Elbasan - Aplikimi për ID Karta/Drejtori i DPGJC dhe Kryetari i Bashkisë ftojnë qytetarët të aplikojnë për dokumente biometrike - Ministria e Brendshme
Postuar më: 28/10/2020

Elbasan – Aplikimi për ID Karta/Drejtori i DPGJC dhe Kryetari i Bashkisë ftojnë qytetarët të aplikojnë për dokumente biometrike

VIDEO Elbasan – Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj zhvilloi një inspektim në zyrat e gjendjes civile në Elbasan së bashku me Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja. Ai i ftoi qytetarët të aplikojnë sa më shpejt duke evituar radhët dhe flukset që krijohen në momentin e fundit. Gjithashtu ri përsëriti lehtësirat që janë marrë nga Ministria e Brendshme, ku për ID kartë mund të aplikosh në të gjithë vendin pavarësisht banimit dhe për pasaporta mund të aplikosh direkt pa formularin e aplikimit në polici.

Kryetari i Bashkisë Elbasan Gledian Llatja vuri edhe njëherë në dukje përveç sa më sipër, rëndësinë e sistemeve online që u bënë më të domosdoshme si pasojë e periudhës së pandemisë, duke ftuar qytetarët që të verifikojnë emrin në listat e zgjedhësve pranë të gjitha njësive administrative të Bashkisë Elbasan dhe rajoneve të qytetit ose në portalin e-albania. Ai i ftoj qytetarët që nuk kanë saktësuar ende adresat të paraqiten pranë zyrave sa më shpejt për saktësimin e adresës.

Fjala e Drejtorit të DPGJC, Bledar Doracaj:

Sot jemi në Elbasan së bashku me Kryetarin e Bashkisë për t’ju bërë edhe një herë thirrje të gjithë qytetarëve, të cilëve ju mbaron vlefshmëria e ID kartave apo pasaportave të vijnë pranë zyrave të aplikimit dhe të aplikojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, me qëllim që mos ta lënë për momentin e fundit dhe të krijojmë radhë edhe flukse. Të gjitha procedurat siç ju kemi bërë me dije edhe më parë janë të thjeshtuara. Tashmë për të aplikuar për pasaportë nuk ka më nevojë për formularin e policisë, mjafton të vish direkt tek operatori dhe të aplikosh. Ashtu sikurse edhe për ID kartë tashmë e kemi thjeshtuar edhe më shumë procedurën. Të gjithë ata që ri aplikojnë për ID kartë mund të aplikojnë në zyrën më të afërt, pavarësisht se ku banojnë.

Fjala e Kryetarit të Bashkisë Elbasan Gledian Llatja:

Jemi akoma në periudhë pandemie dhe mbyllja e fundit që patëm na krijoi bindjen që të aplikosh online dhe të përdorësh sistemet elektronike është gjëja më e mirë. Sot një pjesë e madhe edhe e shërbimeve që ofrohen janë online. Ashtu siҫ edhe shumë aplikime të cilat bëhen në gjendjen civile mund t’i marrësh edhe online.

Dua t’i bëj një thirrje të gjithë qytetarëve për rinovimin e dokumenteve të identifikimit. Nuk ka kohë, nuk kemi pse të dyndemi të gjithë para zgjedhjeve, apo në periudha të vitit të ri, është momenti i duhur, atyre të cilëve ju mbarojnë dokumentet e identifikimit, pasaportat biometrike, apo kartat e identitetit të paraqiten menjëherë dhe të bëjnë rinovimin e tyre pasi tani është edhe momenti më i mirë.

Gjithashtu dua t’i bëj edhe një thirrje publikut, ashtu siҫ e tha edhe Drejtori i Gjendjes Civile, të gjithë qytetarëve të cilët nuk e kanë saktësuar adresën e tyre të paraqiten menjëherë pranë gjendjes civile për të bërë saktësimin e adresës së tyre. Që nga data 5 tetor janë shpallur edhe listat e zgjedhësve pranë të gjitha njësive administrative të Bashkisë Elbasan dhe rajoneve të qytetit. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të paraqiten për të parë emrat e tyre në listën e zgjedhësve. Është lista e parë, shumë shpejt vjen dhe lista e dytë, kështu që duhet të gjithë qytetarët të paraqiten dhe të shohin. Mund të gjendet edhe shumë kollaj pranë e-albania, verifikimi i listës së zgjedhësve dhe emri në listën e zgjedhësve të qendrës së votimit përkatëse. Kështu që ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, ose të paraqiten pranë njësive administrative, ose të verifikojnë në e-albania emrin e tyre pranë listës së zgjedhësve. Faleminderit!