Çeki/Procesi i Pragës, zv.ministri Mahila: Shqipëria do të vijojë të japë kontribut, duke synuar migrim të ligjshëm e të sigurt - Ministria e Brendshme
Postuar më: 25/10/2022

Çeki/Procesi i Pragës, zv.ministri Mahila: Shqipëria do të vijojë të japë kontribut, duke synuar migrim të ligjshëm e të sigurt

Fjala e zv.ministrit të Brendshëm Andi Mahila, në takimin e mbajtur në kuadër të Procesit të Pragës: 

Më lejoni të shpreh vlerësimin tonë lidhur me parashikimet e këtij Plani, i cili reflekton drejt edhe sugjerimet kryesore të bëra nga vendi ynë gjatë procesit të konsultimit të planit me vendet e Procesit të Pragës, në periudhën Janar-Maj 2021. Plani i Veprimit parashikon një sërë masash të rëndësishme në parandalimin dhe luftën kundër migracionit të parregullt, ku vlerësojmë pozitivisht përfshirjen në plan, të mbështetjes për zhvillimin e fushatave ndërgjegjësuese në vendet e origjinës dhe tranzitit, mbi rreziqet e migrimit të parregullt, duke përfshirë kontrabandën e migrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore, si një nga sugjerimet kryesore të bëra nga vendi ynë gjatë procesit të konsultimit.

Mbështetja e mëtejshme dhe koordinimi ndërmjet platformave përkatëse të bashkëpunimit që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e migracionit të parregullt, siç është Joint Coordination Platform, në përpjekjet e saj për të avancuar kontrollin e migracionit, është një tjetër masë e rëndësishme për ne, duke qenë se vendi ynë ka qenë i angazhuar gjatë procesit të ngritjes së saj, si dhe ka një pikë kontakti nga Policia e Shtetit në këtë platformë. Shqipëria ka përditësuar në vitin 2021 planin e saj kombëtar të kontigjencës duke parashikuar edhe nevojat buxhetore, por në këtë drejtim nevojitet më shumë mbështetje për zbatimin e tij, veçanërisht nga organizatat ndërkombëtare që operojnë në vendin tonë, si dhe nga agjencitë e BE-së.

Promovimi i ripranimit, kthimit vullnetar dhe riintegrimit të qëndrueshëm nëpërmjet promovimit të programeve që synojnë riintegrimin e migrantëve në tregjet e punës në vendet e tyre të origjinës, duke marrë parasysh përdorimin e duhur të aftësive dhe kompetencave të tyre të fituara jashtë vendit, gjithashtu vlerësohet nga ne si një masë mjaft e rëndësishme e këtij plani. Shqipëria mbështet praktikat e saj në kthimin vullnetar duke respektuar të drejtat e imigrantëve, por edhe vlerëson si mjaft relevante politikat e kthimit të shtetasve shqiptarë dhe riintegrimin e tyre në shoqëri, duke garantuar mbështetjen dhe informacionin e duhur për këtë qëllim.

Vendi ynë është duke zbatuar Strategjinë Kombëtare për Migracionin 2019-2022, e cila aktualisht është në vitin e fundit të zbatimit të saj, për këtë qëllim një nga objektivat e ardhshëm në fushën e migracionit është hartimi dhe zbatimi i një dokumenti të ri strategjik kombëtar dhe gjithëpërfshirës. Politika e re migratore do të synojë përmirësimin e mëtejshëm të mekanizmave të ngritur për koordinimin e qeverisjes së migracionit dhe do të ketë në fokus të veçantë çështjet e politikës së kthimeve dhe shërbimet e riintegrimit për shtetasit shqiptarë të kthyer.

Forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit dhe atyre të BE-së, me qëllim shkëmbimin në kohë reale të të dhënave për migracionin, mbetet një sfidë për rajonin e Ballkanit Perendimor.

