Vlorë e Korçë/Drejtori i DPGJC dhe Kryetarët e Bashkive apel qytetarëve për rinovimin e dokumenteve të identitetit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 25/01/2021

Vlorë e Korçë/Drejtori i DPGJC dhe Kryetarët e Bashkive apel qytetarëve për rinovimin e dokumenteve të identitetit

25 Janar, Korçë – Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj dhe Kryetari i Bashkisë Korçë Sotiraq Filo, thirrje qytetarëve për rinovimin e dokumenteve të identitetit – VIDEO

Sotiraq Filo – Kryetar i Bashkisë Korçë: Sot jemi së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, z. Bledar, duke inspektuar punën te zyrat e kompanisë ‘Aleat’ dhe te zyrat e gjendjes civile në bashkinë e Korçës, punën për shpërndarjen e kartave ID.

Siç e dini karta ID është dokumenti i vetëm identifikues i çdo banori në bashkinë e Korçës, por edhe në të gjithë vendin. Është dokumenti bazuar në të cilin institucionet shtetërore por edhe institucione private ofrojnë shërbime ndaj qytetarëve.

Prandaj pajisja me një kartë identiteti të vlefshme është jo vetëm një detyrim ndaj qytetarëve, por është mënyra përmes ata mund të marrin shërbime nga këto institucione.

Siç jeni në dijeni ka një numër të konsiderueshëm qytetarësh, të cilëve u ka skaduar karta ID, për shkak se është plotësuar afati dhjetëvjeçar, dhe tani do të duhet të riaplikojnë për këto karta ID.

Prandaj do të doja sot, dhe ky është qëllimi i vizitës së sotme, që të shohim punën për pajisjen me karta ID nga zyrat tona këtu, por në të njëjtën kohë t’iu bëjmë thirrje të gjithë banorëve të qytetit të Korçës dhe të njësive administrative të bashkisë Korçë që të paraqiten pranë zyrave të ‘Aleat’ për t’u pajisur me këto karta ID.

Pajisja me kartë ID, përveç marrjes së shërbimeve të nevojshme për qytetarët, është shumë e rëndësishme edhe për të kryer detyrën e tyre në procesin zgjedhor.

Ju e dini që në 25 prill kemi zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri dhe votimi mund të kryhet duke pasur ose një kartë identiteti të vlefshme, ose një pasaportë të vlefshme. Prandaj pajisja me kartë i shërben edhe pjesëmarrjes në zgjedhje.

Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe kompanisë ‘Aleat’ janë marrë masat që zyrat të punojnë me orare të zgjatura, të punojnë edhe ditën e shtunë, edhe zyra e bashkisë së Korçës, edhe zyra tjetër që ndodhet në njësinë e Bulgarecit, në rast se do të lindë e nevojshme, mund të hapen edhe zyra të tjera, në njësitë e tjera administrative që procesi të ecë me shpejtësi maksimale dhe banorët të mos kenë asnjë vështirësi apo pengesë për pajisjen me këto karta ID.

Falënderoj Drejtorin për interesimin dhe për këtë tur informues, por edhe kontrollues në njëlloj mënyre të performancës së pajisjes me karta deri tani. Shpresoj që do të kemi një bashkëpunim shumë të mirë edhe në të ardhmen. Faleminderit.

Bledar Doracaj – Drejtor i DPGJC: Tashmë Ministria e Brendshme ka filluar turin e takimeve dhe të sensibilizimit të qytetarëve, të gjithë shtetasve që u ka skaduar dokumenti biometrik i vlefshëm, në të gjithë bashkitë e vendit.

Ditën e premte ishim në bashkinë e Vlorës. Së bashku me Kryetarin e bashkisë atje sensibilizuam të gjithë shtetasit, të cilët posedonin një dokument të pavlefshëm, të skaduar.

Sot jemi me Kryetarin e Bashkisë së Korçës për të sensibilizuar të gjithë qytetarët e bashkisë së Korçës dhe jo vetëm, që kanë ose posedojnë një dokument të skaduar, të vijnë pranë zyrave të aplikimit dhe gjendjes civile për të bërë të mundur aplikimin dhe posedimin e një dokumenti të vlefshëm.

