Intervista në RTSH/Ministri Lleshaj: Operacioni Forca e Ligjit, 1500 pasuri presin vendimmarrjen e gjykatës së posaçme - Ministria e Brendshme
Postuar më: 24/11/2020

Intervista në RTSH/Ministri Lleshaj: Operacioni Forca e Ligjit, 1500 pasuri presin vendimmarrjen e gjykatës së posaçme

Pjesë nga intervista e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në emisionin PËRBALLË, në #RTSH me gazetarin Lutfi Dervishi  VIDEO

KTHIMI I LIGJIT TË POLICISË SË SHTETIT, NGA PRESIDENTI

Kthimet e ligjeve nuk përbëjnë më lajm për arsye se është kthyer në procedurë standarde refuzimi i ligjeve që Parlamenti i Shqipërisë i dërgon Presidentit.

Ndryshimet e bëra në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, vetëm synojnë t’i japin asaj disa instrumente që i kanë munguar, që Policitë e tjera i kanë natyrshëm në arsenalin e kapaciteteve në dispozicion.

Pra, i ka dhënë vetëm disa atribute elementare dhe të natyrshme, siç është p.sh. ai i mbikëqyrjes vizuale. Nuk bëhet fjalë për përgjim, por për mbikëqyrje vizuale.

E gjithë kjo për sa flasim është thjesht një lëvizje politike e presidentit për të mbajtur gjallë këtë konflikt me qeverinë, nuk ka asnjë përmbajtje.

Ligji ka kaluar testin e konsultimeve edhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilët edhe po të kishin konstatuar rrezik për të drejtat e njeriut në Shqipëri do të na e kishin thënë.

OFL – REZULTATET

Lidhur me Operacionin Forca e Ligjit, krimi nuk luftohet me një mandat një vjeçar. Ne po rregullojmë një çështje të kaluar, një hipotekë të krimit, për arsye se krimi i organizuar sot duhet në çdo rast të përballet me prokurorinë dhe me gjykatat. Pra, çdo hetim që fillon sot rishtas për një çështje penale automatikisht shoqërohet edhe me hetimin e pasurisë. Krimi i organizuar duhet të japë llogari për pasuritë e tij.

Problemi ishte se në Shqipëri ndërkohë ishte akumuluar një sasi e madhe pasurish të gjeneruara nga krimi, të cilat nuk kishin kaluar në një skaner të drejtësisë. Kemi të bëjmë me një proces administrativ, jo penal.

Ndikuar edhe nga ngarkesa e madhe që solli pandemia, kanë ndryshuar disa nga supozimet bazë, dhe do të na duhet ndoshta që të mendojmë për një amendim të ligjit. Do të kërkohet një shtyrje e afatit të vlefshmërisë së ligjit në mënyrë që të paktën procedura që tashmë janë pranë gjykatës të mund të mbyllen. Do të lihet pa kohë, do të kushtëzohet me mbylljen e çdo procesi të nisur.

Nga 1500 pasuri që presin vendimmarrjen e gjykatës së posaçme, 750 prej tyre janë pasuri të paluajtshme, 200 çështje janë, por në bazë të këtyre çështjeve janë rreth 1500 pasuri. Pasi ka shumë raste që pas një personi janë një listë e tërë pasurish, të shumta. Janë kryesisht pasuri të paluajtshme, 750 prej tyre. Mbi 230 janë biznese të ndryshme, aktivitete tregtare, janë 400 e disa pasuri të luajtshme, e diku te 14 llogari bankare. Pra, është një operacion mjaft voluminoz, një histori suksesi e padiskutueshme.

OFL prek vetëm personat që janë të dënuar penalisht për një vepër. Në ligj janë të parashikuara 31 vepra penale, nëse personat janë të dënuar për këtë kategori veprash, patjetër që OFL do ti dërgojë kërkesa për sekuestro. Në qoftë se dikush ka qenë i dënuar për korrupsion dhe atij gjatë procesit i është evidentuar një anomali midis të ardhurave dhe pasurive që disponon sigurisht që është dërguar kërkesa.

