Komisioni për Çështjet Ligjore miraton në parim projektligjin "Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore"/Risitë e nismës - Ministria e Brendshme
Postuar më: 17/02/2021

Komisioni për Çështjet Ligjore miraton në parim projektligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”/Risitë e nismës

VIDEO – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e Komisionit për dhënie mendimi u vijua me shqyrtimin në parim të projekligjit “Për agjencinë e mbikëqyrjes policore”, i cili u prezantua për komisionin nga znj. Elena Pici, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme dhe u relatua nga deputeti Adnor Shameti. Znj. Pici sqaroi risitë kryesore dhe domosdoshmërinë e rishikimit të legjislacionit ekzistues, duke parashtruar se projektligji është pjesë përbërëse e paketës së reformave ligjore në strukturën e sigurisë, duke përmbushur dhe prioritetin e qeverisë në rritjen e parametrave të sigurisë, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Pas diskutimeve, pyetjeve dhe komenteve të ndryshme, komisioni miratoi në parim projekligjin në fjalë dhe vendosi që shqyrtimi nen për nen i tij të bëhet në një nga mbledhjet e radhës. 

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Brendshme Elena Pici prezanton projektligjin “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”: Projektligji për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore është në fakt pjesë përbërëse e paketës ligjore të reformës në strukturat e sigurisë, duke përmbushur edhe prioritetin e qeverisë për të rritur parametrat e sigurisë, për forcimin e luftën së krimit në tërësi dhe krimit të organizuar në veçanti, si dhe luftës kundër korrupsionit.

Aktualisht SHÇBA vepron në bazë të ligjit nr. 70 të vitit 2014, e megjithatë janë një sërë indikatorësh që e kanë bërë të nevojshëm rishikimin e këtij ligji.

Përmendim këtu përgjegjësia që ka marrë kjo strukturë për realizimin e vetingut ndaj subjekteve. Ndryshimet që kanë ndodhur në reformën në drejtësi duke krijuar institucione të reja të akuzës si SPAK-u dhe BKH-ja. Një ri-konceptim të standardeve të statusit që duhet të kenë punonjësit e kësaj agjencie dhe pajisjeve të tjera teknologjike që duhet të ketë agjencia në kryerjen e funksioneve të saj. Një rikonceptim i doktrinës në lidhje me njohjen e informacionit të klasifikuar që duhet të kenë punonjësit e subjekteve që mbikëqyr Agjencia. Deri tek më e rëndësishmja forcimi i integritetit të shërbimit për të plotësuar siç duhet funksionin e tij mbikëqyrës ndaj subjekteve të saj. Një element shumë i rëndësishëm që kërkoi një reformim rrënjësor të shërbimit janë rekomandimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë, dhe kryesisht rëndësinë për t’u përputhur me standardet e EPAK-ut.

Ky projektligj është kryer në bashkëpunim të ngushtë me ICITAP-in dhe gjithashtu ka kaluar një proces konsultimi publik, ku kanë qenë të pranishëm institucionet e përfshira dhe subjektet mbikëqyrëse, por edhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë në fushën e rendit dhe sigurisë publike.

Ky projektligj synon kryesisht, në:

– Reformimin e shërbimit dhe shndërrimin e kësaj agjencie civile mbikëqyrëse, për të luftuar korrupsionin si dhe për të parandaluar veprimtarinë e kundërligjshme në radhët e subjekteve të agjencisë duke përafruar kështu veprimtarinë me ato të agjencive homologe të BE.

– Transformimi i Agjencisë bazuar në një model më demokratik ligjor, si në aspektin e misionit ashtu edhe në drejtim të përcaktimit të detyrave funksionale, përgjegjësive, strukturës dhe personelit duke ndihmuar kështu gjithnjë e më shumë edhe në respektimin e të drejtave dhe të lirive të njeriut.

– Rritja e kapaciteteve të agjencisë për një qasje proaktive ndaj fenomeneve korruptive të subjekteve të agjencisë.

– Parandalimin, zbulimin, dokumentimin dhe hetimin paraprak të veprimtarive kriminale dhe korruptive të strukturave të agjencisë, përmirësimin e strukturës teknologjike të agjencisë, dhe më e rëndësishmja zgjerimi i objektit të veprimtarisë të kësaj agjencie. Duke përfshirë këtu vlerësimin kalimtar dhe periodik të subjekteve të kësaj agjencie.

– Detyrimet që kanë lindur së fundmi për shkak të ndryshimeve të tjera ligjore.

