Antikanabisi-Analizat e DVP Berat, Vlorë, Shkodër e Durrës/Ministri Lleshaj: 2020, viti i angazhimit dhe sukseseve më të mëdha. Operacionin për 2021 e fillojmë tani - Ministria e Brendshme
Postuar më: 23/11/2020

Antikanabisi-Analizat e DVP Berat, Vlorë, Shkodër e Durrës/Ministri Lleshaj: 2020, viti i angazhimit dhe sukseseve më të mëdha. Operacionin për 2021 e fillojmë tani

23 Nëntor, BeratPrononcim për mediat i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, pas analizës së zhvilluar me strukturat drejtuese të DVP Berat dhe Komisariatet e kësaj Drejtorie:

Ministri Lleshaj: Ne sot kemi ardhur këtu në Berat për të zhvilluar një analizë lidhur me masat e marra për luftën ndaj fenomenit të kultivimit të kanabisit në këtë qark. Kemi parë që në qarkun e Beratit ka patur angazhim të madh. Jo kudo! Në tërësinë e vet misioni i Policisë është realizuar, megjithëse kemi patur një problem të shtuar në zonën e Skraparit, ku sivjet ka patur disa raste kultivimi, të cilat janë identifikuar dhe goditur nga vetë strukturat e Policisë së Shtetit, por jo nga strukturat e Komisariatit të Skraparit.

Megjithatë e rëndësishme është të theksohet që edhe në Berat, në të gjitha Komisariatet e Drejtorisë Vendore të Beratit ashtu si në të gjithë Shqipërinë, lufta është zhvilluar me intensitet dhe rezultatet janë shumë të mira dhe shumë inkurajuese. Më shumë sesa analiza e vitit 2020, qëllim i këtij takimi ishte fillimi i zbatimit të planit të masave për vitin 2021.

Ne synojmë që të gjitha tentativat për kultivim të kanabisit në Shqipëri për vitin 2021, për ata që i gënjen mendja që mund të përfshihen në veprimtari kriminale duam t’i luftojmë në një fazë shumë të hershme. Ndaj edhe operacioni për goditjen e fenomenit do të fillojë menjëherë dhe brenda muajit janar ne do të zhvillojmë një analizë për arritjet e kryera nga strukturat e Policisë në të gjithë vendin në luftën kundër kanabisit.

Njëkohësisht e shfrytëzoj dhe vizitën në Berat edhe praninë e medias këtu, edhe për të bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të angazhohen në respektimin e masave kundër Covid-it. Është një angazhim i rëndësishëm. Policia e Shtetit po mban një barrë të madhe. Që nga fillimi pandemisë dhe deri më sot Policia ka qenë në frontin e parë të kësaj lufte, ka kryer një volum shumë të madh detyrash, ka arritur shumë, edhe ka paguar shumë për faktin se një numër jo i vogël punonjësish policie janë prekur nga pandemia, një numër shqetësues punonjësish të Policisë ka humbur edhe jetën nga pasojat e Covid-it.

Ndaj është me rëndësi, për t’u bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bëjmë çmos për ta vijuar luftën, për të duruar ende në mënyrë që sakrificat e bëra deri tani, të mos shkojnë dëm, në mënyrë që punonjësit e vijës së parë, siç janë mjekët dhe punonjësit e Policisë të mos rëndohen në mënyrë shtesë, por të mbështeten nga të gjithë qytetarët, në mënyrë që së bashku ta përballojmë këtë pandemi, e cila shpresojmë, dalëngadalë t’i afrohet fundit falë edhe pas shpresave të reja, që janë hapur pas zbulimit dhe prodhimit të vaksinave të para.

Pyetje: Z. Ministër kisha vetëm një pyetje në lidhje me DVQ Berat, duke e krahasuar me qarqet e tjera, si renditet kjo Drejtori në realizimin e objektivave, në kriminalistikën dhe në vepra të tjera?

