Projekti i mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, për angazhimin e të rinjve në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm - Ministria e Brendshme
Postuar më: 05/11/2020

Projekti i mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë, për angazhimin e të rinjve në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm

 

E nderuar Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shkëlqesia e saj, znj. Juri Kim,

I nderuar Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë,

E nderuar Drejtore e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm,

Të nderuar zonja e zotërinj që na ndiqni online,

Gjashtë vjet më parë, pikërisht në ditë si këto, pasi Shqipëria iu përgjigj thirrjes që Presidenti Obama, nga foltorja e OKB, thirrje që i bënte shteteve për t’iu bashkuar luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, kontribuonim për strategjinë e parë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe punonim për të ngritur zyrën e Koordinatorit Kombëtar, i pari rol i tillë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në morinë e diskutimeve dy gjëra kujtoj si thelbësore: e para që kjo histori nuk do të zgjasë për një kohë të shkurtër, e dyta që që një nga 3 shtyllat e strategjisë duhej të fokusohej ekskluzivisht tek të rinjtë.

Jemi tanimë në vitin e shtatë të betejës, dinamikat kanë ndryshuar, por fenomeni vazhdon të jetë aty. Ngjarjet e fundit që vijnë nga Franca dhe Austria tregojnë se struktura latente vazhdojnë ende të jenë në mesin tonë, gati për të marrë jetë të pafajshme e për të trazuar kohezionin e shoqërive tona. Dhe ajo që bie në sy është gjithmonë mosha e re e autorëve, nganjëherë moshë tejet e re e tyre. Është e qartë se zinxhiri i rekrutimit të të rinjve vazhdon ende dhe se radhët e ekstremistëve të dhunshëm/terroristëve ripërtërihen me gjak të ri, i cili përndryshe do të mund të ishte shpëtuar nëse do të bëhej diçka ndryshe.

Në Shqipëri me adoptimin e Strategjisë së Parë kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe më pas me dokumentet që vijuan, në një kohë shumë të shpejtë ngritëm struktura mbrojtëse ndaj të rinjve në komunitetet me risk. Këshillat Vendore të Sigurisë Publike në çdo bashki me risk, ekipet e të rinjve pranë çdo bashkie, përfshirja e të rinjve në aktivitete alternative, një konkurs këtu, një iniciativë aty, bëmë çmos që ata të merrnin vëmendjen e duhur dhe të mos lejonim asnjë faktor shkaktues apo tërheqës që të çonte këta të rinj në spiralet e errëta të rekrutimit, të cilat ende ekzistonin atëherë.

Nën koordinimin e qendrës CVE, dhjetëra-mijëra mësues u trajnuan për të dalluar shenjat e hershme të ekstremizmit, punonjës socialë u angazhuan në këto iniciativa. Nuk do ia kishim dalë kurrë pa, së pari partneritetin e vetë Komunitetit Mysliman, të cilët edhe vetë pjesë e kësaj beteje madje dyfish të predispozuar për të luftuar së pari impaktin njerëzor, plus atë moral që ekstremistët duke keqpërdorur fenë e nderuar islame i shkaktuan miliarda besimtarëve paqësorë në gjithë botën.

Ju faleminderit z. Kryetar, Komuniteti ka qenë një partner i qëndrueshëm dhe e ka kuptuar që në fillim të herës që në këtë betejë jemi bashkë!

E duke qenë se në fillimet e kësaj pune kishte shumë të panjohura, kërkohej shumë ekspertizë, kërkoheshin mjete dhe momenti nuk na lejonte të eksperimentonim asnjë moment dhe as të gabonim e të ri-përsërisnim përpjekjen. Kishim vetëm një mundësi për të ndaluar valën e rekrutimit dhe këtë mundësi duhej ta llogarisnim mirë.

Këtë nuk mund ta bënim të vetëm asesi dhe si përherë në historinë tonë miqtë e parë që patëm pranë që në minutën zero ishin partnerë tanë amerikanë, të cilët qëndruan pranë nesh me ekspertizë, me burime e mjete deri në momentin kur kishim një strukturë të konsoliduar.

Falënderoj Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ju personalisht znj. Ambasadore, për angazhimin tuaj aktiv në ndërtimin e komuniteteve të qëndrueshme dhe me vlera demokratike në vendin tonë! Gjithë mbështetja juaj e vazhdueshme për ne përkthehet në angazhim të pandërprerë.

Aktualisht, një aspekt në të cilin jemi fokusuar është procesi i vështirë i riatdhesimit të grave dhe fëmijëve të luftëtarëve të huaj nga territore, të cilat u kontrolluan nga ISIS. Duke marrë përsipër përgjegjësinë për qytetarë tanë, për para dhjetë ditësh u riatdhesuan pesë persona, katër të mitur dhe një grua. Kjo ishte një arritje e madhe e agjencive të zbatimit të ligjit dhe shumë aktorëve të tjerë ashtu siç tani është një përgjegjësi e madhe e shërbimeve tona psiko-sociale, pushtetit vendor dhe komuniteteve për të arritur rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre.

Në këtë kontekst ne duhet të punojmë sërish shumë ngushtë me komunitetet në të cilat ata do të ri-integrohen.

Në Ministrinë e Brendshme po punojmë për një strategji të re kundër terrorizmit. Kjo strategji do të reflektojë të gjitha kundër-metodat e reja për të luftuar këtë fenomen; do të ketë një komponent shumë më të gjerë kibernetik, do të ketë masa më të forta për sinjalizimin e hershëm apo ‘early warning’.

Megjithatë jemi të bindur se ‘early warning’ i vërtetë qëndron tek rinia dhe tek ajo, që ata kanë në mendjen e tyre. Si 100 % e së ardhmes, e vetmja mënyrë që të luftojmë këtë fenomen është të angazhojmë të rinjtë jo vetëm si kategori në risk, por si vetë liderë të ndryshimit, si aktorë qendrore.

Ndaj dhe projekti që po lançohet sot, duke falënderuar partnerët amerikanë për mbështetjen, nga ana jonë shihet si tejet i rëndësishëm në plotësimin e të gjithë ‘puzzle’, në plotësimin e një pjese ku Policia nuk mundet e nuk ka përse të hyjë.

Ju uroj suksese në këtë fazë të re të këtij projekti. Jam e kënaqur që shoh se edhe pas kaq vitesh, vigjilenca vazhdon të jetë e lartë, ashtu siç duhet të jetë, sidomos në mbrojtjen e të rinjve tanë nga çdo spirale latente që mund të fshihet prapa një xhepi kibernetik apo diku në territor dhe që gjithsesi nuk do të mbetet pa u zbuluar nga agjencitë përkatëse.

Megjithatë, duke krijuar mburoja për të rinjtë tanë, kemi dhënë betejën më të fortë kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit, sepse e kemi lënë pa të ardhme. Faleminderit.