Ministri Çuçi vizitë zyrtare në Athinë, takohet me ministrin grek të Migracionit dhe Azilit: Menaxhimi i flukseve migratore nga Lindja e Mesme dhe Afrika një sfidë e përbashkët
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi po zhvillon një vizitë zyrtare në Greqi. Ditën e sotme është takuar me ministrin për Migracionin dhe Azilin, Notis Mitarachi.
“Diskutova për çështje të ndryshme që prekin emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi si komuniteti më i madh i të huajve në shtetin helen dhe me një kontribut të madh në ekonominë vendase dhe rol të jashtëzakonshëm në afrimin e dy popujve tanë”, shprehet ministri.
Temë tjetër e diskutimit kanë qenë edhe flukset migratore që vijnë prej vendeve Afrikës apo Lindjes së Mesme.
“Si portë hyrësë për në BE, Greqia përballet e para me këto flukse dhe realisht ka mbajtur një peshë të madhe, ndërsa Shqipëria si vend tranzit bën pjesën e vet për t’i prerë rrugën këtyre lëvizjeve që mobilizojnë krimin e organizuar. Misioni FRONTEX dhe bashkëpunimi me palën greke për forcimin e kontrollit të kufijve kanë dhënë një impakt të jashtëzakonshëm”, thotë ministri Çuçi.
Në vijim të takimit ai tha se Shqipëria mirëpret gjithashtu ekspertizën e lartë greke në përgatitjen e planeve të kontigjencës dhe zbatimit të programeve të BE për emigrantët.
Çuçi risolli në vëmendje të ministrit grek të Migracionit dhe Azilit qasjen e Shqipërisë për dhënien e statusit të mbrojtjes së përkohshme sipas direktivës së BE-së për shtetasit afganë që lanë vendin e tyre, por edhe për ukrainasit që detyrohen të largohen për shkak të luftës.
5 prill, prill Athinë – “Me kryebashkiakun Kostas Bakoyannis patëm një takim shumë të mirë për të ndarë pikëpamjet tona mbi qeverisjen lokale, politikat publike, decentralizimin dhe organizimin e pushtetit vendor. I tregova për impaktin e reformës administrative dhe territoriale që ne ndërmorëm, reformë që pati gjithashtu si vlerë të shtuar edhe krijimin për herë të parë të bashkive të reja ku jeton minoriteti grek në vendin tonë. Athina është po ashtu një kryeqendër edhe për shumë e shumë shqiptarë që punojnë dhe janë integruar këtu prej vitesh. Bashkë me Tiranën përbëjnë dy pole graviteti të miqësisë së rrënjosur thellë tek të dy popujt tanë. Të shohim përpara nga e ardhmja duke shtuar urat e komunikimit dhe të bashkëpunimit në të gjitha nivelet”, shkruan ministri i Brendshëm në rrjetet socialae pas takimit me kryetarin e Bashkisë së Athinës.