Vlorë - Finalizohet operacioni policor i koduar "Hapësira”, 41 të proceduar për kultivim kanabisi - Ministria e Brendshme
Postuar më: 14/12/2020

Vlorë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Hapësira”, 41 të proceduar për kultivim kanabisi

Vlorë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Hapësira”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike

Operacioni pas një hetimi 6-mujor, i nisur nga strukturat hetimore të DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë

Operacioni i shtrirë në disa zona të qarkut Vlorë, për kapjen dhe ndalimin e 41 personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale

Operacioni i kryer nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Vlorë, forcën e posaçme “Shqiponjat”, Komisariatet e Policisë Vlorë, Sarandë dhe Himarë

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, si rezultat i një hetimi gjashtë-mujor për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit dhe kultivimit të bimëve narkotike, si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Hapësira”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë e mundur kapja e 27 personave, për të cilët Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë kishte caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, ekzekutimi i 5 masave të sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe i 5 masave të sigurisë ”Detyrim për paraqitje”, si dhe u shpallën në kërkim 4 persona që nuk u gjetën gjatë operacionit.

U ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” të kryera në bashkëpunim, për 14 shtetas.

U ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim, për 13 shtetas.

U ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre” të kryera në bashkëpunim, për 5 shtetas.

U ekzekutuan masat e sigurisë “Detyrim për paraqitje”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Moskallëzim krimi”, për 5 shtetas.

Në vijim të operacionit u shpallën në kërkim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike” 4 shtetas.

Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në 41 banesa.

Gjatë periudhës hetimore gjashtëmujore janë asgjësuar një numër i konsiderueshëm bimësh narkotike canabis sativa, në territoret e Bashkive Selenicë dhe Himarë, janë sekuestruar 120.9 kg lëndë e dyshuar narkotike, janë sekuestruar 4 armë gjahu, dylbi, një pistoletë sportive, 39 telefona celular etj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit është e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar pa kompromis veprimtarinë kriminale, ndaj fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, çdo rast të paligjshmërisë në cilëndo fushë që ajo shfaqet, duke u garantuar reagim të shpejtë profesional e anonimat të sigurt për qytetarët.