Interpelanca/Ministri Çuçi: Ndryshimet dhe thjeshtimi i procedurave për riaplikim për ID kartë e pasaportë biometrike, si edhe saktësimi i adresave - Ministria e Brendshme
Postuar më: 28/01/2021

Interpelanca/Ministri Çuçi: Ndryshimet dhe thjeshtimi i procedurave për riaplikim për ID kartë e pasaportë biometrike, si edhe saktësimi i adresave

Video – Interpelanca/Ministri Çuçi: Ndryshimet dhe thjeshtimi i procedurave për riaplikim për ID kartë e pasaportë biometrike, si edhe saktësimi i adresave

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi zhvilloi një interpelancë me qytetarët përmes platformës së bashkëqeverisjes për ndryshimet e ndodhura së fundi për pajisjen e qytetarëve me dokumentet biometrike.

Ministri Çuçi tha se ndryshimet e bëra së fundmi janë të nevojshme dhe kanë lehtësuar marrjen e shërbimeve nga qytetarët në zyrat e gjendjes civile, kjo falë teknologjisë dhe shërbimeve online.

“Ashtu siç po komunikojmë sot online qytetarëve do t’iu mundësohet që të marrin të gjitha shërbimet online në lidhje me gjendjen civile dhe regjistrin e saj. Një nga risitë është se ju mund të aplikoni për pasaportë online, duke ngarkuar formularin në kompjuterin tuaj, pa qenë nevoja për të shkuar në polici, e pas këtyre procedurave ju vetëm në momentin e fundit do të vini për ta tërhequr pasaportën”, sqaroi ministri.

Ministri Çuçi iu bëri thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që të deklarojnë adresën e tyre në vendin ku ata banojnë, duke aplikuar në portalin e-Albania në mënyrë që lidhja mes tyre dhe shtetit shqiptarë të jetë më e fortë, ku dhe ata mund të përfitojnë një shumëllojshmëri shërbimesh.

“Saktësimi i adresave është një përpjekje e vazhdueshme dhe permanente që po bëhet për të lidhur çdo shtetas shqiptar dhe adresën/sat që ai disponon”, tha ai.

Një shqetësim i ngritur nga një qytetare në lidhje me gjobitjen e qytetarëve kur ata ndryshojnë vendbanimin, ministri Çuçi e siguroi se me ndryshimet e fundit qytetarët nuk do të paguajnë gjobë dhe nëse ka kaluar afati 30 ditë pas ndryshimit të adresës.

Një tjetër ndryshim i miratuar së fundmi lidhet me shtetasit shqiptarë mbi 75 vjeç, të cilët kur pajisen pas kësaj moshe me dokumentin e identifikimit, do ta kenë atë pa afat, pra deri në fund të jetës.

Çuçi u shpreh se janë bërë dy shtyrje afati për skadimin e afatit të ID kartave. Ai i nxiti sërish qytetarët që iu ka skaduar ID karta të aplikojnë.

Në ekstraktin e radhës së listës së zgjedhësve, qytetarët e papajisur apo me dokumente biometrike të skaduar, do të jenë të markuar në mënyrë që dhe ata të jenë vetë të ndërgjegjshëm për mungesën e dokumentit.