Ministri Lleshaj: Ne nuk bëmë ndonjë klasifikim të drejtorive, sigurisht drejtoria e Beratit ka tregues pozitivë. Në përgjithësi, qarku i Beratit është një qark me tregues pozitivë, dhe ne dimë ta vlerësojmë këtë angazhim të strukturave të Policisë në qarkun e Beratit. Thashë, kemi patur një vërejtje që vazhdojmë ta kemi, lidhur me Skraparin, por e cila do të gjejë adresimin e duhur, e ka gjetur ndërkohë dhe do të vazhdojë ta gjejë adresimin e duhur për të mos u përsëritur asnjëherë në të ardhmen fenomene të tilla që s’na bëjnë mirë, as nder.

Pyetje: A ka pasur të implikuar në Skrapar?

Ministri Lleshaj: Po ka patur të implikuar, në nivele të ndryshme, nga niveli i moskryerjes së detyrës apo shpërdorimit të saj, ose edhe më tej. Faleminderit.

20 Nëntor,  Vlorë Prononcim për mediat i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, pas analizës së zhvilluar me strukturat drejtuese të DVP Vlorë dhe komisariatet e kësaj Drejtorie:

Ministri Lleshaj: Ne jemi sot në Vlorë për të dialoguar në një analizë lidhur me masat dhe rezultatet e arritura nga Drejtoria Vendore e Policisë në luftën kundër tentativave për kultivimin e kanabisit në qarkun e Vlorës.

Rezulton se puna e bërë nga drejtoria vendore e ka plotësuar misionin, pra DVP Vlorë ka arritur të godasë fort fenomenin e kultivimit të kanabisit në gjithë qarkun e Vlorës duke shënuar rezultate të rëndësishme.

Krahas rezultateve ka pasur dhe mangësi, të cilat ne i evidentuam dhe për të cilat janë marrë dhe do të merren masa, për ato raste kur ka pasur mangësi, për arsye se kemi pasur tentativa të shkëputura.

Megjithatë e rëndësishme për publikun është të thuhet se në të gjithë vendin, lufta kundër kanabisit këtë vit ka shënuar rezultate shumë inkurajuese.

Kjo vërehet në sasinë e kanabisit të kapur, të sekuestruar, nga autoritetet e vendeve fqinje, vende të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten destinacion i kësaj veprimtarie të paligjshme. Duhet thënë se angazhimi ynë për luftën kundër kanabisit do të vijojë të thellohet, megjithëse thashë që rezultatet janë shumë të mëdha deri tani. Bashkë me përfundimin e operacionit për vitin 2020, fillon tani operacioni i Policisë në gjithë vendin për të goditur tentativat për vitin 2021.

Synohet që këtë vit qasja të ndryshojë, të goditet në një mënyrë tjetër, përmes hetimeve pro-aktive. Përmes kërkimit dhe gjetjes së rrjeteve të furnizimit me fara dhe me elementë të tjerë, me qëllim që brenda muajit mars, ne të kemi mundësi të bëjmë një bilanc të angazhimit të Policisë së Shtetit kundër tentativave të kanabisit. Ne jemi të bindur se lufta kundër kanabisit është në thelb një luftë kundër krimit në tërësi në vend. Për arsye se kanabisi dhe veprimtari të tjera të bashkëlidhura me të, janë gjeneratori kryesor i të gjithë veprimtarisë, ose një pjese të madhe të veprimtarisë kriminale në vend.

Goditja e fortë e kohëve të fundit, qoftë kundër kanabisit, qoftë kundër pasurive të gjeneruara nga veprimtaritë kriminale ka sjellë si rezultat që e gjithë tabloja e kriminalitetit në vend të pësojë një tkurrje të ndjeshme.

Të gjitha figurat e krimit, pra të gjitha veprat kriminale të regjistruara për vitin 2020, shënojnë një reduktim të ndjeshëm edhe krahasuar me vitin 2019. Sigurisht krahasuar me vitet e mëparshme janë akoma më ulët.

