Drejtori i DPGJC, Doracaj: Aplikoni pa humbur kohë për ID Karta, shmangni fluksin e fundvitit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 27/10/2020

Drejtori i DPGJC, Doracaj: Aplikoni pa humbur kohë për ID Karta, shmangni fluksin e fundvitit

Drejtori i DPGJC, Doracaj: Aplikoni pa humbur kohë për ID Karta, shmangni fluksin e fundvitit

Tiranë – Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj zhvilloi një inspektim në zyrat e aplikimit për dokumente identiteti në Njësitë 3& 4, së bashku me përfaqësuesit e koncesionarit dhe administratoret e Njësive. Ai ritheksoj edhe njëherë nevojën për përshpejtim të procesit të aplikimit, duke iu bërë thirrje qytetarëve për të shkuar tek zyrat e aplikimit me qëllim të pajisen me kartë ID në kohën e duhur. Doracaj vuri në dukje lehtësitë e ndërmarra për riaplikimet për ID karta, ku qytetarët mund të riaplikojnë në çfarëdo lloj zyre të aplikimit kudo që ata ndodhen në RSH, ndërsa për pasaportat është hequr formulari i Policisë dhe procedura merr vetëm pak kohë.

VIDEO – Prononcimi i Drejtorit të DPGJC, B. Doracaj:

Jemi së bashku me Administratoret e Njësisë 3 e 4, dhe përfaqësuesin e kompanisë koncensionare Aleat, për të ribërë edhe një herë thirrje publikut që të vijnë të aplikojnë për dokumentet biometrike, pasaporta dhe ID karta, pasi një numër i konsiderueshëm i tyre skadojnë në ditët në vijim.

Vërtetë qeveria me Aktin Normativ ka shtyrë afatin e vlefshmërisë së tyre, por do t’ju lutesha shumë që të mos e lëmë për ditën e fundit, sepse çdo vonesë do të krijojë radhë në sportelet tona.

Falënderoj të gjithë ata qytetarë, të cilët i janë përgjigjur në vijimësi thirrjeve të herëpashershme të Ministrisë së Brendshme për të ardhur dhe për të aplikuar, por ende mbetet shumë për të bërë me qëllim që pajisja me dokumente biometrike të jetë një nga detyrat kryesore.

Gjithashtu më lejoni të sjell edhe një herë në vëmendjen tuaj që mjafton vetëm pak sekonda aplikim tek portali e-albania për të rezervuar takimin dhe nuk duhet asnjë dokument tjetër, veç kuponit për të bërë aplikimin.

Për ID kartë për riaplikime, qeveria, Ministria e Brendshme ka ndërmarrë një tjetër hap lehtësues, mund të aplikojnë në çfarëdo lloj zyre të aplikimit kudo që ata ndodhen. Kurse për pasaporta ashtu sikurse jeni bërë me dije, është hequr formulari i Policisë dhe duhen vetëm pak sekonda për t’u pajisur me dokumentin biometrike.