Kuvend/Lleshaj: Ndryshimet në ligjin për Policinë kaluan filtrin e konsultimit me partnerët, Prokurorinë dhe me institucionet e tjera - Ministria e Brendshme
Postuar më: 03/12/2020

Kuvend/Lleshaj: Ndryshimet në ligjin për Policinë kaluan filtrin e konsultimit me partnerët, Prokurorinë dhe me institucionet e tjera

Kuvend – Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 11.841, datë 20.11.2020 “Për kthimin e ligjit nr. 133/2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar””, u shfuqizua me 83 vota kundër, 9 pro dhe 9 abstenim. 

VIDEO – Fjala e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në seancë plenare:

Faleminderit zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë,

Më lejoni fillimisht që të them diçka lidhur me pikën e parë të rendit të ditës së kësaj seance. Para dy vitesh Kryeministri Rama në Lurë pati premtuar se do të përpiqej për të mundësuar ndërtimin e rrugës së Lurës dhe sot, pas dy vitesh, me kënaqësi konstatohet se – u lançua nga Ministrja e Ekonomisë dhe Financës që, – rruga e Lurës do të ndërtohet, duke i dhënë kësaj zone të Lurës dhe Mirditës diçka që i ka munguar prej shumë e shumë dekadash, duke u kthyer këtyre vendeve, jo vetëm një mundësi mbijetese, por edhe një dinjitet të munguar, qoftë edhe për faktin e thjeshtë se Lura është vendlindja e njërit prej protagonistëve kryesorë të Pavarësisë së Shqipërisë , Dom Nikoll Kaçorrit, i cili ishte edhe nënkryetar i parë i qeverisë së saj. Tani po kthehem te çështja, faleminderit për kaq.

Kthimi i një ligji nga Presidenti i Republikës në Kuvend do të duhej normalisht të ishte një ngjarje e madhe, e rëndësishme, e rëndë, që të zgjonte vëmendjen e mbarë shoqërisë, të ishte një kambanë alarmi e madhe. Por në fakt, vëmendja e shoqërisë tashmë është topitur, ka rënë, përballë këtyre alarmeve presidenciale për faktin e thjeshtë, që ato janë bërë kaq të thjeshta, sa nuk e meritojnë më termin “alarm” për arsye se janë bërë rregull. Pothuajse çdo ligj i këtij parlamenti kthehet mbrapsht. Edhe një ndër to, i kthyer së fundmi, është ligji “Për disa ndryshime në ligjin “Për Policinë e Shtetit”.

Në thelbin e këtij akti, i cili është i mirëfilltë politik, Presidenti pretendon se dhënia e kompetencës për mbikëqyrje të veçantë për Policinë e Shtetit, rrezikon të kthehet në një rrezik ose kërcënim për të drejtat dhe liritë e njeriut, për arsye se Policia është në varësi të Ministrit te Rendit dhe kjo është thelbi i shqetësimit presidencial. Pra, Presidenti shqetësohet që në qoftë se i japim një kompetencë një institucioni në varësi të Ministrit të Brendshëm, kjo kthehet në rrezik për demokracinë. Ndërkohë që demokracitë funksionojnë pikërisht mbi këtë parim që organet, pra qeveria, që është organ i zgjedhur, kontrollon dhe duhet ta kontrollojë administratën dhe burokracinë, përndryshe demokracia do të ishte në rrezik.

Ndërsa për t’u kthyer te thelbi, ka diçka shumë interesante që edhe ne, kur kemi hartuar ndryshimet në ligj, edhe Presidenti, kur e ka kthyer ligjin mbrapsht, i referohemi të njëjtit nen të Kodit të Procedurës Penale, nenit 221. Vetëm me një ndryshim të vogël, Presidenti, nga ky nen, neni 221, ka lexuar vetëm 4 pikat e para të tij; ne kemi lexuar të pestën! Në katër pikat e parat të këtij neni të K. Pr. Penale rregullohet mënyra se si kryhet “mbikëqyrja e veçantë” ose “përgjimi ambiental procedural”. Këtu kodi parashikon që gjithçka kryhet nga Policia nën autorizimin dhe kontrollin e përhershëm të prokurorit.

