Arsyet përse duhet shtyrë afati kohor për shqyrtimin e dosjeve të referura nga Policia në SPAK dhe Gjykatën e Posaçme, në Aktin Normativ për OFL - Ministria e Brendshme
Postuar më: 28/01/2021

Arsyet përse duhet shtyrë afati kohor për shqyrtimin e dosjeve të referura nga Policia në SPAK dhe Gjykatën e Posaçme, në Aktin Normativ për OFL

Arsyet përse duhet shtyrë afati kohor për shqyrtimin e dosjeve të referura nga Policia në SPAK dhe Gjykatën e Posaçme, në Aktin Normativ për OFL

Fjala e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi në seancën parlamentare – VIDEO:

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,

Të nderuar deputetë,

Aktin Normativ që po sjellim për miratim sot, parashikon thjesht dhe qartë shtyrjen e afatit për veprimtarinë e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për të gjithë dosjet e referuara nga Operacioni Forca e Ligjit, përgjatë vitit 2020.

Dua të them që në fillim, duhet të jetë e qartë, kjo shtyrje nuk parashikon shtyrjen veprimtarisë së OFL. Ajo është mbyllur në 31 Dhjetor 2020. Por në interpretim të ligjit që krijoi OFL, rrezikonin që dosjet që gjykoheshin nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme mund dhe do të gjykoheshin dhe transferoheshin në Gjykatat e Rrethit për arsye të humbjes së kompetencës lëndore, që vinte me shuarjen e efekteve të ligjit të krijimit të OFL. Me këtë ndryshim nuk bëmë gjë tjetër veçse i shtymë afatin për shqyrtimin e dosjeve të çuara gjatë 2020, nga OFL në SPAK dhe Gjykatën e Posaçme, në mënyrë që të gjithë këto dosje të përfundojnë procesin e hetimit dhe gjykimit.

Operacioni Forca e Ligjit, si pjesë thelbësore e operacioneve të Policisë kundër krimit të organizuar dhe aseteve kriminale, pati një efekt mjaft të ndjeshëm në uljen e kurbës së krimit dhe korrupsionit në vend. Rezultatet e arritura nga ky operacion i gjerë, do të mbeten në historinë e këtij vendi, si një moment kulmor i forcës goditëse kundër botës kriminale.

Në thelbin e tij, OFL synon heqjen e pasurive nga duart e krimit dhe ri-alokimin e tyre në shërbim të komunitetit dhe të institucioneve. Në vlerësimin tonë, ky operacion po ia arrin qëllimit për të cilin u kërkua dhe Akti Normativ, rreth një vit më parë. Ky operacion u vu në gjurmimin e pasurive të deklaruara apo të fshehura të personave të dënuar apo të proceduar për vepra penale, në fushën e krimeve të rënda, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Sot jemi në situatën kur mund të bëjmë një vlerësim të përgjithshëm të këtij operacioni “sui generis” për vetë natyrën dhe efektet e tij. Rastet e bujshme janë të shumta, por më lejoni t’ju ilustroj kujtoj vetëm rastin e një shtetasi tashmë të dënuar për krime të rënda. Me vendim të Komitetit për Masat kundër Krimit të Organizuar, vetëm një ditë më parë prona e konfiskuar me vendim gjykate ndaj këtij shtetasi, iu kalua në pronësi të Komisariatit të Policisë të Lushnjës.

Një ndër qëllimet e OFL është përçimi i mesazhit të fortë drejt botës së krimit, se sado të përpiqen të fshihen, pasuritë nuk do t’i gëzojnë dot, pasi do të vijë dita që do të konfiskohen dhe kthehen në shërbim të publikut. Shënjestra e këtij operacioni, e ritheksoj, janë pasuritë e krijuara nga krimi i organizuar.

Nga të dhënat e OFL, rezulton se në harkun e 11 muajve, pra nga data e nisjes zyrtare të operacionit e deri në mbylljen e tij, ditën e fundit të vitit, janë referuar në SPAK 243 dosje, për 1.877 pasuri me burim të dyshimtë. Ato përfshijnë emrat e 255 personave, subjekte të këtij ligji.

Nga këto referime, Gjykata e Posaçme ka dhënë vetëm 105 vendime, për 641 pasuri, deri në datën 31 dhjetor. Ndër to, 314 janë pasuri të paluajtshme, 224 pasuri janë të luajtshme, 98 aktivitete tregtare dhe 5 llogari bankare.

Arsyeja pse kërkojmë miratimin e këtij akti, është pikërisht kjo, që Gjykata e Posaçme dhe SPAK të vazhdojë të japë dhe të mbyllë të gjithë proceset që janë hapur të funksion dhe në zbatim të ligjit për OFL dhe të marrë vendim për 1877 pasuritë me burim të dyshimtë. Ju ftoj që ta miratojnë këtë akt, kaq të rëndësishëm për vazhdimin e forcës goditëse që vjen si rezultat i një operacioni super të suksesshëm, si ai i OFL në 2020. Faleminderit.