Nuk jemi më në të njëjtat ato kushte që ishim disa vite më parë kur një qytetar duhet të priste me orë të tëra në radhë në kushte aspak të përshtatshme për një shtetas. Sot jemi në kushte, siç e shikoni, absolutisht shumë komode, bashkëkohore, për  çdo shtetas dhe prandaj kemi një arsye më shumë që t’u kërkojmë të gjithëve të vijnë dhe të posedojmë dokumentin.

Atë që tha edhe z. Filo, ID karta apo letërnjoftimi elektronik nuk është thjesht vetëm dokumenti me të cilin qytetari me 25 prill mund të shprehë bindjet e tij politike, por çelësi për të përfituar të gjitha shërbimet në institucionet publike dhe private.

Gjithashtu kemi lehtësuar ndjeshëm procedurën e aplikimit. Mjaftojnë vetëm pak sekonda me dokumentin e vjetër biometrik, dhe kuponin e blerë pranë zyrës së Postës Shqiptare për t’u paraqitur dhe në pak ditë dokumenti vjen mbrapsht.

Çdo shtetas, i cili posedon një dokument të skaduar mund të riaplikojnë në cilëndo zyrë të gjendjes civile, jo vetëm brenda bashkisë së Korçës por edhe në bashkitë e tjera të territorit të Republikës së Shqipërisë.

Çdo ditë të shtunë dhe çdo ditë jave do punojmë në qoftë se ka fluks, edhe përtej orarit zyrtar për t’iu ofruar të gjithë atyre shtetasve që gjatë javës nuk kanë mundësi, apo nuk kanë mundësi brenda orës 16.00.

Por të gjithë ato shtetas që edhe, ose vetëm ditën e shtunë kanë si ditë të lirë dhe mund t’i përkushtohen këtij procesi. Ne do të jemi në punë deri më datën 25 prill për të bërë të mundur pajisjen e të gjithë shtetasve me letërnjoftimin elektronik.

Pyetje: Zoti Drejtor sa shtetas shqiptarë janë që iu ka skaduar karta e identitetit?

Bledar Doracaj: Është një numër i lartë, ishte pak më i lartë para disa javësh, vjen në ulje. Por ende nuk jemi aty ku duhet të jemi. Është një numër që me një përllogaritje të përafërt që ne kemi bërë, diku te 700 mijë shtetas.

Pyetje: Shqiptarët të cilët jetojnë në emigracion, iu ka skaduar. A janë pajisur me një kartë të tillë? Nëse jo, çfarë do bëhet?

Bledar Doracaj: Ende jo, tashmë qeveria shqiptare ka filluar ndërtimin e një database, nëpërmjet vetëdeklarimit të të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Nuk e dimë sa nga ata që ju ka skaduar dokumenti biometrik jetojnë përtej territorit të Republikës së Shqipërisë.

Ajo çfarë unë mund t’ju them, që është një shqetësimin që ne e kemi marrë, edhe sot në mëngjes e mora këtu nga qytetarët e Bashkisë së Korçës është një numër i lartë i konsiderueshëm qytetarësh të cilët kanë aplikuar përgjatë gjashtë mujorit të dytë të vitit 2019 dhe vitit 2020 dhe në pamundësi të pandemisë për të lëvizur nuk kanë tërhequr dokumentet biometrikë pranë zyrave të Gjendjes Civile, apo zyrave të aplikimit.

Ne i qetësojmë këta shtetas dhe i inkurajojmë njëkohësisht që brenda muajit prill, brenda fundit të prillit ata mund të paraqiten pranë sporteleve për të tërhequr dokumentet për të cilat kanë aplikuar kohë më parë.

22 Janar, Vlorë – Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj dhe Kryetari i Bashkisë Vlorë Dritan Leli u bëjnë thirrje qytetarëve të aplikojnë për rinovimin e dokumenteve të identitetit – VIDEO

Dritan Leli – Kryetari i Bashkisë Vlorë: Pikërisht, bashkë me mua dhe me Nereidën në zyrat e ‘Aleat’, në territorin e bashkisë Vlorë, zyra tërësisht të reja, të transformuara kohët e fundit, me një standard shërbimi shumë cilësor, me respektim të rregullave anti-Covid, që janë kushte të domosdoshme të punës për t’iu ofruar shërbimin qytetarëve.