Ndaj ne do ta vazhdojmë këtë betejë, në dy fronte të rëndësishme: luftën kundër kanabisit dhe goditjen e pasurive kriminale të gjeneruara prej tij dhe prej veprimtarive të tjera. Të dy këto, besoj të dy këto fronte, do të na garantojnë që ne t’i mbajmë parametrat e sigurisë në vend në nivel optimal dhe t’i përmirësojmë përherë në të ardhmen.

Pyetje: Z. Lleshaj ju përmendët edhe mungesë performance sa i përket Komisariatit të Vlorës, arritët të vijoni me shkarkimin, më saktë, kujtojmë zëvendësimin e shefit të  Komisariatit të Vlorës dhe atij të Himarës, a do të thotë kjo që kemi një përfshirje të mundshme në veprimtari kriminale?

Ministri Lleshaj: Nuk flasim për veprimtari kriminale, flasim për përmbushje ose mospërmbushje të detyrës. Sigurisht që mangësitë e evidentuara në aspekte të veçanta të punës këtu kanë sjellë edhe ndërhyrje në fushën e personelit, në Vlorë edhe në qarqe të tjera.

Ne jemi absolutisht të qartë këtu, vlerësimi i performancës është kriteri kyç për secilin. Puna e kujtdo matet me rezultatet në terren. Ne nuk mund të mbajmë paralelisht edhe punonjës policie që nuk bëjnë detyrën edhe veprimtari kriminale që zhvillohen në terren, ose njëra, ose tjetra. Ose krimi do të tkurret dhe Policia do të jetë detyrën e vet, ose e kundërta. Ai që nuk arrin të përballet duhet të tërhiqet, patjetër.

Pyetje: Megjithatë ju thatë se do të ketë masa ndaj këtyre personave që nuk e kanë përmbushur detyrën në punë. Çfarë i referoheni me masa?

Ministri Lleshaj: Masat janë marrë dhe vazhdojnë të merren në vijimësi ndaj të gjithë atyre punonjësve të Policisë që nuk arrijnë dot të performojnë në nivelin e kërkuar.

Pyetje: Po përsa i përket pasurive të ngritura nga krimi?

Ministri Lleshaj: Pasuritë e ngritura nga krimi, janë objekt i madh i punës së Policisë së Shtetit. Ju jeni të gjithë dëshmitarë të funksionimit të “Operacionit Forca e Ligjit”, i cili synon pikërisht goditjen e pasurive të gjeneruara nga krimi. Duam të përcjellim një mesazh të madh tek të gjithë ata që janë futur, apo tentojnë të futen në rrugën e krimit, duke thënë se çfarëdo që të bëhet do të vijë një ditë që pasuria do të merret. Çdo aktivitet kriminal, çdo njeri që joshet, apo gabohet dhe futet në rrugën e krimit, duhet të jetë i qartë që pasuritë që mund të gjenerohen, vjen një ditë që merren.

Dhe rezultatet e deritanishme të “Operacionit Forca e Ligjit” flasin për një numër shumë të madh, qindra e qindra pasurish, të rëndësishme, pasurish të paluajtshme, biznese e të tjera me radhë që janë sekuestruar dhe janë në rrugën e konfiskimit dhe vënies në shërbim të publikut, sepse do vihen në dispozicion të publikut.

Pyetje: Nëse flasim për të zhdukurit në Vlorë, është një problematikë, mungon, çalon bashkëpunimi me Prokurorinë apo nuk është forca e Policisë? I referohem rastit të fundit të Lepenicës, ende i zhdukuri pa asnjë gjurmë?

Ministri Lleshaj: Unë nuk njoh një fenomen në Vlorë, ka patur raste në Vlorë dhe në vende të tjera, të cilët Policia ka hapur proces penal të hetimit…

Gazetarja: … vetëm 4 nga 22, nga 2016-ta e në vijim, vetëm 4 raste janë referuar në prokurori nga 22 të zhdukur?

Ministri Lleshaj: Kush e thotë që janë 22 të zhdukur?!

