Betimi/Porosia e ministrit Çuçi për kreun e ri të Policisë së Shtetit: Flamuri kuqezi është i vetmi për të cilin ne përulemi - Ministria e Brendshme
Postuar më: 08/09/2022

Betimi/Porosia e ministrit Çuçi për kreun e ri të Policisë së Shtetit: Flamuri kuqezi është i vetmi për të cilin ne përulemi

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e betimit të Drejtorit të ri të Përgjithshëm Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi kishte një mesazh të veçantë për Muhamet Rrumbullakun teksa i dorëzoi simbolet dhe flamurin. Ai i kërkoi atij se i vetmi flamur për të cilin duhet të përulemi është flamuri kombëtar.

“Ju z. Rrumbullaku do të merrni sot në dorëzim flamurin e organizatës. Unë dua të them që ne respektojmë shumë flamuj të vendeve të tjera, dikë më shumë dikë më pak. Në një moment historie mund të ndryshojnë flamujt që respektohen më shumë dhe më pak, por flamuri i vetëm për të cilin ne përulemi të gjithë dhe për të cilin kanë dhënë jetën shumë shqiptarë të mirë, përfshi edhe përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe për të cilin besoj se çdo shqiptar i mirë është gati të jap jetën, është flamuri me shqiponjën me dy krena. Dua t’ju them që këtë gjë mos e harroni në asnjë ditë të punës tuaj.

Jam i bindur që ju do ta realizoni me nder dhe me sukses këtë rrugëtim tuajin në këtë pozicion kaq shumë të rëndësishëm për Policinë e Shtetit dhe për Shqipërinë”, u shpreh Çuçi.

Ministri i Brendshëm vlerësoi Muhamet Rrumbullakun si një oficer policie me integritet të lartë moral e profesional. Ky është momenti që më shumë se kurrë Policisë së Shtetit i duhet një drejtues i tillë, tha ministri.

Mesazhi i plotë i ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi:

Vendim për emërim në detyrë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit: Në mbështetje të ligjit 100 të Kushtetutës, dhe pikës 1 të nenit 13 ligjit 108/2014 për Policinë e Shtetit, të ndryshuar, me propozim të Ministritt të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi: Z. Muhamet Rrumbullaku emërohet drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe i jepet grada Drejtues Madhor. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, dhe botohet në fletoren zyrtare, Kryeministri Edi Rama.

Të nderuar pjesëmarrës,

I nderuar z. Vocaj,

I nderuar z. Rrumbullaku,

Sot bëjmë prezantimin e drejtorit të ri të Policisë së Shtetit. Duhet thënë që drejtori i ri vjen në një moment shumë të rëndësishëm të reformimit të Policisë së Shtetit.

Një proces transformimi që ka marrë kohën e vetë, dhe që në fakt ashtu siç ndodh në një proces transformimi të një organizate kaq të madhe dhe të ndërlikuar siç është Policia e Shtetit, edhe ky proces ka patur oshilacionet e veta.

Unë jam i bindur që momenti ku jemi nuk mund të kishte një personazh më të mirë për ta çuar këtë proces përpara se z. Rumbullaku. Z. Rrumbullaku përveç kritetreve ligjore, që i plotëson për të qenë drejtues, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në gjykimin tim dhe të pothuajse të gjithë njerëzve që unë jam konsultuar, është një nga të paktët oficerë të Policisë që në këto 30 vite ka krijuar një figurë me integritet të lartë moral dhe një figurë me integritet të lartë profesional. Dhe është një nga të paktët oficerë policie, që në pjesën më të madhe të karrierës së tij ka qenë në pozicionet drejtuese dhe këtë integritet e ka patur të qëndrueshëm.

Unë mendoj se ky është momenti që Policisë së Shtetit i duhet më shumë se kurrë një person si z. Rrumbullaku. Unë nuk dua të zgjatem, sepse këto ditë kemi folur reth këtij procesi ndryshimesh në Policinë e Shtetit, po dua të them vetëm një gjë, një mesazh kam për z. Rrumbullaku para se të marrë detyrën. Z. Rrumbullaku ju sot do merni në dorëzim flamurin e organizatës, dhe unë dua të them që ne respektojmë shumë flamuj të vendeve të tjera, dikë më shumë e dikë më pak.

Në një moment historie mund të ndodh që edhe të ndryshohen flamujtë që respektohen më shumë e më pak, por flamuri i vetëm për të cilin ne përulemi të gjithë, dhe për të cilin kanë dhënë jetën shumë shqiptarë të mirë, pëfshirë dhe përfaqësues të Policisë së Shtetit, dhe për të cilin besoj se çdo shqiptar i mirë është gati ta jap jetën, është flamuri me shqiponjën me dy krerë shqiptar. Kështu që dua t’u them që këtë mos e harroni asnjë ditë të punës tuaj, jam i bindur që ju do ta realizoni me nder dhe sukses këtë rrugëtim tuajin, në një pozicion kaq të rëndësishëm në një moment kaq të rëndësishëm për Policinë e Shtetit dhe për Shqipërinë. Faleminderit!

