Intervista në Abc/Ministri Lleshaj: Lufta kundër krimit është kontributi më i madh që bëjmë për të krijuar një mjedis të sigurt në tërësi - Ministria e Brendshme
Postuar më: 30/11/2020

Intervista në Abc/Ministri Lleshaj: Lufta kundër krimit është kontributi më i madh që bëjmë për të krijuar një mjedis të sigurt në tërësi

VIDEO – Pjesë nga fjala e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj i ftuar në emisionin “Radar” në Abc News

Nuk ka asgjë të manipuluar në lidhje me Gjendjen Civile, këtu kemi të bëjmë vetëm me dinamika normale të lëvizjes së popullsisë, të cilat shoqërohen edhe me reflektimin në listat e zgjedhësve. Nuk ka hapësirë për politikë këtu, ndërkohë janë publikuar dy herë ekstraktet e listave zgjedhore deri më tani. Ndërsa sot Gjendja Civile ka arritur të gjenerojë ekstraktin e tretë të listave zgjedhore dhe kushdo e ka patur, e ka dhe do ta ketë mundësinë deri në ditën e zgjedhjeve që të verifikojë dhe të reklamojë çdo rast të caktuar. Listat e zgjedhësve janë online dhe të aksesueshme për çdo qytetar, ndërkohë që janë të publikuar sot edhe fizikisht pranë çdo njësie administrative apo bashkie.

Pandemia është sfida më e madhe në të gjithë botën sot, në këtë kuptim edhe përpara nesh edhe përpara policisë. Policia ashtu sikur edhe bluzat e bardha janë dy strukturat të cilat po përballojnë realisht në frontin e parë, me angazhim dhe me mjaft kosto. Në dijeninë time nuk ka ndonjë rast procedimi penal për mosrespektim të masave nëse përjashtojmë disa raste subjektesh tregtare për shkak të shkeljeve të përsëritura të kërkesave. Sa ju përket individëve ka masa administrative, jo pak. Nuk është qëllimi i policisë sjellja e ashpër në raport me masat, qytetarët po punojnë dhe bashkëpunojnë në mënyrë perfekte. Nuk ka asnjë qasje politike, qëllimi i policisë është të imponojë masat. Sigurisht që policia ka vëmendje të shtuar ndaj personave që kanë impakt publik më të madh.

Orët shtesë policisë i janë paguar vazhdimisht dhe do t’i paguhen pa asnjë shmangie nga detyrimi ligjor. Sindikata e Policisë nuk përfaqëson Policinë, sepse pjesa dërrmuese e punonjësve të policisë nuk janë anëtarë të kësaj sindikate.

Operacionin kundër kanabisit për vitin 2021 do ta fillojmë tani, duke ndryshuar qasjen, duke e fokusuar luftën kundër këtij fenomeni në fazat më të hershme, në fazën e furnizimit me fare dhe me elementë të tjerë të nevojshëm për këtë proces kriminal. Detyra e Policisë është që deri në fund të muajit janar të jemi në gjendje të bëjmë një bilanc të punës për vitin 2021. Kemi arritur ta reduktojmë në mënyrë drastike kultivimin apo trafikimin ilegal të kësaj bime narkotike. Kemi arritur që të shkojmë tek shifrat minimale historike, që janë shifrat e kapura në brigjet italiane, apo në Greqi si vendet e destinacionit tradicional të kësaj bime, p.sh. në Itali kemi 900 kilogram të kapura për vitin 2020 krahasuar me dhjetëra tonelata historike. Për vitin 2020 zonat më problematike si qarqe kanë qenë: Shkodra, Durrësi, Berati, Vlora. Sigurisht ne kemi patur të dhëna që ka patur raste punonjësish policie, të cilët nuk e kanë ushtruar si duhet detyrën e tyre, por janë zbuluar nga vetë Policia e Shtetit dhe goditur po prej saj. Janë raste të izoluara dhe ky nuk është një fenomen kurrsesi. Ndaj masat e marra në Berat dhe në qarqet e tjera tregojnë vetëm angazhimin tonë të pa kompromis për të luftuar së pari brenda vetes këtë fenomen me qëllim që të pastrojmë pastaj rrënjësisht Shqipërinë nga ky fenomen i shëmtuar. Guardia di Finanzia ka bërë monitorime më shumë se çdo vit tjetër këtë vit dhe kemi patur rezultate shumë të mira bashkëpunimi me ta, dhe shumë shpejt do të realizojmë një event të madh publik për të prezantuar rezultatet e operacionit të përbashkët. Është një vit i padiskutueshëm suksesi me Guardia Di Finanzia, i përmendur edhe në Raportin e Komisionit Europian.

Janë mbi 1500 pasuri, të cilat presin radhën për vendimin përfundimtarë të gjykatës. Për rastin e Lul Berishës, nuk janë kthyer pronat që kanë qenë subjekt i punës së OFL, është një histori tjetër që ka të bëjë me Gjykatën Administrative të Durrësit. OFL ka vetëm një gjykatë të posaçme që vendos për pasuritë e sekuestruara.

Viti 2020 edhe 2019 kanë qenë vite të krijimit të kapaciteteve të reja të Policisë së Shtetit. Njësia “K” ka për detyrë kapjen e personave që i janë shmangur drejtësisë, detyra e kësaj njësie është kërkimi i këtyre personave. Ka filluar dhe janë me dhjetëra persona të kapur nga kjo njësi brenda Shqipërisë, ose jashtë.

Akti normativ me të cilin operon OFL, do të shtyhet me qëllim që t’i jepet mundësi gjykatës përfundojë proceset e vendimmarrjes. Ndërkohë që OFL, policia në vetvete e ka mbyllur dhe do e mbyll deri në fund të dhjetorit volumin kryesor të punës së saj.

Kemi plan për të vazhduar modernizimin në shumë drejtime që lidhen me Policisë e Shtetit, me policinë shkencore, me uniformat. Ndërsa për këpucët e RENEA-s është thjesht një episod bashkëpunimi, RENEA ka një marrëdhënie partneriteti me strukturën homologe në Gjermani, të cilat herë pas herë bëjnë trajnime. Këtë herë kanë sjellë një sasi këpucësh, që janë speciale për këtë qëllim.

Para të pista ka kudo, por Policia e Shtetit është e angazhuar për të bërë maksimumin e vet në drejtim të luftës kundër krimit, duke besuar që lufta kundër krimit është kontributi më i madh që ne bëjmë për të krijuar një mjedis të sigurt në tërësi, i cili është po ashtu një mjedis i sigurt për zgjedhjet në tërësi. Niveli i luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri është në maksimumet historike për arsye të kapaciteteve të shtuara, Njësia “E” është njësia e re që ka si qëllim luftimin e krimit ekonomik.

Në jetën time personale kurrë nuk kam marrë një detyrë që e kam aspiruar, detyrat i kam marrë si pasojë e kombinimit të disa rrethanave. Nuk bëj plane, i vetmi plan që bëj për jetën time është që ndjek disa parime të rëndësishme, dhe jam i bindur që  duke ndjekur disa parime të rëndësishme, eternale mbërrij atje ku duhet të mbërrij, jo ku dua të mbërrij.