Prishtinë – Ministri Lleshaj takime me Kryeministrin Hoti dhe anëtarë të kabinetit/Rritje e bashkëpunimit në fushën e sigurisë publike; mbahet së shpejti Kongresi i Autoriteteve Vendore - Ministria e Brendshme
Postuar më: 06/11/2020

Prishtinë – Ministri Lleshaj takime me Kryeministrin Hoti dhe anëtarë të kabinetit/Rritje e bashkëpunimit në fushën e sigurisë publike; mbahet së shpejti Kongresi i Autoriteteve Vendore

Prishtinë – Ministri Lleshaj takime me Kryeministrin Hoti dhe anëtarë të kabinetit/Rritje e bashkëpunimit në fushën e sigurisë publike; mbahet së shpejti Kongresi i Autoriteteve Vendore

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe delegacionin që e shoqëronte zhvilloi një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës. Ministri Lleshaj pati takime me zyrtarë të lartë të Qeverisë në Kosovë. Ai prit nga Kryeministri i Kosovës Avdulla Hoti, Zv.kryeministri i Parë, Besnik Tahiri, Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu dhe Ministri i Drejtësisë Selim Selimi.

Pas takimeve ministri i Brendshëm ka shkruar përmbledhtas në rrjete sociale, çështjet kryesore të diskutuara:

Në Prishtinë zhvillova një takim shumë të mirë pune me Kryeministrin Hoti, gjatë të cilit diskutuam për bashkëpunimin në fushën e sigurisë publike, lehtësimin e mëtejshëm të lëvizjes së lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, angazhimin e përbashkët të Policive përkatëse kundër migracionit të paligjshëm dhe trafikimit të qenieve njerëzore si dhe për masa të shtuara kundër radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Temë tjetër e rëndësishme e bisedës ishte dhe organizimi së shpejti i Kongresit të Autoriteteve Vendore. Vizita në Kosovë ishte një mundësi e mirë për të dhënë një shtysë të re në bashkëpunimin dypalësh, i cili vijon të thellohet më tej, në frymën e vendimeve të marra së fundmi në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Gjatë vizitës në Prishtinë, në takimin me Zv.kryeministrin e Parë të Kosovës, z. Besnik Tahiri ramë dakord që në nëntor të formalizohet Kongresi i Autoriteteve Vendore Shqipëri-Kosovë. Duke diskutuar për forcimin e bashkëpunimit mes autoriteteve vendore, folëm mbi rëndësinë që kjo tryezë të identifikojë fushat e përbashkëta dhe të intensifikojë komunikimin mes njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë̈ dhe Kosovë. Me zyrtarin e lartë të qeverisë së Kosovës, dakordësuam që kjo iniciativë të kthehet e të shërbejë si model bashkëpunimi rajonal, e në veçanti si platformë e komunikimit të rregullt dhe efektiv mes qyteteve shqiptare në dy krahët e kufirit.

Sot në Prishtinë pata një takim me Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Agim Veliu dhe delegacionin që e shoqëronte. Dakordësuam se bashkëpunimi në fushën e sigurisë është i një rëndësie të veçantë, por edhe kusht i ndërtimit të marrëdhënieve në fushat e tjera të interesit të përbashkët. Lufta kundër terrorizmit dhe parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, kundër migracionit ilegal, trafikimit të qenieve njerëzore, lufta kundër trafikimit të narkotikëve, krimi i organizuar, por edhe siguria publike në përgjithësi janë fushat ku punohet për të thelluar bashkëpunimin policor. Gjatë takimit u diskutuan çështje të forcimit të marrëdhënieve në fushën e rendit dhe sigurisë publike. Gjithashtu folëm mbi zbatimin e protokollit për oficerët e kontaktit, si dhe ecurinë e zbatueshmërisë së Pikave të Kalimit Kufitar mes dy vendeve. Me homologun e Kosovës ramë dakord që të ngrihen grupe të përbashkëta pune me qëllim koordinimin më të mirë të zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara dhe bashkëpunimit policor.

Në takimin që zhvillova në Prishtinë me Ministrin e Drejtësisë të Kosovës, z. Selim Selimi folëm për mundësitë e shkëmbimit të përvojave në luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. I shpreha gjithë angazhimin dhe vullnetin e palës shqiptare për avancimin e bashkëpunimit mes dy ministrive tona, duke besuar fort se për Kosovën dhe Shqipërinë, integrimi në Bashkimin Europian mbetet synimi kryesor. Trajtuam edhe situatën aktuale të krijuar në Kosovë pas fillimit të disa proceseve nga Gjykata Speciale, ku shpreha besimin se në fund të herës ato vetëm sa do të konfirmojnë dhe certifikojnë edhe një herë faktin e njohur botërisht, se lufta e shqiptarëve të Kosovës ishte një përpjekje e ligjshme dhe e drejtë për liri, e njohur dhe e vlerësuar nga gjithë bashkësia e kombeve të lirë. Vetë fakti se udhëheqësit e saj, jo vetëm që nuk i janë fshehur hetimit, siç ka ndodhur rregullisht nga ata që bënë krime lufte në Ballkan, por kanë kontribuar në ngritjen e Gjykatës Speciale dhe i janë përgjigjur vullnetarisht asaj, duke hequr dorë edhe nga postet zyrtare, është një dëshmi tjetër e pastërtisë së luftës së shqiptarëve të Kosovës.