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku:

I nderuar zoti Ministër i Brendshëm,

Të nderuar partnerë,

I nderuar Kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare,

Të nderuar kolegë,

Ndihem i privilegjuar që më është besuar një detyrë kaq e rëndësishme, siç është drejtimi i organizatës më të madhe ligjzbatuese në vend, Policisë së Shtetit. Vlerësimi që më është dhënë më vë përpara sfidave të forta, para jush, opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtarë, që besimin që më dhatë, mbështetur në karrierën time gati 30-vjeçare, ta përkthej, bashkë me kolegët e mi, në angazhim koherent dhe rezultate të prekshme, në nivelin e sigurisë në vend.

Dinamika e ndryshimit të marrëdhënieve njerëzore dhe e shoqërisë në tërësi na imponon evoluimin tonë, pasi besnikëria ndaj parimeve themelore kërkon reagime të shpejta ndaj sfidave të reja, siç janë garantimi i zbatimit të ligjit dhe mbrojtja e qytetarëve, të cilat kërkojnë domosdoshmërisht veprime kolektive të koordinuara, me qëllim që çdo individ të ndihet i sigurtë në vendin e tij.

Përgjegjësia shtohet kur flasim për liritë dhe të drejtat e njeriut. Sot ne jemi në vijim të një rrugëtimi që nuk ka mbarim, rrugëtim që kalon përmes garantimit të lirive individuale. Këto garanci i janë besuar, ndër të tjera, edhe organizatës së Policisë së Shtetit. Ky komponent do të jetë barometri im, për mënyrën se si do të performojë Policia, gjatë periudhës që unë do të jem në drejtimin e saj. Shpresoj që karriera e gjatë drejtuese e menaxhuese prej shumë vitesh në strukturat e Policisë dhe prej afro 4 vitesh, si Drejtor i Përgjithshëm i AMP-së, të më shërbejë për të dhënë kontributin tim në luftën pa kompromis ndaj të gjitha shfaqjeve të kriminalitetit, të korrupsionit, brenda dhe jashtë radhëve të Policisë, për të garantuar integritet të lartë moral e profesional, përkushtim e përgjegjësi në drejtimin e organizatës dhe për krijimin e një klime sa më të sigurtë, që komuniteti të gëzojë lirisht pronën dhe frytet që i vijnë nga puna e ndershme.

Policia ka nevojë për një frymë të re, që e sjell vetëm gjenerata e re e Policisë së Shtetit, harmonizuar në kontributin dhe eksperiencën e vyer të policëve të karrierës, të cilët janë shembull dhe model për çdo brez të ri të punonjësve të Policisë.

Jam i bindur që sot Policia e Shtetit mbart në vetvete të gjitha kapacitetet njerëzore dhe intelektuale, të domosdoshme për funksionimin e shtetit të së drejtës. Mjafton që këto kapacitete të ruhen, të motivohen dhe të promovohen në karrierë, sipas parimit të meritokracisë dhe të dhënies së shanseve të barabarta. Çdo punonjës policie duhet të ndihet komod brenda organizatës, ndaj për këtë do të tentoj të zhbëj çdo ndasi apo privilegj të pamerituar, me qëllim që policimi të shihet si profesion, si karrierë, si përmbushje personale dhe si kontribut në familjen, shoqërinë dhe komunitetin tonë të madh.

Menaxhimi efektiv i burimeve njerëzore, trajnimi, trajtimi dinjitoz dhe promovimi i kapaciteteve njerëzore, do të jenë kryefjala e filozofisë sime të drejtimit, duke shkuar paralelisht me mbikëqyrjen e shumëfishtë, disiplinën dhe respektimin rigoroz të ligjit. Në radhët tona nuk ka vend për punonjës policie pa integritet profesional dhe moral, të inkriminuar apo që bien pre e tundimit të aferave kriminale, por ka vend për zyrtarë policorë që e shohin punën e tyre si mision për komunitetin, si kontribut në ndërtimin e një mjedisi më të sigurtë për fëmijët tanë dhe gur themeli në sigurinë e brezave që do vijnë. Kjo performancë do të synohet të arrihet edhe nëpërmjet edukimit dhe trajnimit të vazhdueshëm të personelit në të gjitha nivelet e Policisë. Jam i vendosur për të luftuar pa kompromis dhe për të goditur fenomenet e paligjshmërisë, në përpjekjen e pandalshme për të ndërtuar një trupë policore profesionale dhe me integritet të lartë.

Uniforma e çdo punonjësi police nuk është thjesht një veshje, por një simbol i korrektësisë, i sakrificës sublime dhe jetës së pakursyer në luftën e përhershme me krimin.

Objektivat dhe prioritetet kryesore në drejtimin e Policisë së Shtetit do të jenë:

1. Reformë e thellë ligjore, arsimore, funksionale e strukturore në të gjitha nivelet e organizimit të organizatës së Policisë së Shtetit.

