Adresa Ime/Çuçi mbledh drejtuesit e pushtetit vendor: Vetëdeklaroni adresën online. Pa një adresë të saktë përjashtoni veten nga shërbimet publike - Ministria e Brendshme
Postuar më: 22/11/2021

Adresa Ime/Çuçi mbledh drejtuesit e pushtetit vendor: Vetëdeklaroni adresën online. Pa një adresë të saktë përjashtoni veten nga shërbimet publike

Shërbimi elektronik “Aplikim për saktësim të vendbanimit” u mundëson qytetarëve shqiptarë të saktësojnë adresën e tyre.

Hapat e procedurës – KLIKO

Regjistrimi dhe saktësimi i adresave, Ministri Çuçi mbledh drejtuesit e pushtetit vendor: Vetëdeklaroni adresën online. Pa një adresë të saktë, përjashtoni veten nga shërbimet publike

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, mblodhi sot në një takim kryetarët e bashkive, prefektët dhe përgjegjësit e zyrave të gjendjes civile në mbarë vendin, për t’i kërkuar përfshirjen e tyre në procesin e regjistrimit dhe saktësimit të adresave të banimit. Në nisje të një fushate ndërgjegjësimi për qytetarët, por edhe të një detyrimi ligjor për të vendosur një raport mes shtetit dhe qytetarit përmes adresës së saktë, Çuçi tregoi dy mënyrat se si mund të regjistrohet adresa.

“Është një proces i lehtë dhe i thjeshtë që kërkon fare pak kohë. Kudo ndodheni e në çdo kohë mund të aplikoni online nëpërmjet portalit “e-Albania” ose duke shkuar vetë në zyrat e Gjendjes Civile në bashkinë ku banoni. Bashkitë duhet të kenë një rol proaktiv në këtë drejtim dhe t’i nxisin qytetarët të regjistrojnë adresën e banimit. Duhet t’i krijojnë të gjithë kushtet për finalizimin e këtij procesi tejet të rëndësishëm për të gjithë”, tha ministri Çuçi.

Regjistrimi dhe saktësimi i adresës iu jep akses qytetarëve në shumë shërbime publike tha ministri Çuçi, prandaj është e domosdoshme që qytetarët që s’kanë ende një adresë të deklaruar dhe të verifikuar të përfshihen në këtë proces.

“Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të regjistrojnë një adresë të saktë banimi si detyrim karshi raportit që duhet të kenë me shtetin dhe si një parakusht i domosdoshëm për të përfituar shërbimet publike dhe për të shmangur çdo penalizim. Në finale të këtij procesi që do të vazhdojë përtej kësaj fushate ndërgjegjësimi, Regjistri Kombëtar i Adresave idealisht do të jetë burimi i vetëm i saktë dhe i përditësuar për të ditur më në fund  se kush banon ku”, tha ministri Çuçi.

I pranishëm në takim ishte edhe ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Adrian Maître. Fushata e ndërgjegjësimit për vetëdeklarimin e adresës mbështetet nga projekti “Bashki të Forta”, financuar nga zvicerianët.

Saktësimi i adresave sjell përfitime edhe për vetë bashkitë për zbatimin e politikave të ndryshme dhe ofrimin e shërbimeve publike.  Aktualisht janë rreth 750 mijë familje që kanë një adresë të saktë sipas sistemit të unifikuar të adresave me të 8 elementët përbërës. Bashkitë me numrin më të ulët të adresave të sakta janë: Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra dhe Vlora. Por fenomeni është i përhapur gjerësisht edhe në bashkitë e tjera. Ministria e Brendshme, pushteti lokal dhe gjithë aktorët e tjerë të përfshirë në këtë proces do të punojnë për të pasur një sistem të identifikueshëm dhe lehtësisht të referueshëm nga kushdo që do të orientohet në vendin tonë.

Më poshtë, fjala e plotë e Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi:

Mirëdita të gjithëve dhe mirë se keni ardhur në këtë takim që mbahet për të nisur një fushatë, edhe njëherë, për një problem shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me sistemin e adresave në Shqipëri.

Këtu jemi pak a shumë të gjithë aktorët e rëndësishëm, që duhet që të koordinojmë punën  për t’i vendosur çdo shtetasi shqiptar një adresë të saktë dhe unike, sikundër dhe agjencitë të cilat e zbatojnë  dhe e kanë të domosdoshme për funksionimin e tyre që çdo shqiptar të ketë një  adresë unike.

