarësisht se i është dërguar kërkesa për pjesëmarrje.

Më poshtë fjala e plotë:

Faleminderit zonja Kryetare,
Në lidhje me pyetjen që parashtroi kolegia, më lejoni t’ju sqaroj se ne vjet kemi miratuar ligjin e ri “Për azilin” në Shqipëri. Ky ligj, përveçse është 100% në përputhje të plotë me direktivën përkatëse të BE-së, ka sjellë edhe disa risi shumë pozitive, ku më kryesorja pa diskutim është përfshirja për herë të parë e statusit të mbrojtjes së përkohshme të azilkërkuesve apo personave pa shtetësi që kërkojnë azil; një përcaktim që ka qenë direktivë e BE-së, që mbas luftës së Kosovës por që nuk është aplikuar asnjëherë, as në vendet e BE-së, por që ne i paraprijmë duke e aplikuar për herë të parë në rastin e krizës së refugjatëve afganas dhe që BE-ja po e aplikon për herë të parë në rastin e krizës së refugjatëve nga Ukraina.
Dhe risia tjetër e rëndësishme, se ka disa risi, por po ndaloj vetëm te ato kryesoret, është ndihma juridike që i garantohet nga shteti çdo azilkërkuesi.
Ndër të tjera, është ky ligj që ka përcaktuar që Komisioni Kombëtar për Azilin të përbëhet nga pesë anëtarë dhe jo nga shtatë anëtarë.
Dhe më lejoni t’ju kujtoj që ky është një komision ankimi administrativ, pra është brenda organit administrativ. Në bazë të Kodit të Procedurave Administrative garantohet e drejta e ankimit çdo personi, që preket nga një vendim administrativ, në rastin konkret, nga organi administrativ, që shqyrton lejen për azilin apo për refugjatët. Dhe që në këtë rast është drejtoria brenda Ministrisë së Brendshme.
Dhe në bazë të përcaktimeve që bën ligji, i cili nuk përcakton se çfarë ka në përbërje, është ngritur ky komision me pesë anëtarë.
Tani të vijmë te fakti që pse nuk është më Komiteti Shqiptar i Helsinikit. Megjithëse ligji nuk na detyron dhe megjithëse shumë qartë në bazë të K.Pr.A dhe ligjit “Për Azilin”, Komisioni i Shqyrtimit Administrativ, pra Apeli Administrativ, përbëhet dhe ngrihet brenda organit administrativ, që ka dhënë vendimin, sepse është procedurë brenda organit administrativ, ne prapë, për hir të një tradite që kishim krijuar, duke e pasur në komision, i kemi dërguar Komitetit Shqiptar të Helsnikit.
Ligji është miratuar në shkurt të 2021, në 5 korrik të 2021 i kemi dërguar KShH, një variant të VKM-së ku e kishim përfshirë edhe KShH, dhe nuk kemi marrë përgjigje deri në 29 tetor të vitit 2021. Pra, më shumë se tre muaj pa përgjigje.
Ndërkohë sigurisht duke mos marrë përgjigje nga KShH ne vazhduam me ngritjen e Komisionit, sepse nuk mund të linim pa ngritur Komisionin, dhe gjykuam që jo vetëm KShH por edhe çdo organizatë tjetër që mbron të drejtat e azilkërkuesve apo refugjatëve, të jenë pjesë në çdo mbledhje të Komitetit Administrativ si vëzhgues, edhe për të dhënë opinione drejtpërdrejtë brenda Komisionit Administrativ.
Kështu që u ngrit me pesë anëtarë ky Komision, sipas përcaktimeve që jep ligji, dhe të pesë anëtarët sigurisht përfaqësojnë një aspekt, që lidhet me të drejtat që kanë azilkërkuesit apo refugjatët në Shqipëri. Pra, e drejta e arsimit, kujdesi shëndetësor.
Sigurisht filtri i screening për ta parë nëse këta janë elementë, që përbëjnë rrezik akti terrorist e kështu me radhë.
Kështu që duke mos marrë përgjigje ne vazhduam dhe proceduam me të pesë anëtarët.
Por gjithsesi thashë ju garantoj që në çdo mbledhje, dhe ndërkohë në tre vite janë bërë vetëm 5 mbledhje të tilla, në çdo mbledhje do të jenë përfaqësues jo vetëm të KShH, pro të çdo shoqate, të çdo organizate jofitimprurëse, përfshirë IOM, përfshirë UNHCR, për kur të merret në shqyrtim ankimi për çdo vendim të marrë nga organi administrativ.
Faleminderit!