2. Rialokim i burimeve dhe potencialeve njerëzore, në funksion të formave, tendencave dhe shtrirjes së kriminalitetit, si:

  • Riorganizime strukturore vendore dhe qendrore, për të rritur evidencën investigative, dokumentuese dhe goditëse ndaj formave të organizuara të shfaqjes së kriminalitetit;
  • Analizë e thelluar në të gjitha nivelet e organizimit strukturor e funksional të organizatës, për të gjitha mosrealizimet e pritshmërive në luftën kundër krimit të organizuar, në të gjithë format e shfaqjes së tij;
  • Analizë e thelluar në të gjitha nivelet e strukturave mbi paligjshmëritë, abuzimin me detyrën, veprimet korruptive, implikimin e punonjësve në veprimtari kriminale, dekonspirimet e operacioneve policore, evidentimin e përgjegjësive dhe përcaktimin e masave profilaktike dhe ndëshkimore në këtë drejtim;
  • Rivlerësim i kontributeve dhe aftësive profesionale të punonjësve të Policisë, të aftë për të progresuar dhe kontribuar në rezultate konkrete;
  • Vlerësim real në lidhje me tendencën në rritje të krimit kibernetik, rishikimin e strategjisë sektoriale dhe ngritjen e strukturave në përshtatje me këto dukuri;
  • Vendosjen e inteligjencës kriminale në qendër të çdo veprimtarie policore, me synimin e vetëm, atë të dhënies prioritet hetimeve proaktive;
  • Lufta kundër krimit ekonomiko-financiar dhe pastrimit të parave;
  • Krijimi i një klime sa më pozitive dhe ambienti sa më bashkëpunues, mbi bazën e mirëbesimit me struktura ligjzbatuese në vend, organet e procedimit dhe partnerët ndërkombëtarë.

3. Riorganizimi dhe rritja e kapaciteteve monitoruese të territorit dhe policimit në komunitet ndaj fenomeneve të dukshme:

  • Krijimi i rrethanave dhe qasjeve të reja në aspektin monitorues të territorit, nëpërmjet prezencës pa uniformë, me qëllim rritjen e evidentimit dhe produktivitetit dokumentues ndaj fenomeneve që cenojnë sigurinë në mjedis;
  • Reduktimin e ndjeshëm të kontakteve njerëzore, nëpërmjet uljes së prezencës së shërbimeve të shtuara të menaxhimit të trafikut urban e interurban, në të gjithë territorin e vendit, dixhitalizimin e këtij shërbimi, ofrimin e pajisjeve teknologjike për evidentimin e shkelësve dhe goditjen e paligjshmërive nga të gjithë përdoruesit e rrugës;
  • Përdorimi i teknologjisë për monitorim në zonat urbane dhe jourbane, që do t’i shërbejë jo vetëm informimit, por dhe dokumentimit të veprimtarive që konsiderohen në shkelje të dispozitave ligjore administrative dhe penale;
  • Krijimi i një koncepti të qartë strategjik dhe afatgjatë në lidhje me parandalimin e krimit, organizime strukturore dhe partneriteti, duke iu referuar rrethanave, faktorëve dhe kushteve të mjedisit tonë.

4. Ndërtimi marrëdhënies me komunitetin, si partneri ynë kryesor në luftën kundër paligjshmërisë, në të gjitha format e shfaqjes së saj:

  • Rritja dhe forcimi i besimit reciprok polici – komunitet;
  • Hartimi i strategjive, për të bërë të mundur krijimin e një mjedisi të sigurtë për bashkëpunimin me qytetarin.
  • Përfshirja dhe bashkëpunimi me aktorë dhe faktorë të tjerë, grupe interesi, përfshirë edhe pushtetin vendor, për krijimin e një klime sigurie sa më të lartë për komunitetin;
  • Dhe së fundi, por jo për nga rëndësia, ndërtimi i një marrëdhënieje të hapur dhe transparente me median, si element kyç jo vetëm për realizimin e misionit të saj, informimin e publikut, por dhe si një partner me efekt përmirësues dhe korrigjues ndaj çdo veprimtarie që kryen organizata e Policisë.

Asnjë arritje nuk është e mundur në mënyrë individuale, por gjithmonë është produkt i një bashkëpunimi të vyer, prandaj theksoj se përmbushja e misionit të shenjtë të Policisë së Shtetit nuk do të jetë kurrsesi e mundur pa kontributin dhe eksperiencën e paçmuar të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët gjithmonë inspirojnë me modelet më të mira të demokracisë. Në asnjë luftë nuk shkohet i vetëm! Asnjë betejë nuk fitohet vetëm! Të gjithë bashkë do t’ia dalim! Unë personalisht e shoh si një sfidë institucionale!

I nderuar zoti Ministër,

Ju falënderoj juve, Kryeministrin dhe qeverinë shqiptare, për besimin që më dhatë. Çdo përpjekje e imja do të synojë përmbushjen e objektivave qeverisëse dhe atyre të sipërcituara.

Faleminderit të gjithëve dhe me besimin në Zot dhe në ligj, ju uroj punë të mbarë!