108 vjet Polici e Shtetit! - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/01/2021

108 vjet Polici e Shtetit!

108 vjet Polici e Shtetit! – VIDEO

Në ceremoninë e 108 vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit ishin të pranishëm Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, Kryetarja e Komisionit të Sigurisë Ermonela Felaj, drejtues të lartë të Policisë dhe familjarë të Dëshmorëve të Policisë. Ceremonia u mbajt në Akademinë e Sigurisë.

Fjala e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi:

E nderuar Kryetare e Komisionit të Sigurisë Kombëtare,

I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Të nderuar përfaqësues të misioneve partnere,

Të nderuar punonjës të Policisë së Shtetit e pjesëmarrës,

Është kënaqësi t’ju uroj me rastin e festës zyrtare të themelimit të organizatës suaj – Gëzuar 108-vjetorin e Policisë së Shtetit!

Qeveria prej vitesh tashmë ka një objektiv të qartë, atë të integrimit në familjen e madhe europiane. Për ta bërë realitet këtë ëndërr të të gjithë shqiptarëve, duhet të kemi në radhë të parë institucione të konsoliduara, e ndër to, një peshë kryesore mban Policia e Shtetit. Nga takimet e zhvilluara mes përfaqësuesve të Qeverisë sonë dhe zyrtarëve të BE-së, ka rezultuar qartë barra e Ministrisë së Brendshme në ndjekjen e çështjeve që kanë të bëjnë me Kapitullin 24 të marrëveshjes për “sigurinë, drejtësinë dhe lirinë” etj. Tema të tilla si lufta kundër krimit, drogës, trafiqeve të ndryshme, ekstremizmit, migracionit, sigurisë kufitare etj., janë mjaft sensitive për vendet e BE-së. Për plotësimin e këtyre detyrave, Policia e Shtetit ka një ngarkesë të shtuar specifike. Kjo do të jetë një sfidë e hapur për organizatën, por unë shpreh besimin se në përfundim edhe kjo sfidë do të kapërcehet me sukses. Ky besim është i natyrshëm dhe i prekshëm nga të gjithë.

Mjafton t’u referohemi sondazheve të opinionit të javëve të fundit e jo vetëm, ku rezulton se Policia e Shtetit është ndër institucionet më të besueshme në vend. Ky besim nuk është një rastësi, por fryt i punës, përkushtimit, sakrificave të të gjithë trupës, e kombinuar kjo me një sërë reformash e investimesh të kryera vitet e fundit. Ndër aspektet pozitive të ndryshimeve në radhët e Policisë është përtëritja e radhëve të saj me elementë të rinj, të aftë, të përgatitur e të përkushtuar.

Ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën duke krijuar mundësitë për çdo të ri që ka një formim akademik, të bëhet pjesë e organizatës së Policisë së Shtetit. Të mbajmë parasysh faktin se jemi ndër vendet me numër më të ulët trupash policore për numër popullsie në rajon ndoshta dhe më gjerë. Këtë mangësi po përpiqemi ta mbushim sa është e mundur nëpërmjet aplikimit të teknologjive të reja, e metodave moderne të policimit.

Viti që lamë pas nisi me sfidën për zbulimin e konfiskimin e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme e kriminale. OFL bëri të mundur sekuestrimin e qindra pasurive dhe aseteve të vëna në rrugë kriminale, duke hequr nga duart e krimit miliona euro, e ky proces këtë vit është drejt finalizimit. Paralelisht me këto aksione, trupa e policisë ka një vëmendje konstante në luftën kundër krimit, drogës, trafiqeve e paligjshmërive të ndryshme. Këto janë ndër prioritetet e punës për të cilën merr kuptim vetë ekzistenca e strukturës së Policisë së Shtetit.

Një studim i mbështetur qeveria suedeze në kuadër të programit për forcimin e policimit në komunitet, me të njëjtën metodologji që përdoret edhe në vendet e Bashkimit Europian, na ofroi të dhëna shumë domethënëse për punën e Policisë së Shtetit, që në shumë aspekte qëndron në mesataren e vendeve të BE-së.

66% e publikut mendon se Policia e Shtetit po bën një punë të mirë krahasuar me 36% në vitin 2013. 80% e të intervistuarve deklaruan se ndihen të sigurt. Këto janë garanci të ofruara nga qytetarët për punën e policisë, por edhe një shtysë për të bërë më tepër, me qasjen si një shërbim ndaj qytetarit, jo si forcë shtrënguese.

Viti 2021 do të sjellë një ngarkesë jo të lehtë për Policinë e Shtetit e Ministrinë e Brendshme, pasi është vit zgjedhor. Policia ka detyra specifike për sigurimin e mbarëvajtjes së tyre. Ky angazhim do të kërkojë një shpenzim shtesë kohe dhe energjie. Duke e mbyllur dëshiroj të uroj çdo punonjës të Policisë së Shtetit – Gëzuar ditën e Policisë! Bashkë me urimet, dëshiroj t’ju përcjell juve dhe familjeve që ju mbështesin, falënderimet tona më të thella për çdo sakrificë të bërë në shërbim të qytetarëve, të mbrojtjes së rendit dhe sigurisë publike.

Të jemi të vetëdijshëm për rolin dhe misionin e përbashkët për të ndërtuar një Shqipëri europiane, që të garantojë një të ardhme më të mirë për vendin dhe brezat e ardhshëm. Faleminderit!