Ajo që unë kam promovuar përpara pak ditësh dhe që dua të ritheksoj prapë në këtë takim të sotëm, është që t’i kujtoj qytetarët e Vlorës që kanë të drejtë vote, dhe sidomos ata që votojnë për herë të parë, që të vijnë të aplikojnë në zyrat e Aleat për tu pajisur me ID kartë.

Është një element i domosdoshëm për të treguar vullnetin në zgjedhjet e radhës, dhe që për arsye të mbarimit të afatit të përdorimit të shumë kartave ID, jo vetëm në territorin e bashkisë Vlorë, por në të gjithë Shqipërinë, ne kemi ofruar shërbim në këto zyra dhe në njësitë administrative edhe ditën e shtunë.

Prandaj unë do të shfrytëzoja rastin që nëpërmjet mediave, faqeve dhe rrjeteve sociale të bëj thirrje për gjithë qytetarët e Vlorës që të vijnë të aplikojnë si në çdo ditë të javës por përveç kësaj, edhe ditëve të shtuna. Një iniciativë që do të vazhdojë deri afër datës së zgjedhjeve.

Pra, njerëzit mund të vijnë të aplikojnë në kushte shumë optimale, në ambiente pritjeje me standard. Siç e shikoni, jemi në një ditë normale pune, nuk ka fluks, nuk ka rrëmujë, dhe kjo do të ishte shumë inkurajuese për ata që duhet të vijnë të pajisen me dokumentin identifikues, në zyrat e Aleat, ku mbështetja e strukturave të bashkisë Vlorë, mbështetja e zyrës së gjendjes civile, që sot konfirmohet me prezencën e Drejtorit të Përgjithshëm, z. Doracaj, të cilin e falënderoj personalisht, është në standardin e përkujdesjes së asaj cilësie që ne do të duam për procesin zgjedhor të radhës.

Bledar Doracaj – Drejtor i DPGJC: Tashmë u bë më shumë se një muaj që ne punojmë dhe ditën e shtunë për t’i bërë thirrje çdo shtetasi shqiptar, i cili posedon një dokument identifikimi, që i ka mbaruar vlefshmëria, një ID kartë ose pasaportë, të vijë pranë zyrave të aplikimit dhe të aplikojë për t’u pajisur me dokumentin e ri.

Absolutisht është shumë e vërtetë ajo që tha Kryetari i Bashkisë, letërnjoftimi elektronik nuk është thjesht dokumenti me anë të të cilit shtetasit shqiptarë marrin pjesë apo votojnë, e të shprehin vullnetin e tyre ditën e zgjedhjeve, por është edhe çelësi për të përfituar çdo shërbim në institucionet publike dhe private.

Gjithashtu, më lejoni t’ju bëj me dije, është një numër i lartë qytetarësh, të cilët kanë aplikuar dhe për shkak të pandemisë nuk kanë tërhequr dokumentet ID pranë zyrave të aplikimit. Ne jemi këtu që t’i bëjmë thirrje edhe kësaj kategorie shtetasish, të vijnë dhe të tërheqin dokumentet pranë zyrave të gjendjes civile.

Edhe njëherë, faleminderit dhe u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, jo vetëm të bashkisë së Vlorës apo të qarkut të Vlorës, por të gjithë Shqipërisë!

Edhe nesër ne e kemi ditë pune, si çdo ditë jave, punojmë edhe me orare të gjata, në qoftë se do të ketë njerëz në sportele, të vijnë dhe të pajisen me dokumente biometrike.

Pyetje: Po për personat që në fakt vetë sistemi i ka bërë ndryshimin e adresave, për të gjithë ata që kanë më tepër se dy vendbanime, është një gabim në fakt i vetë sistemit të një institucioni shtetëror?

Bledar Doracaj: Nuk ka lidhje fare saktësimi i adresës. Saktësimi i adresës apo deklarimi i adresës ku qytetari realisht, është një detyrim ligjor, i papërmbushur këto 30 vite. Shteti e ka bërë dhe u kërkon qytetarëve vetëm disa minuta pranë zyrave të gjendjes civile dhe prej më shumë se një muaji, këtë saktësim adrese, të gjithë qytetarët shqiptarë mund ta bëjnë edhe nëpërmjet platformës e-Albania, duke mos u paraqitur fizikisht as pranë zyrave të gjendjes civile.

