Kuvend/Fjala e ministrit Lleshaj në seancën parlamentare ku u diskutuan disa ndryshime në ligjin “Për Policinë e Shtetit” - Ministria e Brendshme
Postuar më: 29/10/2020

Kuvend/Fjala e ministrit Lleshaj në seancën parlamentare ku u diskutuan disa ndryshime në ligjin “Për Policinë e Shtetit”

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në seancën parlamentare ku u diskutuan disa ndryshime në Ligjin “Për Policinë e Shtetit”:

Faleminderit z. Kryetar!

Të nderuar deputetë,

Më lejoni që përpara se të prezantoj thelbin e ndryshimeve të propozuara në ligjin për Policinë e Shtetit, të them dy fjalë falënderimi për punën e këtij institucioni.

Një vit pas përfundimit të operacionit të shpëtimit të një fëmijë shqiptarë nga kampi famëkeq i Al Hol-it në Siri në bashkëpunim me policinë italiane, me datën 27 tetor 2020 Policia e Shtetit në bashkëpunim me shumë aktorë të tjerë arriti të finalizojë një operacion shpëtimi për katër fëmijë të tjerë, nga i njëjti kamp. Realizimi i këtij operacioni shumë të vështirë dhe të ndërlikuar është provë e profesionalizmit dhe e përkushtimit të lartë të punonjësve të Policisë së Shtetit. Falë këtij operacioni u shpëtuan jetët e katër fëmijëve të pafajshëm.  Nga kthetrat e organizatës terroriste u shkëputën katër viktima, por ndoshta edhe katër terroristë të ardhshëm, në të njëjtë kohë ky operacion përcolli përpara qytetarëve shqiptarë një mesazh shumë të rëndësishëm, kundër ekstremizmit dhe terrorizmit. Këta fëmijë viktima të prindërve të tyre të rreshtuar në radhët e terrorit ndërkombëtarë sjellin sot para syve të të gjithë shqiptarëve rezultatin tragjik të ekstremizmit dhe të vendimeve të gabuara.

Sot më shumë se kurrë çdo shqiptar e ka të qartë sesa pa kuptim është futja e në rrugën e terrorizmit dhe të ekstremizmit. Si vegla të errëta të makinerisë së terrorit baballarët e këtyre fëmijëve bënë krime monstruoze, masakruan në mënyrë barbare fëmijë të tjerë, dhe njerëz të pafajshëm, për të lënë të vetmuar edhe fëmijët e tyre të pambrojtur në shkretëtirat e Sirisë. Oficerët tanë u përfshinë dhe rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetën e fëmijëve të disa vrasësve të tmerrshëm në fakt. Ka persona që ndihen të turbulluar përpara këtij fakti, dhe përpara shumë pyetje etike që shtrohen në këto rrethana.

Megjithatë asgjë paradoksale nuk ka në këtë histori. Kjo është ekzaktësisht ajo që duhej bërë në udhëheqje të parimeve të humanizmit dhe të respektit për jetën njerëzore dhe dinjitetin njerëzor.

Janë këto vlera të larta të bazuara tek jeta që bëjnë diferencën e madhe me ekstremizmin, dhe terrorizmin që mbështeten tek vdekja. Me këtë rast me lejoni të nderuar deputetë që të shpreh falënderimet më të mira për angazhimin e strukturave të Policisë së Shtetit dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë në këtë mision të vështirë dhe në të njëjtën kohë më lejoni të garantoj qytetarët se përpjekjet tona do të vijojnë edhe më tej për shpëtimin e jetëve të tjerë, fëmijëve të tjerë të pafajshëm që ndodhen ende në kushte tepër të vështira në Siri. Ndërkohë që personat e rritur dhe të përfshirë në veprimtari terroriste dhe kriminale do të duhet që të përballen me drejtësinë.

Të nderuar deputet,

ndryshimet e paraqitura në ligjin për Policinë e Shtetit synojnë të përmirësojnë më tej bazën ligjore në funksion të misionit të saj. Ndryshimi i parë lidhet me krijimin e Komitetit Kombëtarë të Politikave për Parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar, pranë Ministrit të Brendshëm. Komitet që do të ketë për objekt kryesor të veprimtarisë së tij: hartimin, koordinimin, monitorimin dhe vlerësimin e strategjive dhe planit të masave për parandalimin e krimit të organizuar.

Komiteti do të drejtohet nga përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme dhe do të ketë në përbërje përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, Financave, Prokurorit të Përgjithshëm dhe të Prokurorisë së Posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe përfaqësues të Shërbimit Informativ të Shtetit, Policisë së Shtetit, Agjencisë përkatëse për luftën kundër terrorizmit, Agjencisë përkatëse për luftën kundër pastrimit të parave. Funksioni i këtij Komiteti do të krijojë kushte që koordinimi dhe bashkëpunimi ndërinstitucional mes aktorëve kryesorë për luftën kundër krimit të organizuar të ngrihet në një nivel të mirëfilltë ligjorë për të siguruar kështu rezultate më të mira në këtë front shumë të rëndësishëm.

Ndryshimi i dytë lidhet me nenin që rregullon autorizimin e Policisë së Shtetit, për të përdorur masat e veçanta në veprimtarinë e saj kundër krimit. Në këtë mënyrë policisë i jepet autorizimi për të përdorur me iniciativën e vet masat e mbikëqyrjes së veçantë vizuale të personave të dyshuar në mjedise publike. Me miratim të prokurorit dhe me miratim të prokurorit masat e mbikëqyrjes së veçantë zanore, të komunikimeve, të komunikimeve jo elektronike në të njëjtat mjedise. Po kështu Policisë i jepet autorizimi për të përcaktuar nëpërmjet mjeteve apo pajisjeve teknike vendndodhjen dhe identitetin e personave të dyshuar.

