Amendimi i ligjit për Vettingun/Procesi do të vijojë së pari me Trupën Vlerësuese të SHÇBA - Ministria e Brendshme
Postuar më: 08/03/2021

Amendimi i ligjit për Vettingun/Procesi do të vijojë së pari me Trupën Vlerësuese të SHÇBA

Të nderuar kolegë,

Në radhë të parë dua t’ju shpreh menjëherë dakordësinë në emër të Qeverisë, të ndryshimeve, që paraqiten sot në lidhje me vetingun në Polici. Besoj se ka ardhur në një moment të volitshëm, mbas një ushtrimi 2 vjeçar, që kemi bërë me këtë proces aspak të lehtë dhe mbas shumë diskutimeve që ka ngjallur ky proces, sidomos për sa i takon efiçencës që ka patur Komisioni i Jashtëm i Vettingut.

Gjithashtu ky projektligj, pra këto amendime, vijnë edhe në frymën e të gjithë raporteve apo rekomandimeve që kemi pasur nga organizata partnere, që monitorojnë apo bashkëpunojnë me ne në fushën e sigurisë. Besoj se amendimet që kanë sjellë kolegët deputetë i pasqyrojnë më së miri dhe adresojnë më së miri pikërisht këto probleme dhe këto rekomandime. Mjafton një fakt të përmendim, që në procesin e vettingut në dy vitet e aplikimit të ligjit, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka dhënë vetëm 39 vendime, ndërkohë që kemi një trupë prej 12 mijë punonjësish. Mjafton vetëm ky fakt për të na bërë për të reflektuar dhe për të parë dhe për të korrigjuar diçka në lidhje me këtë proces.

Mendoj që amendimet adresojnë dy gjëra të rëndësishme: e para, faktin që procesi duhet të ketë një shpejtësi tjetër dhe për këtë gjë duhet të korrigjojmë mënyrën dhe organet që do të merren, qoftë për vlerësimin kalimtar, qoftë dhe atë periodik, si dhe për të adresuar rekomandimet që kanë ardhur nga organizatat partnere në lidhje me thellësinë dhe mënyrën e bërjes së vettingut në polici.

Edhe për informacion të publikut, po citoj një nga paragrafët e raport/vlerësimit që GRECO ka bërë për këtë proces në Shqipëri, ku thuhet se: “procesi aktual kalimtar i vettingut, duhet të zëvendësohet me një mekanizëm për vlerësimin e integritetit të personelit rregullisht gjatë karrierës së tyre dhe për qëllimet e ngritjes në detyrë. Ndërkohë, dhe të paktën vettimi kalimtar duhet të përqendrohet në funksionet më të ekspozuara ndaj riskut dhe integritetit”.

Pikërisht për të adresuar të dy këto sugjerime apo vëzhgime që kanë ardhur nëpërmjet raportit të GRECO-s, mendoj që propozimi i ardhur nga kolegët i pasqyron më së miri dhe më lejoni t’ju shpreh dhe njëherë, në mbyllje të fjalës sime dakordësinë në emër të qeverisë në lidhje me këtë propozim të ardhur nga një grup deputetësh. Faleminderit.