Qendra e përbashkët policore dhe doganore në Kakavijë dhe lufta kundër krimit të organizuar, Çuçi takon homologun grek në Athinë: Moment i mirë mes Shqipërisë dhe Greqisë, të intensifikojmë bashkëpunimin
Në kuadër të vizitës në Greqi, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, zhvilloi sot një tjetër takim me ministrin për Mbrojtjen e Qytetarit, Panagiotis Theodorikakos, i cili mbulon edhe çështje që lidhen me sigurinë dhe policinë.
“Diskutuam sot në Athinë për bashkëpunimin policor mes dy vendeve tona, për luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Kemi kaluar nga faza e shkëmbimit të informacionit në atë të hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta, çka dëshmon për nivelin e lartë të besimit mes policisë së të dy vendeve. Por sidoqoftë ka ende hapësirë për të intensifikuar bashkëpunimin e ngushtë dyaplësh”, shprehet ministri Çuçi.
Një pikë tjetër e diskutimit mes dy ministrave ishte edhe qendra e përbashkët e bashkëpunimit policor dhe doganor që do të hapet së shpejti në Kakavijë.
“Kjo qendër është një instrument tjetër që do t’i shërbejë të dy vendeve tona dhe sigurisë së rajonit në tërësi”, thotë ministri Çuçi.
Dy ministrat kanë folur gjithashtu edhe për mundësinë e trajnimeve të përbashkëta të policisë së dy vendeve për çështje që lidhen me krimet ndërkufitare dhe emigracionin e paligjshëm.
Athinë – “Një tjetër takim shumë i mirë në Athinë me ministrin e Brendshëm, Makis Voridis, me të cilin diskutuam për sfidat e përbashkëta të qeverisjes vendore në dy vendet tona dhe thellimin e bashkëpunimit për të përfituar prej programeve të Bashkimit Europian në fusha të ndryshme. Sidomos bashkitë tona në zonën kufitare me Greqinë duhet ta shfrytëzojnë këtë potencial për investime publike apo përmirësim të shërbimeve ndaj qytetarëve. Si vend i BE Greqia ka një përvojë të çmueshme në këtë drejtim. Ministritë e Brendshme të të dy vendeve do të lehtësojnë në maksimum procesin dhe do të ofrojnë të gjithë asistencën e nevojshme”, shkruan ministri Çuçi në rrjetet sociale pas takimit me ministrin e Brendshëm të Greqisë.
Athinë – Gjatë vizitës zyrtare në Greqi, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi u takua në ambasadën shqiptare në Athinë me përfaqësues të disa shoqatave të komunitetit shqiptar që jetojnë e punojnë në vendin fqinj.
“Janë grupime tejet aktive në adresimin e problemve me të cilat ndeshen shqiptarët. Komunikimi i shpeshtë krijon premisa për të identifikuar çështjet që duhen adresuar për zgjidhje tek autoritetet greke, por edhe tek shteti amë, qofshin ato çështje të mbartura nga e kaluara apo të krijuara së fundi. Mes rreth 300 shërbimeve që ne ofrojmë online përmes #eAlbania përfitojnë gjithashtu edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Sidoqoftë ka ende probleme për të cilat ne po bashkërendojmë punën me palën greke për t’i rregulluar. Dhe sigurisht që nuk do të rreshtim së kërkuari konsensusin brenda vendit tonë me opozitën, për t’u mundësuar më në fund emigrantëve të drejtën e votës aty nga ku banojnë. Për kaq shumë sa ata kontribuojnë e kanë dhënë ndër vite për Shqipërinë, kemi detyrimin e përbashkët e të vazhdueshëm për t’iu gjendur pranë 🇦🇱🤝🇬🇷”, shkruan ministri në rrjetet sociale pas takimit.