Me këto ndryshime Policisë së Shtetit i jepen më në fund disa kompetenca sa të munguara aq edhe të nevojshme, por edhe krejt të natyrshme për policitë e vendeve të tjera.

Në të njëjtën kohë ligji ka parashikuar garancitë e nevojshme për zbatimin korrekt të këtyre kompetencave përmes ngarkimit të ministrit të Brendshëm, Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me përgjegjësinë e nxjerrjes së akteve vijuese nënligjore si edhe kontrollit të vazhdueshëm të zbatimit të rregullave dhe procedurave të përcaktuara.

Të nderuar deputetë,

Me gjithë hapin pozitiv që shënojnë këto kompetenca të reja për Policinë e Shtetit, ato ende nuk e plotësojnë të gjithë kuadrin e nevojshëm ligjor që i duhet asaj në plotësimin e misionit për parandalimin e krimit.

Ministria e Brendshme është në një proces diskutimi për të realizuar sa më parë draftimin e një kuadri të plotë ligjor në funksion të parandalimit të krimit. Përgjatë këtyre viteve është ngritur një kuadër i caktuar ligjor në fushën e hetimit apo procedimit penal, por nuk ka ndodhur e njëjta gjë në fushën e parandalimit të krimit, fushë që përbën dhe përgjegjësinë e parë dhe kryesore të Policisë së Shtetit. Ne duhet dhe po punojmë për të ngritur një kuadër të plotë ligjor në funksion të parandalimit të krimit, i cili do të paraqitet në qeveri dhe në kuvend sapo të jenë plotësuar kushtet e nevojshme për këtë.

Ndryshimi i tretë i parashikuar në ligj është ai që lidhet me transferimin e punonjësit të Policisë së Shtetit në struktura të tjera shtetërore. Nisur nga fakti që punonjësit e Policisë së Shtetit kanë statusin edhe të nëpunësit civil, projekti parashikon mundësinë që ata të mund të transferohen në detyra të ndryshme brenda administratës shtetërore për të cilat plotësojnë kushtet dhe standardet profesionale të kërkuara.

Në rastet e transferimit në administratën publike është parashikuar që punonjësi të ruajë nivelin hierarkik përmes ekuivalentimit të gradës së tyre me gradat përkatëse të administratës publike. Sigurisht që punonjësit e transferuar të policisë, nuk do të mund të kenë atributet policore dhe as ato të policisë gjyqësore për periudhën e transferimit. Me rëndësi është rregullimi që lidhet me mundësinë e rikthimit të punonjësit të policisë, të transferuar duke i  njohur atij si të vlefshme gjithë periudhën e shërbimit jashtë saj.

Këto ndryshime shënojnë krijimin e një mundësie dhe hapësire të re për punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilëve tashmë iu hapen shumë dyer për t’u angazhuar në institucione të tjera shtetërore. Në të njëjtën kohë mundësi të mira krijohen për vetë institucionet shtetërore, të cilat tashmë kanë nevojë për përvojën dhe kapacitetet profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit, si Ministria e Brendshme, autoritetet e hetimit tatimor, doganor, struktura të tjera shtetërore. Me hyrjen në fuqi të këtij ndryshimi do të bëhet e mundur që më në fund në Ministrinë e Brendshme, në aparatin e saj, të ketë edhe profesionistë me formim dhe përvojë nga fusha e rendit dhe sigurisë publike, gjë që prej shumë vitesh ka qenë praktikisht e pamundur. Ashtu si dikasteri i Shëndetësisë ka mjekë në aparatin e tij, dikasteri i Arsimit ka arsimtarë, apo ai i punëve të jashtme ka diplomatë, edhe dikasteri i rendit dhe sigurisë publike, do të ketë në strukturën e tij disa ekspertë të fushës kryesore dhe të përgjegjësisë.

Ligji parashikon që rregullat dhe procedurat për zbatimin e tij, do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Ndryshimet e propozuara i janë nënshtruar një procesi të thellë diskutimesh me institucionet e vendit dhe partnerë ndërkombëtarë dhe vijnë për miratim këtu, pasi është arritur një qëndrim gjerësisht i përbashkët, ndaj ju ftoj t’i miratoni ato. Meqenëse kam dhe gjysëm minute kohë, dy fjalë për z. Gjoni që nuk qenka këtu – por desha të them vetëm që Ministri i Brendshëm e identifikon veten me punonjësit e Policisë së Shtetit, jo vetëm që mbështes  dhe respektoj punën e çdo punonjësi të policisë, por identifikohem bashkë me ta.

Ndërhyrja që pata ndaj z. Murrizi nuk ishte ndërhyrje pezhorative ndaj punonjësit të Policisë së Shtetit, sepse kurrë nuk i përdor këto terma në kuptim negativ, por pozitiv, por ishte vetëm për t’i thënë një fakt që zotëria në fjalë, ka patur një periudhë që ka shërbyer, ka patur këtë funksion; jo në Policinë e Shtetit, por në Policinë Financiare, për t’i thënë atij që mos i trajto dhe mos i shaj këta punonjës të shtetit, sepse emrin e tyre e ke mbajtur dikur. Faleminderit.