Gazetarja: Kështu janë të paktën publikimet e familjarëve.

Ministri Lleshaj: Legjendat?! Jo, jo, duhet të flisni për referimin. Në qoftë se janë referuar 4, janë katër të zhdukur, jo 22.

Gazetarja: Jo, janë referuar në polici 22 dhe nga këto, në prokurori janë 4.

Ministri Lleshaj: Jo, kjo e dhënë nuk është e jona, megjithatë duhet të bëjmë një dallim mes legjendës dhe realitetit.

Gazetarja: I referohemi nga 2016-ta e në vijim, jo për sot.

Ministri Lleshaj: Sigurisht që Policia përgjigjet për rastet, të cilat referohen pranë zyrave të saj. Ne evidenca nuk na tregon që ka raste kaq të shumta, por ka më shumë një legjendë të krijuar dhe të mbështetur nga ata që nuk e di pse e mbështesin këtë ide, por kjo nuk na rezulton reale.

Pyetje: Ka pasur një akuzë ditëve të fundit, sa u përket listave zgjedhore, a keni ndonjë përgjigje për opozitën?

Ministri Lleshaj: Për listat zgjedhore, Ministria e Brendshme ka bërë një deklaratë lidhur me këtë, duke përgënjeshtruar dhe hedhur poshtë me vendosmëri të gjithë zërat që përpiqen të krijojnë një klimë dezinformimi në radhët e qytetarëve sa u përket listave zgjedhore. Listat zgjedhore janë publikuar tashmë dy herë në Shqipëri, pra nga fillimi i muajit tetor e deri tani janë publikuar dy herë. Në fillim të dhjetorit do të jetë ekstrakti i tretë që publikohet.

Nuk kemi asnjë rast konkret që një qytetar të ketë shkuar, të ketë verifikuar emrin e tij në listën zgjedhore pranë Njësive Administrative, ose online në e-Albania, dhe të ketë thënë që më kanë lëvizur Qendrën e Votimit, – nuk kemi asnjë rast.

Kemi vetëm pretendime politike, të pambështetura dhe të gënjeshtërta, të cilat mundohen të krijojnë një tym, që në fakt nuk mund të krijohet, sepse realiteti është aq kokëfortë, është aty. Çdokush prej jush, çdo qytetar i këtij vendi ka mundësinë sot të shkojë te Njësia e tij Administrative dhe të shohë emrin e tij në listën zgjedhore. Do të konstatojë ai që është aty ku ka qenë. Ose mund të futet në e-Albania dhe ta verifikojë këtë, pa u lodhur për të shkuar tek Njësia Administrative, ta verifikojë që Qendra e tij e Votimit nuk është e ndryshuar dhe nuk mund të ndryshohet.

Qendra e Votimit mund të ndryshohet vetëm me pëlqimin e qytetarit. Është vetëm qytetari që e vendos nëse do të transferohet në një Njësi tjetër Administrative apo jo, kundrejt plotësimit të kushteve ligjore. Të gjitha të tjerat janë përralla dhe vetëm përralla, të cilat u bëjnë dëm dhe nuk nderojnë autorët e tyre, vetëm kaq. Është krejtësisht e pamundur. Kjo histori është një zero e madhe. Faleminderit.

18 Nëntor,  ShkodërPrononcimi për mediat i ministrit Lleshaj, pas analizës së zhvilluar me strukturat drejtuese të DVP Shkodër dhe Komisariateve të kësaj Drejtorie:

Ministri Lleshaj: Sapo përfunduam një takim që lidhet me analizën që po bëjmë në përfundim të angazhimit të Policisë në Shkodër kundër tentativave për kultivimin e kanabisit.

