Finalizohet operacioni i koduar "Rinas Ekspres", për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë.  - Ministria e Brendshme
Postuar më: 21/01/2021

Finalizohet operacioni i koduar “Rinas Ekspres”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë. 

Finalizohet operacioni i koduar “Rinas Ekspres”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë. 

Operacioni i zhvilluar nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Tiranë.

Arrestohen 9 shtetas, nga këta 5 tregtarë dhe 4 doganierë. 

Sekuestrohen në cilësinë e provës tre automjete që kanë shërbyer për transportin e mallrave të dyshuar kontrabandë pas daljes nga dogana, veshje të ndryshme dhe një sasi aparatesh celularë.

Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të kontrabandimit të mallrave, në kuadër të operacionit të koduar “Rinas Ekspres”, ka bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

B. K., 29 vjeç, A. L., 42 vjeçe, Q. L., 46 vjeç, L. L., 62 vjeçe, dhe A. L., 37 vjeç ( me aktivitet tregtar biznes privat).

Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

B.K., 55 vjeç, me detyrë shef sektori në Sektorin Operacional Terminal Rinas (përgjegjës turni);

Th. N., 24 vjeç, me punë doganier në aeroportin e Rinasit, me detyrën kontroll në skaner pranë kontrollit fizik;

M. L., 36 vjeç, me detyrën e vëzhguesit si doganier i fizikut;

E. S., 62 vjeçe, me detyrën e vëzhguesit si doganier i fizikut.

Pas hetimeve të kryera më parë dhe informacioneve të grumbulluara u bë e mundur që tregtarët e sipërpërmendur të kapeshin në flagrancë në rrugën Rinas-Kashar, duke transportuar mallra kontrabandë, pasi kishin kaluar regjimin doganor të pikës kufitare Rinas, duke mos e deklaruar mallin dhe duke shmangur tërësisht detyrimet doganore.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasi të konsiderueshme veshmbathjesh, këpucë, një sasi aparatesh celularë dhe tre automjete që transportonin mallrat kontrabandë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.