Tiranë/Ministri Lleshaj dhe Zv.kryeministri i Kosovës, Tahiri nënshkruan Deklaratën e Mirëkuptimit për organizimin vjetor të Kongresit të Kryetarëve të Komunave/Bashkive - Ministria e Brendshme
Postuar më: 27/11/2020

Tiranë/Ministri Lleshaj dhe Zv.kryeministri i Kosovës, Tahiri nënshkruan Deklaratën e Mirëkuptimit për organizimin vjetor të Kongresit të Kryetarëve të Komunave/Bashkive

Tiranë – Ministri Lleshaj dhe Zv.kryeministri i Kosovës, Tahiri nënshkruan Deklaratën e Mirëkuptimit për organizimin vjetor të Kongresit të Kryetarëve të Komunave/Bashkive   VIDEO

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj priti sot në një takim pune Zv.kryeministrin e Parë të Kosovës, z. Besnik Tahiri, me të cilin nënshkroi Deklaratën e Mirëkuptimit për organizimin vjetor të Kongresit të Kryetarëve të Komunave/Bashkive.

Gjatë takimit, ministri Lleshaj nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh në nivel të të zgjedhurve vendorë dhe e konsideroi këtë nismë, si një platformë në shërbim të nxitjes së bashkëpunimit mes autoriteteve vendore, përmirësimin e komunikimit mes niveleve të ndryshme të qeverisjes midis dy vendeve.

Në bazë të Deklaratës, u shpreh vullneti për të intensifikuar dialogun e rregullt politik përmes kongresit të Kryetarëve të Komunave/Bashkive me qëllim thellimin e bashkëpunimit në nivel të qeverisjes vendore.

Palët bien dakord për identifikimin e fushave të bashkëpunimit dhe intensifikimin e komunikimit ndërmjet Bashkive të Republikës së Shqipërisë dhe Komunave të Republikës së Kosovës. Në baza vjetore, do të organizohet një kongres i përbashkët në nivel të kryetarëve të komunave e bashkive.

Aty do të paraqiten këndvështrimet e dy vendeve, me qëllim forcimin e autoriteteve vendore nëpërmjet decentralizimit dhe zbatimin e Kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore.

Kongresi synon të shërbejë si një platformë për shkëmbimin e përvojave për politikat reformuese në fushën e qeverisjes vendore si dhe të zgjerojë njohjen me tendencat ndërkombëtare dhe lehtësojë bashkëpunimin në agjendën e përbashkët në fushën e qeverisjes vendore.

Gjithashtu, – sipas Deklaratës, – vendet bien dakord të zgjerojnë bashkëpunimin në nivel kulturor, social dhe ekonomik në mes Komunave në Republikën e Kosovës dhe Bashkive në Republikën e Shqipërisë. Në të shprehet vullneti që Platforma e Kongresit të Kryetarëve të Komunave/Bashkive në të ardhmen të jetë e hapur për zgjerim edhe me shtetet fqinje në rajon, që janë të interesuara për bashkëpunim.

Gjithashtu theksohet se përmes Kongresit synohen të arrihen disa objektiva:

  • Shkëmbimi i informacioneve dhe njohurive në lidhje me modelet, proceset, praktikat nga të dyja shtetet;
  • Investimi për realizimin e reformave në fushën e qeverisjes vendore, në veçanti lidhur me kërkesat e agjendës për integrimin europian;
  • Nxitja e procesit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, për forcimin e axhendës së qeverisjes vendore.

Nga një Koordinator i caktuar kombëtar do të jetë pikë kontakti për koordinimin dhe për organizimin e Kongresit.

“Për shkak të pamundësisë së mbledhjes fizike të Kongresit, prej pandemisë Covid19, mbledhja mund të zhvillohet edhe përmes platformave online”, thuhet në deklaratën e mirëkuptimit të nënshkruar nga Lleshaj dhe Tahiri.