Konstatojmë me kënaqësi që puna e bërë gjatë këtij viti, për të goditur çdo tentativë kundër kanabisit në Qarkun e Shkodrës, ka dhënë rezultate shumë të mira. Ashtu si në gjithë Shqipërinë, edhe në Shkodër është goditur fort në të gjitha skajet, sepse tashmë kanabisi ka mbërritur në skajet më të larta të territorit të vendit, si në Shkodër dhe në të gjithë Shqipërinë. Në parcela të vogla, tentativa të shkëputura por gjithsesi angazhimi ynë është për ta goditur në vijueshmëri.

Analiza e sotme nuk ishte thjesht analiza e vitit 2020, por ishte edhe fillimi i operacionit për vitin 2021, operacion, i cili do të synojë ta konsolidojë më tej suksesin e arritur dhe ta zhbëjë përfundimisht kanabisin nga historia e angazhimeve tona.

Pyetje: Z. Ministër në një mbledhje në muajin maj, keni thënë që evidentohet parcela me kanabis në Shkodër apo të gjithë Shqipërinë, të parët, për të cilët do të merren masa, do të jenë drejtues të policisë. Në Shkodër janë evidentuar vazhdimisht, madje kemi pasur edhe dy vrasje të bëra për shkak të kultivimit të lëndëve narkotike. Janë marrë masa siç keni thënë?

Ministri Lleshaj: Sigurisht që masat merren atëherë kur konstatimi bëhet dhe konstatohet njëkohësisht që drejtuesit janë jashtë dijenisë. Në qoftë se konstatimet dhe goditjet bëhen nga vetë strukturat, atëherë nuk ka vend për goditje, sepse ne nuk mund të godasim një drejtues, i cili godet fenomenin e kanabisit.

Kur kemi pasur konstatime nga lart, pra kur Drejtoria Qendrore ka arritur të konstatojë gjëra që në nivelin vendor nuk kanë qenë të njohura, atëherë ka pasur masa edhe për drejtues të strukturave vendore. Besoj ju keni dijeni për këtë, edhe për Qarkun e Shkodrës konkretisht.

Pyetje: Si verifikohet që nuk kanë pasur dijeni? Si mund të verifikohet që drejtues të policisë nuk e njohin territorin pëllëmbë për pëllëmbë?

Ministri Lleshaj: Në qoftë se konstatimi bëhet nga lart, pra në qoftë se strukturat eprore gjejnë bimë narkotike në territor, të panjohur nga strukturat vendore, atëherë strukturat vendore mbajnë përgjegjësi për këtë. Dhe kjo është aplikuar dhe do të aplikohet në të gjithë vendin, edhe në vijim.

Pyetja: A keni ndonjë person të ndëshkuar?

Ministri Lleshaj: Ka. Ka pasur.

Pyetje: Meqenëse jeni duke folur me shifra, nuk ka pasur një pasqyrë të sipërfaqeve të kultivuara?

Ministri Lleshaj: Ka pasur shifra dhe ne publikojmë, në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, i shihni shifrat në mënyrë ritmike, periodike, për arsye se ne nuk kemi asgjë për të fshehur.

Sivjet, në nivel të përgjithshëm, në territorin e Shqipërisë, ka pasur dy gjëra që vlejnë për vëmendjen tuaj: e para, ka pasur një intensitet të lartë të kontrollit për arsye se Policia ka pasur më shumë kapacitete në dispozicion për të kontrolluar territorin, më shumë mjete, logjistikë shumë të madhe, më shumë orë fluturimi nga misionet e monitorimit ajror, qoftë të huaja, qoftë të vendit, ka pasur më shumë një flotë të madhe dronesh në përdorim, pra ka pasur shumë kapacitete dhe shumë angazhim, e për rrjedhojë sivjet janë gjetur dhe asgjësuar më shumë bimë narkotike, sesa vitin që shkoi.

Kjo nuk do të thotë që sivjet është kultivuar më shumë, por sivjet është goditur më shumë. Pse? Sepse ne shohim një tregues tjetër që e provon këtë. Se pyetja shtrohet a ka më shumë kanabis në treg sivjet nga një vit më parë? Ne themi jo, për arsye se destinacionet e kanabisit me origjinë nga Shqipëria që janë Italia, Greqia dhe Mali i Zi kanë provuar se në vitin 2020, sasia e sekuestruar në këto vende është shumë herë më e ulët sesa sasia e sekuestruar në vitin 2019. Nuk po flas për vitet e mëparshme.