– Procesin e aplikimit dhe verifikimit me certifikatë sigurie për subjektet e Agjencisë, ekzaminimin poligrafik, hetimin disiplinor të subjekteve për shkelje të rënda që konstatohen gjatë veprimtarisë së agjencisë.

Risitë kryesore të këtij projektligji:

– Emërtimi i kësaj Agjencie. Sot SHÇBA do të riemërtohet nëpërmjet këtij projektligji në “Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”. Subjekte të agjencisë do te jenë edhe Garda e Republikës, gjithashtu edhe Shërbimi Zjarrfikës. Por Policia e Shtetit ngelet edhe struktura më e madhe, dhe me impaktin më të madh në radhët e komunitetit. Qytetari të ketë të qartë se ku duhet të dërgojë ankesat e tij në drejtim të përmbushjes së misionit policor në respektim të ligjit dhe të kushtetutës së vendit.

– Emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë do të bëhet nga Kryeministri, duke përafruar kështu emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm në të njëjtin standard siç ndodh edhe me subjektet e tjera që mbikëqyr agjencia.

– Risi e tretë e këtij projektligji është kalimi i tij në një strukturë civile. Pra “zhveshja” nga gradat dhe krijimi i kësaj strukture civile. Kjo do ta bëjë agjencinë më të pranueshme në funksion të mbikëqyrjes, më të paanshme, më transparente dhe objektive në perceptimin e publikut dhe jo vetëm. Gjykojmë që kalimi i personelit në një strukturë civile duke ruajtur kapacitetet njerëzore aktuale që ka, dhe duke rekrutuar në të ardhmen kapacitete të reja, e bën strukturën më të qëndrueshme, më të hapur, më transparente dhe më në konceptin e një mbikëqyrje të jashtme civile, e cila do të sigurojë kështu shmangien e konfliktit të interesit me subjektet e tjera që ajo mbikëqyr, të cilat janë kryesisht struktura me grada.

Përgjatë gjithë frymës së projektligjit ne në fakt kemi synuar që të unifikojmë të drejtat dhe benefitet që ka kjo strukturë tashmë civile me subjektet që ajo mbikëqyr.

– Ky projektligj përcakton detyrimet që rrjedhin nga aktet e tjera ligjore, si ai për “Vlerësimin kalimtar dhe periodik të subjekteve mbikëqyrëse”. Në ligjin 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës dhe SHÇBA, kjo strukturë ka marrë funksione të reja, të cilat duhet të përmenden në ligjin organik të kësaj agjencie.

– Procesi i ekzaminimit poligrafik – sipas përcaktimeve ligjore, në një nga fazat e rekrutimit për personelin është pikërisht ekzaminimi poligrafik për të cilin është trajnuar një staf ekspertësh pranë SHÇBA-së, prandaj është e rëndësishme që edhe ky funksion i ri i Agjencisë, të jetë i përmendur në ligj.

– Hetimi disiplinor i subjekteve mbikëqyrëse – sipas rekomandimeve të ICITAP dhe standardeve të EPAC, strukturat që mbikëqyr Agjencia, janë në konflikt interesi, nëse ankesat apo shkeljet që konstatohen, do të hetoheshin nga vetë strukturat ku janë me detyrë këto subjekte. Nisur nga treguesit e deritanishëm rezulton se numri i punonjësve të nivele menaxheriale të ndëshkuar disiplinarisht për shkelje të rënda disiplinore, apo për performancë të dobët, është tejet i ulët. Prandaj është e nevojshme që agjencia, gjatë veprimtarisë mbikëqyrëse që ajo kryen, në rast se konstaton shkelje të rënda sipas parashikimeve te vete ligjeve organike te subjekteve mbikëqyrëse, të mundet të bëjë hetim disiplinor. Sigurisht që në çdo rast subjektet do të kenë të drejtën e apelimit në një Komision Apelimi, por në çdo rast gjetjet e hetimit do një konkludohen ne një vendim dhe jo thjesht rekomandime.

Ne kemi bindjen se ky është një produkt ligjor cilësor, në funksion të rritjes së sigurisë dhe luftës kundër korrupsionit, një produkt ligjor që do ti rezistojë kohës, do të shërbejë për ndërtimin e institucioneve më të mira, që kanë besueshmëri më të lartë të publikut dhe për rrjedhojë të një shoqërie më të mirë. Faleminderit!

PROJEKTLIGJ “PËR AGJENCINË E MBIKËQYRJES POLICORE”