Mbështetja e mëtejshme, për negocimin, rishikimin dhe zbatimin e duhur të marrëveshjeve dypalëshe për ripranimet, si dhe protokolleve përkatëse, është gjithashtu një masë që ne e kemi rekomanduar në procesin e konsultimit dhe jemi të lumtur që është e pasqyruar në këtë plan, pasi vijon të jetë një nevojë konkrete për strukturat tona përgjegjëse. Promovimi i integrimit të migrantëve që banojnë ligjërisht në shoqëritë e tyre pritëse, mbetet një sfidë e madhe aktuale, duke marrë në kosideratë dhe flukset e reja migratore, masat e Planit të Veprimit adresojnë një sërë çështjesh që mund të bëhen pjesë e programeve kombëtare të integrimit. Shqipëria ka miratuar në fund të vitit 2021 Ligjin e ri “Për të huajt”, i cili përcakton qartë autoritetet kombëtare që duhet të garantojnë integrimin e nevojshëm të të huajve. Gjithashtu kjo çështje është e integruar edhe në planin e veprimit të strategjisë sonë kombëtare për migracionin, ku parashikohet hartimi dhe zbatimi i programeve të përhershme të dedikuara për integrimin.

Forcimi i kapaciteteve në fushën e azilit dhe mbrojtjes ndërkombëtare, mbështetja e mëtejshme me trajnime dhe praktika të mira, për zbatimin e masave të mbrojtjes së përkohshme dhe të drejtave që ajo garanton për personat e zhvendosur, gjithashtu nga ana jonë vlerësohet si prioritet. Në këtë drejtim do të ishte e nëvojshme të kishim më shumë trajnime për praktikat e mira europiane për strukturat e azilit dhe migracionit, veçanërisht për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga mbrojtja e përkohshme.

Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, numri i shtetasve ukrainas që largohen nga vendi i tyre është rritur, siç të gjithë e dimë. Në 7 mars të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi Rezolutën “Për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe mbrojtjen e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe sigurisë europiane”.  Shqipëria është një vend mikpritës në të cilin qasja ndaj të huajve ka qenë historikisht dhe do të vazhdojë të jetë humanizmi.

Siç e dini, pas tërheqjes së forcave të NATO-s nga Afganistani, Shqipëria hapi dyert për shtetas afganë, të cilëve gjithashtu i’u është dhënë mbrojtje e përkohshme, me vendim të Këshillit të Ministrave.

Duke marrë në konsiderate këto situata, si dhe nevojën për një zbatim sa më të mirë të procedurave të mbrojtjes së përkohshme, forcimi i kapaciteteve pritëse dhe krijimi i qendrave të reja pritëse është një prioritet për Ministrinë e Brendshme.

Vendi ynë e vlerëson Procesin e Pragës (PP) si një dialog ndërqeveritar mjaft të rëndësishëm mbi migracionin dhe si një nga proceset kryesore, për forcimin e bashkëpunimit dhe menaxhimin e migracionit, nëpërmjet një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të ekuilibruar që respekton të drejtat dhe dinjitetin njerëzor të migrantëve, refugjatëve dhe anëtarëve të familjeve të tyre.

Shqipëria ka qenë mjaft e angazhuar në procesin rajonal, kjo edhe për shkak se vendi ynë është përballur më herët me flukset e migracionit dhe për këtë qëllim nevojitet një qasje e përbashkët rajonale, për të vijuar në një linjë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera të prekura, në mënyrë që në të ardhmen të gjendemi më të përgatitur.

Forcimi i bashkëpunimit me vendet e BE-së lidhur me marrëveshjet e kthimeve dhe ripranimeve me vendet e origjinës së migrantëve është dhe duhet të jetë dhe në vijim një nga sfidat e përbashkëta. Ngritja e mekanizmave të kthimeve të shoqëruara në këtë drejtim, me politikat e riintegrimit është prioritet për vendin tonë. Vendi ynë ka mbështetur dhe kontribuar në zbatimin e suksesshëm të Bratislava Ministerial Declaration të Procesit të Pragës dhe do të jemi të angazhuar në zbatimin e detyrimeve të tjera që rrjedhin nga ky proces.

Agjencitë e BE-së, organizatat ndërkombëtare dhe vendet anëtare të procesit duhet të jenë të përfshirë ngushtësisht në zbatimin e aktiviteve, por jo vetëm kaq, duhet që këto aktivitete të jenë të prekshme për migrantët, si dhe të promovohen sa më mirë në të gjitha vendet anëtare të procesit, veçanërisht praktikat e mira dhe rastet e suksesit.

Unë ju siguroj, se Shqipëria do të vijojë të japë kontributin e saj në Procesin e Pragës, për të përballuar me sukses edhe në të ardhmen sfidat globale dhe rajonale, duke synuar një migrim të ligjshëm, të kontrolluar dhe të sigurt.