Për t’ju dhënë një shembull, sivjet në Itali janë sekuestruar deri tani, vetëm 911 kg kanabis nga Shqipëria, ndërkohë, që në këtë vend, në vitet e shkuara janë kapur tonelata e tonelata të tëra. Do të thotë që prodhimi ka rënë në mënyrë të ndjeshme dhe një tregues tjetër që provon këtë është edhe çmimi i kësaj lënde narkotike në tregun e zi i cili ka arritur në nivele stratosferike, krahasuar me historinë.

Pyetje: Ju e dini shprehjen e famshme që “sa më shumë korret, aq më shumë mbillet”. A janë të frikshme paratë e krimit, e të drogës që mund të përdoren nga elementë kriminalë në fushatë elektorale?

Ministri Lleshaj: Kjo shprehje, nuk e di se nga vjen, s’e kam dëgjuar ndonjëherë këtë shprehjen që sa më shumë mbillet, aq më shumë korret.

Megjithatë do t’ju them se nuk shoh ndonjë lidhje këtu (me fushatën elektorale).

E para, duhet mbajtur në konsideratë fakti që ne po angazhohemi shumë dhe duam që edhe këtë vit, betejën me kanabisin ta përfundojmë përpara se fushata elektorale të fillojë. D.m.th. të shterojmë çdo përpjekje, çdo tentativë për të pasur interferenca të elementëve kriminalë në këtë fushë.

Angazhimi ynë është i madh dhe unë mund t’ju garantoj që kjo punë do të ketë sukses të padiskutueshëm, siç ka pasur edhe në këtë vit që kaloi.

Pyetje: A ka qenë në lartësinë e duhur bashkëpunimi me prokurorinë dhe organet e tjera ligjzbatuese në këtë luftë që policia nuk mund ta bëjë e vetme, sa i përket hetimeve të thelluara, por edhe goditjes së këtyre elementëve?

Ministri Lleshaj: Bashkëpunimi mes Policisë dhe organeve të tjera ligjzbatuese, specifikisht me Prokurorinë, ka njohur një përmirësim të jashtëzakonshëm.

Sidomos arkitektura e re e sistemit të drejtësisë, krijimi i Prokurorisë së Posaçme, ka bërë që niveli i bashkëpunimit midis Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë në tërësi, dhe Prokurorisë së Posaçme në veçanti, të njohë rritje të madhe, dhe prapa këtij bashkëpunimi qëndrojnë edhe disa nga sukseset kryesore që janë arritur në periudhën për të cilën ne flasim. Faleminderit.

16 Nëntor, DurrësPrononcimi për mediat i ministrit Lleshaj, pas analizës së zhvilluar me strukturat drejtuese të DVP Durrës dhe Komisariateve të kësaj Drejtorie:

Ministri Lleshaj: Sot zhvilluam një analizë në Drejtorinë Vendore të Qarkut Durrës, kryesisht me dy çështje në diskutim. E para ishte ajo që lidhet me luftën kundër tentativave për kultivim të kanabisit në këtë qark. Bëmë bilancin e punës së këtij viti, si dhe filluam, si të thuash, operacionin e ri për vitin 2021, i cili do të jetë po ashtu një thellim i mëtejshëm i angazhimit tonë në luftën kundër kanabisit në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë. Por e filluam nga Durrësi për arsye se në Durrës, specifikisht në Krujë, kemi patur shqetësime kronike prej shumë kohësh. Dhe ka ardhur koha që intensiteti i punës dhe i luftës së policisë ndaj këtij fenomeni në këtë rajon, të thellohet në mënyrë që të zhbëhet përfundimisht ky fenomen nga Shqipëria dhe nga Qarku i Durrësit.