Është një proces në fakt që ka krijuar pështjellimin e vet problematik që mbas viteve ‘90. Jemi të gjithë koshientë që të gjithë ndryshimet e mëdha demografike që ndodhën mbas viteve ‘90, lëvizja kaotike e njerëzve, ndërtimet pa leje, lëvizja nga fshati në qytet e pa kontrolluar nga institucionet shtetërore, kishte krijuar, – e them kishte sepse  gjithsesi do shohim që kemi filluar ta përmirësojmë në mënyrë të ndjeshme këtë problematikë, – pra kishte krijuar një sistem kaotik të adresave të shtetasve shqiptarë. Madje ishte krijuar një sistem kaotik të regjistrimit të shtetasve shqiptarë, gjë që ne tashmë e kemi rregulluar nëpërmjet një regjistri, pra Regjistrit Kombëtar.

Ne kemi filluar procesin e disiplinimit, pa diskutim, të adresave të shqiptarëve. Kemi bërë një proces së bashku me një agjenci siç është OSHEE-ja, ku kemi evidentuar çdo ndërtesë në Republikën e Shqipërisë dhe i kemi vendosur një adresë, e cila ka gjeneruar si rezultat i një sistemi unik të krijuar dhe tani nuk na mbetet gjë tjetër, veçse këtij sistemi të adresave të vendosur tashmë në hartë dixhitale, ne duhet t’i bashkëngjisim familjet apo shtetasit shqiptarë.

Ky proces, në fakt ka filluar dhe sot ne numërojmë rreth 750.000 familje, të cilat e kanë një adresë të saktë në Republikën e Shqipërisë, një adresë e cila ka 8 komponentë dhe i takon çdo shtetasi shqiptar, një adresë unike. Mirëpo, jemi akoma larg, sepse duhet që të gjithë shtetasit që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të shtetasve, të gjithë shqiptarët, duhet ta kenë një adresë.

Sot,  akoma për fat të keq, ne vëmë re në dokumentet zyrtare, siç janë dokumentet apo vërtetimet e pronësisë të lëshuara nga kadastra, apo fletë thirrje gjykatash, apo fatura dritash e uji, për fat të keq gjejmë adresa të tipit: rruga, pallati jeshil, tek “Eleonora” apo rruga te “Brryli ” apo rruga te pallati në hyrje të “tregut elektrik”, e kështu me radhë. Pra, ende sot ne nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë proces.

Prandaj kemi nisur si Ministri e Brendshme që më në fund t’i vëmë pikë këtij problemi, që çdo shqiptar të identifikohet me një adresë me 8 elementë përbërës, dhe këtu na duhet përfshirja e të gjithëve.

Na duhet përfshirja e institucioneve përgjegjëse dhe këtu rol kryesor luajnë zyrat e gjendjes civile dhe bashkitë, që janë aktori kryesor në këtë proces, përfshirja e vetë qytetarëve, të cilët duhet të ndërgjegjësohen që të marrin pjesë në verifikimin apo saktësimin e adresave të tyre dhe përfshirja e të gjithë aktorëve të tjerë që janë të interesuar për të pasur çdo shtetas shqiptar, një adresë të identifikueshme dhe unike.

Këto janë elementët që sot ne i kemi për 750.000 familje në Shqipëri, dhe këto janë elementët që përbëjnë adresën unike sot në Shqipëri dhe këto duhet të jenë elementët që çdo shqiptar duhet të ketë deklaruar për adresën e tij: emri i rrugës, numri i godinës, numri i hyrjes së pallatit, numri i banesës në pallat, njësia administrative apo njësia bashkiake, me kodin postar.

Dua t’ju them që në hartë, në regjistrin që ne kemi të adresave të krijuar së bashku me OSHEE, nëpërmjet një procesi të shkuarjes derë më derë dhe evidentimit të çdo ndërtese në Shqipëri, ne sot e kemi një adresë të tillë për çdo banesë në Shqipëri. Pra çdo banesë në Shqipëri, e ka këtë adresë.

Ajo që nuk kemi akoma, pra ajo që kemi vetëm për 750.000 familje, është pikërisht që kjo adresë t’i bashkëngjitet një familjeje shqiptare, që është detyrim, në fund të fundit, i çdo shtetasi që ta ketë këtë gjë dhe është detyrim në fund të fundit për çdo bashki dhe për çdo zyrë të gjendjes civile që t’ia vendosi çdo shtetasi shqiptar.