Pyetje: Si mund të hyjë në e-Albania një person që jeton në zonë rurale dhe nuk ka as pajisje dhe as moshën e duhur, të paktën gjyshi im 82-vjeçar, si mund ta bëjë një zgjidhje?

Bledar Doracaj: Zyrat e gjendjes civile janë aty që t’i asistojnë. Të gjithë ata që nuk kanë akses në platformën qeveritare e-Albania mund të paraqiten pranë zyrave të gjendjes civile vetëm pak sekonda.

Pyetje: Në bashkinë e Tiranës, por edhe në bashki të tjera në fakt ka pasur gjobitje për të gjithë personat që kanë vonuar, le të themi, vendosjen e vendbanimit. Dhe sipas jush, në fakt është një problem i sistemit. A keni menduar një zgjidhje për këtë duke ju bërë një lloj lehtësimi?

Bledar Doracaj: Më lejoni t’ju bëj me dije që gjoba prej më shumë se dy muaj, është hequr. Nuk ka më masë administrative, gjobë për ata që kalojnë afatin 30 ditë edhe nuk vetëdeklarojnë adresën.

Pyetje: Listat e zgjedhësve, tashmë i keni të pastra, apo jo, nuk kanë më dublime?

Bledar Doracaj: Besoj dhe ju garantoj që këto do të jenë listat më të mira të zgjedhësve që ka pasur ndonjëherë Republika e Shqipërisë. Nuk ka dublime, ose është një numër shumë i vogël, mos gaboj, 150-200 persona, të cilët janë të dyshuar si të dubluar dhe është detyrë e zyrave të gjendjes civile t’i verifikojnë, janë apo nuk janë.

Pyetje: Kur ka nisur procesi i listave të zgjedhësve, për të kontrolluar emrin?

Bledar Doracaj: Që nga tetori që ka dalë ekstrakti i parë, çdo shtetas që ka të drejtën e votës, mund ta kontrollojë emrin e tij me emër, atësi, mbiemër, te portali e-Albania, dhe pranë çdo zyre të gjendjes civile ku ato janë të afishuara. Ne kemi nxjerrë tashmë 4 ekstrakte, me 31 janar do të nxjerrim ekstraktin e pestë. Në fillim të muajit mars ose në fillim të muajit shkurt do të nxjerrim ekstraktin e gjashtë dhe me 16 mars 2021 do të jetë lista përfundimtare e zgjedhësve.

Unë u lutem të gjithë shtetasve me të drejtë vote, në portalin e-Albania apo pranë zyrave të gjendjes civile, të bëjnë verifikimin e emrit të tyre në listat zgjedhore.

Pyetje: Sa janë personat që votojnë për herë të parë dhe sa janë ata 100 vjeçarë apo mbi 100 vjeçarë?

Bledar Doracaj: Më lejoni t’ju them, është shumë e rëndësishme, statistikat i keni te faqja zyrtare e Ministrisë së Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, është shumë e rëndësishme që sot t’u bëjmë thirrje të gjithë shtetasve që kanë një dokument që u ka skaduar afati, të vijnë dhe të aplikojnë për to.

Pyetje: Në rastet e atyre që duan t’i ripërsërisin dokumentacionin. Ju thatë që deri pranë zgjedhjeve, mund të bëhet aplikimi edhe ditëve të shtuna. Po për sa i përket rasteve në të gjithë Shqipërinë, flasim për shtresat në nevojë, që nuk e kanë mundësinë për të blerë kuponat, – a ka ndonjë zgjidhje, a ndonjë plan deri tani?

Bledar Doracaj: Unë jam këtu në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm, në bashkëpunim me kompaninë koncesionare, ‘Aleat’, administrojmë dhe ofrojmë këtë shërbim. Nuk di t’ju them në qoftë se ka një plan. Besoj që çmimi dhe vlera e letërnjoftimit elektronik është një vlerë simbolike, kushton vetëm 1.500 lekë (të reja), dhe nuk besoj që ne duhet ende të vazhdojmë të subvencionojmë apo t’u kërkojmë shqiptarëve të presin deri sa shteti të gjejë mjetet e duhura financiare për të subvencionuar. Faleminderit.