Dua të them që viti 2020 shënon vitin e angazhimit më të madh dhe të sukseseve më të mëdha në luftën kundër kanabisit. Kjo matet në dy tregues kryesorë: treguesi i parë kryesor është sasia që kapet në vendet e destinacionit tradicional, Itali, Greqi, sasi e cila ka zbritur në minimumet historike. Po them që vetëm në këtë vit janë kapur në Itali gjithsej 911 kilogram, nga sasi shumë të mëdha që janë kapur historikisht në këtë vend, po kështu edhe në vende të tjera. Megjithatë angazhimi ynë është që ky fenomen të zhbëhet në themel.

Ne duam që luftën e operacionin e ri të 2021 ta fillojmë tani. Do fillojë që tani në të gjithë vendin në mënyrë që të lirohen krahët e Policisë për të kryer edhe detyra të tjera, të cilat do të jenë të pashmangshme në kuadër të angazhimit të saj për garantimin e procesit zgjedhor në vitin 2021. Kjo ishte çështja e parë.

Çështja e dytë, diskutuam masat që kanë të bëjnë me luftën kundër Covid-it. Ende vazhdojmë të jemi në kulmin e një angazhimi të madh për të përballuar këtë pandemi. Policia e Shtetit është e angazhuar dhe do të jetë po ashtu në terren për të implementuar ato masa që janë përgjegjësi e saj.

Ndërkohë që unë gjej rastin t’u bëj thirrje qytetarëve për bashkëpunim. Është me rëndësi jetike që këtë sakrificë të madhe që kemi bërë të gjithë së bashku përgjatë muajve të këtij viti, ta vazhdojmë edhe në këtë periudhë të mbetur e cila po shkurtohet, besojmë të gjithë që po shkurtohet periudha që ka mbetur e luftës, por është me rëndësi që të mos lëshojmë tempin e angazhimit tonë në këtë front shumë të rëndësishëm.

Është me rëndësi që çdo qytetar të bëjë pjesën e tij, të kufizojë në maksimum ato lëvizje që nuk janë të domosdoshme; të rinj dhe të reja, të moshuar dhe gjithë të tjerët, duhet të kufizojnë maksimalisht daljet e panevojshme, në mënyrë që të reduktojmë sa më shumë riskun e përhapjes së mëtejshme të infektimit.

Ndërkohë që strukturat e Policisë, por edhe strukturat e pushtetit vendor, prefektët, me institucionet e tyre dhe bashkitë, me agjencitë dhe strukturat e tjera në nivel qarqesh, do të angazhohen në ditët në vijim në kuadër të zbatimit me konsekuencë të masave të shumta që janë të domosdoshme për ta përballuar këtë situatë.

Pyetje: Si konsiderohen personat që janë të prekur me Covid por që thyejnë karantinën? Ka ndonjë urdhër, ka shumë raste?

Ministri Lleshaj: Sigurisht që shifrat tashmë janë ato që njihni, pra shifrat e personave të prekur janë të mëdha dhe monitorimi fizik i tyre nuk është një çështje aq e thjeshtë. Ne po punojmë, në bashkërendim të Policisë së Shtetit me strukturat e pushtetit vendor, për të arritur të bëjmë të mundur monitorimin e tyre dhe për të mundësuar edhe aplikimin e sanksioneve të domosdoshme.

Gjej rastin t’i bëj thirrje kujtdo që konstaton persona të infektuar, që janë në nivelin e papërgjegjshmërisë dhe dalin në mjedise publike, të kontaktojë Policinë e Shtetit, sepse ky është një rrezik jetik për qytetarët e tjerë. Ftoj këdo që ka informacion, edhe median, që jo vetëm të ngrenë çështjen në tërësinë e saj, por edhe ta ngrenë çështjen në nivelin individual, përmes denoncimit pranë Policisë së Shtetit, në mënyrë që t’i parandalojmë personat e papërgjegjshëm për t’u bërë rrezik publik. Ju faleminderit.