Ndërkohë që po ky nen në pikën 5, që Presidenti nuk e ka lexuar, thotë që mbikëqyrja jo-procedurale, por parandaluese, kryhet me një ligj të veçantë, jo me nenin 221, ose jo me K. Pr. Penale. Nuk besoj që është lapsus, ngatërresë, apo padije e madhe, por është bërë qëllimisht kjo ngatërresë, për të krijuar një konfuzion të pamerituar. Në thelb, K. Pr. Penale thotë që duhet ta rregulloni veçmas. Dhe ne, me ligjin që kemi sjellë, e kemi rregulluar veçmas, duke iu përshtatur praktikave më të mira europiane, me një dallim që ne i japim policisë sonë më pak atribute kontrolli, mbikëqyrjeje sesa kanë policitë e tjera të vendeve europian, më pak!

Ndërkohë që e gjithë procedura është nën monitorimin e përhershëm të Prokurorisë së Përgjithshme, të SPAK, dhe të Ministrisë së Brendshme përmes SHÇBA-së, pra kemi vendosur 3 struktura që vigjilojnë mbi Policinë e Shtetit në ushtrimin e kësaj përgjegjësie.

Shqetësimi i dytë i Presidentit të Republikës është krijimi i Komitetit Kombëtar, për politikat për parandalimin e krimit të organizuar. Shqetësimi i Presidentit është se thotë: – “ju i keni vendosur prokurorët në varësi të ekzekutivit”. Është një konkluzion krejtësisht i pabazuar, sepse prokurorët nuk vendosen në varësi të ekzekutivit; ulja në një tavolinë me ministrin e Brendshëm, ministrin e Drejtësisë apo të Financave, nuk i vendos nën varësi prokurorët, sepse varësia e tyre është e përcaktuar nga ligji. Ndërsa bashkëpunimi është po ashtu i urdhëruar nga ligji.

Të mos të harrojmë e kam thënë edhe herë të tjera praktika shumë më të zhvilluara demokratike në botë, e kanë Prokurorinë pjesë integrale të ekzekutivit. Ndërsa ne trembemi që t’i kërkojmë, ose t’i mundësojmë prokurorëve të ulen të bisedojnë me ekzekutivin në funksion të luftës së përbashkët kundër krimit.

Shqetësimi i tretë ka të bëjë me faktin që Policisë së Shteti i janë shtuar disa detyra, ose në katalogun e detyrave është përmendur në mënyrë eksplicite përgjegjësia për të garantuar mjedisin e nevojshëm për sigurinë e zgjedhjeve.

Presidenti shqetësohet edhe në këtë pikë të tretë, sepse thotë në mënyrë paragjykuese, që Policia, po i dhatë detyrë të garantojë, zgjedhjet do të ndërhyjë në favor të një force politike. Është një paragjykim i papranueshëm, që duhet refuzuar në fakt, sepse aludon në mënyrë të padrejtë ndaj Policisë, e cila është struktura që mban barrët më të mëdha për sigurinë e vendit, është struktura e cila i garanton! A mund të imagjinoni ju, të nderuar deputetë, që mund t’i bënim zgjedhjet pa pasur policinë?! Vetëm kaq! Kjo pyetje mjafton për ta mbyllur diskutimin.

Ka dy mundësi: ose do t’ia japim Policisë përgjegjësinë, ose do ta nxjerrim Policinë jashtë dhe do të themi pastaj hajdeni bëjini zgjedhjet me metodat popullore. Gjë që është e pamundur.

Ndaj duke përfunduar, duke e konsideruar aktin e kthimit të ligjit për Policinë e Shtetit, si akt të mirëfilltë politik, pa asnjë brendi juridike, duke theksuar faktin që ky ligj ka kaluar nëpër një proces të gjatë diskutimesh, edhe brenda Parlamentit, edhe vetë brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste, përmes shumë kundërshtimesh, ka kaluar filtrin e konsultimit me partnerët tanë, pastaj dhe me Prokurorinë, edhe me institucionet e tjera, ju ftoj ta votojmë, dhe t’i japim rrugë zbatimit të tij. Faleminderit!