Deri tani gjykata ka dhënë vendim sekuestrimi për 83 raste, ose 415 pasuri të paluajtshme, të luajtshme, apo edhe aktivitete tregtare. Janë 225 pasuri të paluajtshme, 119 pasuri të luajtshme, 69 aktivitete tregtare dhe 2 llogari bankare, që janë sekuestruar dhe janë marrë në administrim nga agjencia përkatëse.

Për emrat konkretë, ne nuk kemi dashur të bëjmë lançim publik, për të ruajtur të drejtat që janë normale sot.

OFL-ja ka punuar mbi bazën e informacionit: së pari ka identifikuar të gjithë personat që janë subjekt i ligjit, që janë dënuar për një vepër penale të parashikuar nga ligji si e tillë. Pastaj përmes informacionit të grumbulluar vetë apo agjencitë e tjera ka identifikuar pasuritë e regjistruara në emër të këtyre subjekteve apo të personave të lidhur me ta. Pas kësaj analize e cila ka kërkuar shumë punë, ka filluar procedurën rast pas rasti. Mund të them që për çdo rast janë disa qindra mijëra faqe dokumente të mbledhura për t’u paraqitur në gjykatë.

Ka patur një numër të vogël rastesh që gjykata i ka kthyer, ose për plotësim, ka patur raste edhe që i ka refuzuar, kur ka konstatuar që të ardhurat janë të atilla që justifikojnë pasurinë përkatëse.

Në thelb dua të them që është bërë një punë shumë e thellë për mbledhjen e informacionit, kanë punuar me dhjetëra agjenci të shtetit shqiptar, duke filluar nga Tatimet, Doganat, Kadastra, Shërbimet inteligjente, Policia, Pastrimi i parave etj.

Publiku ka kontribuar rast pas rasti me informacion.

OFL nuk i dërgon formularët me përzgjedhje. Ka ende shumë shqiptarë që janë dënuar jashtë vendin dhe ende nuk është reflektuar në regjistrat tanë, për arsye se shteti përkatës ende nuk ka përcjellë dokumentet zyrtarisht.

Pra, këto subjekte që pasqyrohen edhe në media mund të dihet, njihen publikisht, por duhet të dihet juridikisht ky fakt që OFL të veprojë. Ju kemi përcjellë ftesa zyrtare të gjithë shteteve me të cilët bashkëpunojmë, tek të cilat besojmë që gjenden informacione për këtë qëllim, dhe jemi në pritje të përgjigjeve zyrtare.

SPAK është një filtër në proces penal, verifikon, certifikon pak a shumë një proces dhe i përcjell në gjykatë, sepse barra e provës është e qytetarëve. Gjykatën e mirëkuptoj për ngarkesën, por mirëkuptoj edhe nevojën publike që kjo çështje të zgjidhet.

Në momentin që pasuritë konfiskohen, ose sekuestrohen ato administrohen nga agjencia përkatëse e administrimit të këtyre pasurive, e cila ka detyrën ligjore që t’i vërë këto asete në dobi të publikut.

Së pari duke i vënë në dobi të policisë dhe të prokurorisë, të cilat janë strukturat që kontribuojnë në heqjen e këtyre pasurive nga bota e krimit. Pastaj një pjesë tjetër në dobi të shoqërisë civile, shoqërisë në përgjithësi dhe institucioneve të tjera shtetërore. Brenda këtij viti do të merren vendimet e para, një pjesë e madhe i shkon Policisë dhe Prokurorisë së posaçme.

A DO TË SHTYHET AFATI I AKTIT NORMATIV PËR OFL?

Pjesa policore e këtij procesi duhet të mbyllet me 31.12.2020, ndërkohë që gjithçka që ka mbërritur në dyert e prokurorisë në 31.12.2020 duhet të marrë gjithë kohën për të kaluar procesin Prokurori-Gjykatë.

Më tej do shohim mundësinë e amendimit në ligjin “Antimafia” në mënyrë që ky të jetë një proces i përhershëm, derisa të zbardhet pasuria e çdokujt që ka një barrë kriminale.

