Korçë - Finalizohet operacioni antidrogë “Pusteci”, sekuestrohen 21.5 kg kanabis - Ministria e Brendshme
Postuar më: 15/01/2021

Korçë – Finalizohet operacioni antidrogë “Pusteci”, sekuestrohen 21.5 kg kanabis

Korçë – Finalizohet operacioni antidrogë “Pusteci”, sekuestrohen 21.5 kg kanabis

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Korçë, Policia Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Sekuestrohen 21 kg e 500 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Vihen në pranga 2 shtetasit që u kapën duke tentuar ta trafikonin lëndën narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë.  

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Korçë, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe koordinimit të veprimeve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Pusteci”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

  • R.N., 41 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë;
  • I. M., 54 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”).

Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, në afërsi të fshatit Cerje, Pustec, në kufirin e gjelbër me Greqinë, me dy çanta shpine, brenda të cilave u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21 kg e 500 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi të cilën këta shtetas po tentonin ta trafikonin në drejtim të Greqisë.

Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.