Vettingu në Polici, Gardë e SHÇBA/Komisioni i Sigurisë miraton amendimin e ligjit: Së pari do të vetohet trupa vlerësuese e SHÇBA - Ministria e Brendshme
Postuar më: 02/03/2021

Vettingu në Polici, Gardë e SHÇBA/Komisioni i Sigurisë miraton amendimin e ligjit: Së pari do të vetohet trupa vlerësuese e SHÇBA

Komisioni i Sigurisë Kombëtare – Në mbledhjen e Komisionit u shqyrtua projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në ministrinë e Brendshme”, propozuar nga disa deputetë. Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bëri të ditur qasjen e Ministrisë së Brendshme karshi propozimit për një ndryshim në ligjin për vettingun në Policinë e Shtetit. Pasi bëri një shtjellim të problematikës së krijuar në zbatimin e ligjit, Ministri i Brendshëm u ndal në dy pika kryesore që kanë të bëjnë me ritmet e zbatimit të ligjit dhe me vetimin e trupës vlerësuese që përbëhet me struktura të SHÇBA-së.

VIDEO – Në fjalën e tij ministri Çuçi, ndër të tjera u shpreh:

Problemi i parë ka të bëjë me rishikimin në tërësi të thellësisë, apo mënyrës së shkallëve të të bërit të vettingut në trupën e Policisë së Shtetit. Futet këtu edhe pjesa e shpejtësisë që parashikonte ligji, të bëheshin, por në fakt në të vërtetë nuk na rezultoi kështu me një ushtrim dy vjeçar të bërë deri tani në zbatim të ligjit. Vetëm 32 subjekte janë vetuar deri tani, ndërkohë që trupa është shumë më e madhe e Policisë së Shtetit.

Problemi tjetër është që ne gjithsesi duhet të përgatisim një trupë të brendshme, në kuptimin brenda ekzekutivit, i cili duhet të merret me një proces të vazhdueshëm të verifikimit të figurës sidomos gjatë zhvillimit të karrierës së punonjësit të Policisë.

Të dyja këto probleme janë adresuar më së miri mendoj unë, në draftin e propozuar nga kolegët duke bërë të mundur që ne, në radhë të parë, të pezullojmë këtë proces të tejzgjatur që bën Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit në lidhje me trupën e Policisë.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit të fokusohet vetëm në vettingun e një trupe të brendshme, që do të merret në të ardhmen me procesin e vettingut, që do jetë brenda SHÇBA-së, dhe ndërkohë t’i lëmë kohë vetes që të shtojmë të gjithë rekomandimet që vijnë nga institucione të ndryshme, partnerët apo dhe vetë nga Komisioni, si monitorues i procesit.

Projektligji – Kliko