Kostoja e OFL është kostoja e personelit që punon për këtë. OFL përbëhet kryesisht nga djem dhe vajza të rinj që kanë përfunduar universitetin me rezultate të shkëlqyera në degë si: ekonomia, financa, informatika, jurisprudenca që janë trajnuar dhe janë bërë oficerë të policisë kriminale. Pra, janë njerëz që punojnë në fushën e “neuroneve” plotësisht dhe shumica e OFL-së është këtu, ndërsa ju keni parë vetëm “gjymtyrët”, që ndërhyjnë në terren.

PËRBALLIMI I PANDEMISË COVID-19

Gjatë pandemisë, Policia ka mbajtur një barrë shumë të madhe, kryesore. Policia ka mbajtur barrë por ka paguar edhe një çmim, shumë punonjës policie janë prekur, një pjesë prej tyre kanë dhënë jetën.

RAPORTI I AVOKATIT TË POPULLIT PËR VEPRIMET E POLICISË NË MBËSHTETJE TË AUTORITETEVE QË SHEMBËN TEATRIN

Lidhur me teatrin, Policia është një instrument që i bindet organeve ligjërisht të zgjedhura dhe përfaqësueseve legjitim. Nuk vepron me iniciativën e saj, por bazuar në ligj. Për çështjen e teatrit, ka shkuar në mbështetje të strukturave lokale, jo operacion policor i iniciuar prej saj. Për fat të keq shoh një njëanshmëri të theksuar në raportin e Avokates së Popullit. Policia nuk mund të akuzohet për diçka për të cilën nuk është përgjegjëse.

Ka patur shumë raste punonjësish policie që janë penalizuar për arsye të ndryshme dhe rastet janë rritur. Nëse bëjmë një statistikë të rasteve, punonjësit e policisë që janë penalizuar apo ndëshkuar, qoftë nga Drejtoria e standardeve të Policisë, qoftë nga SHÇBA-ja, numrat janë në rritje.

LUFTA KUNDËR KULTIVIMIT TË KANABISIT

Sot ne jemi në nivelin më të ulët historik të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në Shqipëri. Viti 2020 ka qenë i karakterizuar nga kapacitete të reja dhe përpjekje e madhe. U arrit fuqizimi i Policisë së Shtetit me një numër të konsiderueshëm punonjësish të rinj, u shtuan kapacitetet logjistike, flota e automjeteve, flota e dronëve, u shtua angazhimi dhe u bë e mundur që presioni i ushtruar prej vitesh të njoh një rritje të re.

Suksesin e kultivimit të kanabisit e matim tek tregu i këtij produkti. Ky është një produkt kriminal që synon një treg të caktuar, dhe tregu i këtij janë vendet fqinje kryesisht Italia e Greqia. Konstatojmë që në Itali në vitin 2020 janë kapur 911 kilogram kanabis deri tani, që është sasia me e ulët që kur këto vlera janë matur në brigjet përballë.

Lufta kundër kanabisit dhe lufta kundër aseteve kriminale janë dy faktorët kryesor të presionit mbi krimin gjë që kanë çuar në një tkurrje të panjohur më parë të kriminalitetit në vend.

Numri i të gjitha veprave kriminale kryesore në vend që nga vrasja, dhuna dhe vrasja në familje, trafikimi i armëve, e vepra të tjera kanë njohur në 2020 reduktim të ndjeshëm krahasuar me vitin 2019. Pasi nëse krimit i shterohen burimet e financimit, krimi tkurret automatikisht.

Lufta ndaj krimit është në radhë të parë një luftë për të mbajtur integritetin e organizatës së Policisë, një organizatë pa integritet nuk mund të bëjë luftë kundër krimit. Janë shkarkuar punonjës policie jo vetëm në Skrapar, por në të gjithë Shqipërinë, ka procese që janë në Prokurori.

Duam që kanabisin mos ta luftojmë në mal por ta luftojmë në qytet, aty ku janë rrjetet e financimit, të furnizimit me fara, e të tjera me radhë. Të luftohet në embrion, dhe tashmë e kemi krijuar hapësirën dhe frymëmarrjen e re që të merremi herët me këtë fenomen.

#MëshumëSiguri