Për këtë qëllim, fillojmë sot një fushatë tjetër tashmë, për ta përmbyllur këtë proces, i cili ka qenë në fakt një gangrenë. Për këtë qëllim kemi vendosur sistemin e verifikimit dhe saktësimit të çdo adrese për çdo shqiptar nëpërmjet portalit e-albania. Pra çdo shqiptar mundet lehtësisht nëpërmjet portalit e-albania, online, nga shtëpia apo kudo që ndodhet, me një proces fare të lehtë, që nuk zgjat më shumë se një minutë, verifikon nëse ka një adresë apo jo! Dhe jo vetëm kaq, por në këtë proces, nëse verifikon që nuk e ka një adresë të saktë me 8 elementët, sipas sistemit të ri të adresave, vetë ai mund ta regjistrojë në Regjistrin Kombëtar të Adresave nëpërmjet portalit e-albania. Pra është një proces shumë i thjeshtë.

Tashmë ne kemi një eksperiencë të shërbimeve dixhitale apo shërbimeve online nëpërmjet portalit e-albania, një eksperiencë jashtëzakonisht e suksesshme, dhe, në këtë portal, shtohet edhe një shërbim tjetër, që është pikërisht saktësimi i adresave, që bëhet nga vetë shtetasit, nga vetë qytetarët.

Pra, një veprim i thjeshtë. Ti shikon nëse ke apo nuk ke adresë, e cila të del menjëherë në certifikatë, pra ku shtetasi hyn dhe nëpërmjet numrit ID hyn në portalin e-albania, lexon certifikatën e vet, e sheh që aty mungon adresa, pastaj do ta shpjegojë më vonë Drejtori i Regjistrit Kombëtar Civil që kemi në ministri, se si bëhet ky verifikim, por për t’ua thënë në vija të përgjithshme që çdo shtetas, duke hyrë në e-albania, mund të saktësojë adresën e vet. Dhe mund ta gjejë nga Regjistri Kombëtar i Adresave, banesën ku ai ndodhet dhe e saktëson në regjistër vetë.

Pastaj është procesi i Gjendjes Civile, që bën një proces verifikimi dhe shtetasi ka të regjistruar tashmë në Regjistrin Kombëtar të Shtetasve një adresë unike. Është një proces shumë i rëndësishëm, shumë i thjeshtë për t’u ndjekur, nga kushdo, por kërkon angazhimin qytetar, 2 minuta, jo më shumë, të çdo shtetasi shqiptar, për ta bërë këtë proces, në mënyrë që të gjithë shqiptarët të kemi një adresë.

Gjithashtu në këtë proces, ne do të vazhdojmë t’i mbajmë të hapura zyrat e gjendjes civile, për këdo, që nuk ka mundësi të aksesojë online, apo të përdorë teknologjinë. Shumë kollaj mund të shkojë në zyrat e gjendjes civile dhe e bën verifikimin drejtpërdrejt, jo më shumë se 5 minuta, në zyrat e gjendjes civile të adresës unike.

Kështu që besoj se tashmë me angazhimin e të gjithëve ne duhet të bëjmë të mundur që çdo shqiptari t’i vendosim më në fund një adresë, dhe këtu pa diskutim  që pushteti lokal, bashkitë, kanë një rol të jashtëzakonshëm.

Këtu duhet që bashkitë edhe nëpërmjet të gjithë shërbimeve që kryejnë, jo vetëm në zyrat e gjendjes civile, duhet të nxisin qytetarët duke pasur përpara tavolinave të punës, të gjithë qytetarët  që akoma nuk kanë një adresë, duhet t’i nxisin që të shkojnë, deklarojnë dhe të verifikojnë adresën për t’u vendosur përfundimisht  adresën çdo shtetasi, adresën sipas sistemit të adresave. Pa diskutim çdo shtetas duhet ta ketë një adresë për shumë arsye.

E para njëherë, të gjitha lidhen me shërbimet, me marrëdhënien që qytetari ka me shtetin, bashkinë apo me zyrat e qeverisë.

Nëpërmjet shërbimit postar, ku ne kemi marrëdhënien me sistemin gjyqësor, me sistemin arsimor për regjistrimet e fëmijëve në shkolla, me sistemin bankar, me sistemin fiskal, aty ku paguajmë taksat.

