50-vjetori i Akademisë së Sigurisë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 20/12/2021

50-vjetori i Akademisë së Sigurisë

50-vjetori i Akademisë së Sigurisë – Fjala e zv.ministrit të Brendshëm Julian Hodaj:

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i PSH,

I nderuar Rektor i Akademisë së Sigurisë,

I nderuar Kryetar i Komisionit të Sigurisë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,

Të nderuar kolegë, ish pedagogë dhe pedagogë të Akademisë,

Të nderuar miq,

Për mua është privilegj të mund të flas këtu sot në këtë ditë jubilare për Akademinë, dhe do të doja ta nisja këtë përshëndetje në kremtimin e 50-vjetorit të arsimit të lartë policor, me një falënderim për brezat e personalitetet, të atyre që kontribuuan ndër vite për këtë institucion, të atyre që e krijuan dhe hodhën bazat e këtij institucioni, dhe shumë prej tyre që janë edhe këtu sot, të atyre që insistuan fort dhe punuan shumë fort që ky institucion të rihapej përpara pak vitesh.

Akademitë janë tempujt e dijes dhe në to rreh zemra që u jep formë institucioneve. Akademia e Sigurisë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë zemra e organizatës së Policisë së Shtetit. Në të brezat do të mësojnë gjithmonë që t’i shërbejnë ligjit me dinjitet dhe të mbrojnë jetën me nder.

Në disa momente të errëta historia ka treguar se kur Akademia ka qenë në ditë jo të mira kjo është reflektuar edhe në formën jo të mirë të organizatës të policisë.

Ndaj forcimi dhe përparimi i këtij institucioni kaq të rëndësishëm nuk është vetëm një detyrë që duhet realizuar por është mision. Ndaj dhe është shumë e rëndësishme që ky mision të përmbushet me pasion dhe devotshmëri, si një detyrim në radhë të parë ndaj qytetarëve tanë por edhe ndaj brezave nga të cilët e trashëguam këtë aset të çmuar.

Siguria publike është komplekse dhe policia shqiptare përballët me një sërë sfidash, tradicionale dhe të reja, janë shtuar dhe gërshetuar kërcënimet, faktorët dhe aktorët e ndryshëm të krimit që veprojnë në hapësirën tonë.

Institucionet më të përparuara perëndimore nga të cilët ne orientohemi për të marrë edhe shembull, këtë situatë sfiduese të sigurisë, nuk mendojnë ta zgjidhin vetëm me shtimin e financimit të infrastrukturës, teknologjisë, apo instrumenteve. Sado e përparuar të jetë teknologjia e përdorur nga një polici përsëri fjalën e fundit për të arritur suksesin e kanë trupat policore, burimet njerëzore në tërësi.

Në këtë pikë me rëndësi të dorës së parë arsimi dhe trajnimi sa më efikas i punonjësve të policisë. Konsolidimi i organizatës nëpërmjet arsimit është e vetmja rrugë që kjo organizatë të ketë qëndrueshmëri, profesionalizëm dhe integritetin e nevojshëm.

Një polici e mirë-arsimuar dhe e mirë-trajnuar mund të përballojë me sukses sfidat e njëpasnjëshme që i sjell koha.

Arsimi policor pra është rruga më efikase me të cilën mund të garantohet edhe cilësia e sigurisë publike. Më vjen mirë të them se ndër vite është rritur niveli i arsimimit të efektivëve të policisë, duke e gërshetuar këtë arsim edhe me profilizimet në fusha të ndryshme, që lidhen padyshim me punën policore.

Institucionet e arsimit të lartë dhe ato të kërkimit shkencor janë instrumente kryesore përmes të cilave do të ndërtohen kapacitetet njerëzore që do të përballojnë edhe sfidat konkrete. Detyra jonë është që arsimi policor të jetë bashkëkohor, që kërkimi shkencor t’u përgjigjet ekzigjencave të sigurisë publike, në vendin tonë dhe cilësia e lartë e profesionistëve, që diplomohen nga ky institucion, të jetë e padiskutueshme.

Të nderuar pjesëmarrës,

Rihapja e këtij institucioni pas një mbylljeje disavjeçare tregon pikërisht këtë vizion përparimtar dhe vullnet pozitiv për ta fuqizuar arsimin në tërësinë e vet dhe sidomos në institucionin e vetëm arsimor të sigurisë publike, Akademinë e Sigurisë.

Nëse viti 2015 ishte rihapja e kësaj akademie, si institucion i arsimit të lartë, duhet që ky vit jubilar e në vijim, të hyjë në një etapë të re.

Duhet një transformim rrënjësor, i cili kërkon një zhvillim strategjik të arsimit të lartë policor si dhe modernizues i burimeve njerëzore dhe kapaciteteve infrastrukturore.

Gjithsesi, pavarësisht gjithçkaje, ne duhet të jemi të gjithë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm besoj, për të kuptuar saktë, ku ishim, ku jemi dhe ku do të shkojmë! E shkuara dhe e tashmja duhen lexuar dhe analizuar me shumë objektivitet, për të kuptuar si dhe sa shpejt mund të shkohet të ardhmja.

Jemi të ndërgjegjshëm se duhet punuar më shumë për metodologjinë e pranimit në Policinë e Shtetit, apo në institucionet e tjera të sigurisë publike. Jemi të vetëdijshëm se ky nuk është profesion si të gjithë të tjerët dhe që kriteret e pranimit patjetër duhen përafruar me ato që janë nevojat e profesionit dhe qëllimet e rekrutimit.

Unë besoj fort se Akademia e Sigurisë i ka të gjitha kapacitetet për të pasur paketën e duhur të testeve të pranimit apo të testeve të vlerësimit të aftësive për këtë profesion. Jemi po kështu të ndërgjegjshëm që në vizionin e qeverisë kjo akademi nuk do të jetë thjesht një shkollë policie. Për këtë arsye do të duhet të hapet edhe ndaj institucioneve të tjera dhe të ketë mundësi të tërheqë kapacitete, jo vetëm nga institucionet e sigurisë publike në vend, por edhe nga jeta civile, për të përmbushur kështu vizionin e modernizimit dhe lartësimit, duke mundësuar edhe afrimin e më të mirëve.

Jemi gjithashtu të ndërgjegjshëm se në këtë akademi duhet të jetë nder dhe privilegje të shërbesh. Gjithkush që i kërkohet të shërbejë këtu, duhet të ndihet tejet i vlerësuar për këtë fakt.

Të qenit lektor në Akademi është mënyra më e mirë për çdo punonjës policie apo institucioni tjetër që jo vetëm të transferojë njohuritë profesionale te brezat e rinj, por edhe të japë shembullin konkret dhe personal, për atë që duam të jetë punonjës i sigurisë publike në vitet që do vijnë, duke përmbushur kështu misionin e lartë të të shërbyerit për organizatën.

Vizioni i qeverisë është që të ngrihemi në një nivel të ri, ku Akademia e Sigurisë shndërrohet në një institucion lider të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, në përputhje me akademitë e ngjashme europiane. Është vizion i panegociueshëm për të pasur një akademi, e cila prodhon breza profesionistësh, me integritet.

Një Akademi e cila i reziston kohës dhe sfidave, e arrin të transformojë gjithmonë duke e lartësuar organizatën e policisë, në respekt të ligjit, në detyrim ndaj vendit tonë për institucione të forta, në mbrojtje të jetës së qytetarëve, nëpërmjet një shërbimi policor profesionist.

Ju uroj, stafit të Akademisë dhe studentëve pa dyshim, suksese! Misioni juaj është misioni ynë! Faleminderit.