Së dyti, shërbime të gjendjes civile, certifikatë personale, regjistrim lindjeje, certifikatë martese, të gjitha këto shërbime kërkojnë që shtetasi të ketë një adresë, sipas sistemit të adresave, një adresë unike, të identifikueshme.

Apo shërbime publike, ku sigurisht shërbimi i emergjencës mjekësore apo i mbrojtjes nga zjarri apo çdo lloj emergjence tjetër, qoftë edhe situata në të cilat kërkohet ndërhyrja e policisë. Është shumë kollaj kur ka një adresë të saktë për t’i dhënë kujtdo ndihmë, kujt i kërkohet, në mënyrë që të identifikohen menjëherë dhe ky shërbim t’i vijë në kohën më të parë të mundshme. Por në këtë proces sigurisht ne do t’i vëmë një pikë, do të ketë një fund. Dhe për këtë kërkohet angazhimi  i të gjithëve, sepse do të vijë një moment, shumë shpejt, që të paktën shërbimet që ofrohen nga ne, nga shërbimi i gjendjes civile, nga bashkitë, të mos ofrohen pa saktësuar adresën shtetasi.

Çfarë dua të them me këtë? Dua të them që, nëse një shtetas do të kërkojë të marrë një certifikatë, jo shërbim të komplikuar, një certifikatë, të cilën sot e merr online pa diskutim, nuk do ta marrë më, nëse ai nuk saktëson, verifikon dhe konfirmon adresën sipas sistemit unik.

Kështu do ta shtrijmë edhe për shërbime tjera këtë detyrim, sepse i gjithë ky proces, kaq i rëndësishëm për marrëdhënien e shtetasit me shtetin, të përfundojë dhe t’i vëmë më në fund një pikë. Pasi të jenë saktësuar adresat, do të lidhet me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Te Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile kur shfaqet, ashtu siç jepen të gjitha të dhënat, emër, mbiemër, atësi, mëmësi, datëlindje etj., te rubrika adresa, do jetë automatikisht, mbasi përfundon ky proces, automatikisht inkorporohet, përfshihet, edhe adresa, edhe në certifikatë do të ketë adresën e saktë çdo shtetas shqiptar.

Kjo është një adresë e saktë dhe kështu do të jetë certifikata; dhe kështu është në fakt certifikata për 750 familje, sot që flasim, por ne duhet ta përmbyllim për të gjithë shtetasit shqiptarë. Me kodin, pra është rruga dhe pastaj, Nd.1, H.2, Ap.12, kodi 1019, kodi postar; me këtë adresë identifikohet çdo shtetas shqiptar, lehtësisht dhe çdo referencë, qoftë edhe të natyrës dixhitale kur merr shërbime apo kur kërkon shërbime, me këtë adresë është lehtësisht e identifikueshme, pra çdo person është lehtësisht i identifikueshëm.

Unë kërkoj, në radhë të parë, nga të gjithë ju që jeni këtu, nga kryetarët e bashkive, nga zyrtarët, punonjësit e gjendjes civile, një angazhim maksimal që ne ta përmbyllim më në fund këtë proces kaq të rëndësishëm për funksionimin e shtetit.

Por, kërkoj gjithashtu, edhe nga qytetarët që t’i kushtojnë vetëm 2 minuta kohë, nga koha e tyre e rëndësishme, për të vendosur një marrëdhënie korrekte dhe në fund të fundit, për të kryer një detyrim qytetar, një detyrim ligjor, që të saktësojë adresën e tij atje ku banon. Sepse, shumë shpejt, siç e thashë, ne do ta kushtojmë këtë proces me dhënien e shërbimeve.

Por nuk duam që të arrijmë në atë pikë, sepse besojmë se shqiptarët e kanë atë koshiencë qytetare që t’i kushtojnë 2 minuta angazhimit të tyre qytetar për të vendosur një marrëdhënie sa më të saktë me shtetin e tyre.

Ju faleminderit dhe besoj që do kemi një fluks të shtuar në ditët që vijnë, për sa i përket këtij procesi. Sot është vetëm hapja e kësaj fushate. Ne do ta shtrijmë këtë fushatë në të gjithë Shqipërinë. Kërkoj edhe pjesëmarrjen tuaj si kryetarë bashkie për të bërë punën tuaj, në bashkitë tuaja dhe me shpresën që në harkun e pak muajve ne të kemi pajisur të gjithë shqiptarët me një adresë unike fikse, sipas një sistemi që tashmë ne e kemi krijuar. Faleminderit!