Liban/Operacioni i kthimit në atdhe të katër fëmijëve shqiptarë nga kampi Al Hawl. Ministri Lleshaj: Faza e dytë është riatdhesimi i grupit tjetër - Ministria e Brendshme
Postuar më: 26/10/2020

Liban/Operacioni i kthimit në atdhe të katër fëmijëve shqiptarë nga kampi Al Hawl. Ministri Lleshaj: Faza e dytë është riatdhesimi i grupit tjetër

Gazetarja Eni Vasili: Faleminderit që pranuat këtë lidhje të drejtpërdrejtë. Në fakt jo shumë kohë më parë, në mos gaboj disa javë më parë, kemi qenë sërish në “Open”, nga Libani drejtpërdrejt me ju. Për të folur pikërisht për këtë ҫështje. Së pari, urime për suksesin e ditës së sotme, negociatave. Siҫ na thatë atëherë kanë qenë të vështira.

Ministri Lleshaj: Faleminderit është një lajm i mirë për të gjithë. Urimi u vlen shumë njerëzve sot.

Gazetarja Vasili: Floresha Rasha, së bashku me tre fëmijët e saj dhe djali i familjes Dumani, Endri. Pritet që nesër të kthehen në Tiranë, apo jo? Këto janë emrat e personave të parë që kthehen nga Al Hawl.

Ministri Lleshaj: Po, janë katër fëmijë dhe një grua, që u mundësua nxjerrja e tyre nga Al Hawl, dhe nesër me shpresë mbërrijnë në Tiranë.

Gazetarja Vasili: A mund të na zbuloni diҫka më tepër nga operqacioni i ndërhyrjes z.Lleshaj. Kohëzgjatja, negociatorët, shteti tek i cili u mbështetët. Si arritët në përfundimin me sukses për këta përsona që sapo përmendëm?

Ministri Lleshaj: Sigurisht që bëhet fjalë për një operacion të nisur ekzaktësisht para një viti, me shpëtimin e Alvin Berishës. Tashmë është hapi tjetër i radhës, ka zgjatur shumë. Është një operacion mjaft i komplikuar, i cili ka përfshirë në vetvete disa shtete si Shqipëria, Libani, Siria dhe pjesa e Sirisë Veri-Lindore, zona e administruar nga kurdët. Pra janë disa autoritete, plus dhe disa partnerë të tjerë ndërkombëtarë të Shqipërisë. Pra, bëhet fjalë për një operacion të ndërlikuar, të gjatë, i cili u frenua për shkak të pandemisë, por sot u finalizua faza e dytë e tij. Janë përfshirë me qindra njerëz, Policia Shqiptare, autoritete dhe agjenci të tjera të këtyre vendeve që sapo përmenda. Fatmirësisht sot mund të njoftojmë publikun që katër fëmijë, katër jetë njerëzore janë shpëtuar tashmë nga ai kamp i ferrit, që njihet si i tillë për shkak të kushteve të tmerrshme në të cilat kanë mbjetuar këta fëmijë. Dhe një grua, mamaja e tre fëmijëve që ju përmendët. Pra është një lajm mjaft i lumtur.

Gazetarja Vasili: Përpara se t’ju pyes për personat e tjerë që ndodhen atje, pasi numri i tyre është shumë i madh. Nuk di nëse keni ju një numër të saktë, por bëhej fjalë për rreth 50 shqiptarë në Al Hawl, apo jo?

Ministri Lleshaj: Bëhet fjalë për një numër të tillë. Ne kemi arritur, ekipi jonë i Policisë së Shtetit që ka qenë në Al Hawl dhe në kampe të tjera në Sirinë Veri-Lindore, ka arritur që të marrë kontakt fizik personalisht me familjet, me fëmijët, me nënat e atyre që i kanë nënat. Dhe me autoritet përgjegjëse të kurdëve në rajon.

Gazetarja Vasili: Pra, mund të themi janë diku te 50 persona që presin të mbërrijnë, apo jo…

Ministri Lleshaj: Janë sipas burimeve tona të inteligjencës, janë rreth 50. Kësaj rradhe ne kemi arritur të kontaktojmë fizikisht rreth 25 prej tyre dhe kemi arritur të marrim 5. Këto janë shifrat pak a shumë.

Gazetarja Vasili: Do t’ju pyes prapë për shifrat, por qëndrojmë tek personat që do të kthehen. Kryeministri për Top Channel, ka bërë me dije se e ëma e fëmijëve që do të kthehet është në gjendje të vështirë. Madje ka treguar që ka plagë në trup. Nga se i janë shkaktuar ato? Keni informacion?

Ministri Lleshaj: Nuk kemi informacion se nga i vijnë plagët. Por plagët janë arsyeja e riatdhesimit të kësaj gruaje në Shqipëri. Për arsye se rastet e tjera autoritet nuk kanë preferuar t’i lëshojnë të rriturit, të cilët supozohet të kenë ngarkesa penale, para një procesi ligjorë. Pra, plagët janë arsye që ajo ka arritur që të vijë sot bashkë me fëmijët e saj. Është një rast i veҫantë, dhe është trajtuar si i tillë.

Gazetarja Vasili: Kryeministri tha se gjithsesi ky operacion i sotëm i hap rrugën një faze tjetër. Fazës së dytë të riatdhesimit të personave të tjerë. Ҫdo të thotë? Cila është faza e dytë?

Ministri Lleshaj: Faza e dytë është riatdhesimi i grupit tjetër, të cilët janë identifikuar dhe kontaktuar fizikisht prej ekipeve tona në terren.

Pra, siҫ ju thashë, ne kemi prej një muaji, që prej vizitës time të fundit në Liban. Kemi një ekip të Policisë së Shtetit që ka vepruar në terren, në bashkëpunim me autoritetet e sigurisë së Libanit dhe të vendeve të tjera të përfshira. Ka vizituar kampet, ka vizituar familjet, ka kontaktuar fëmijët, ka marrë deklaratat e prindërve për tërheqjen e tyre në Shqipëri. Pra, është përmbyllur një pjesë e madhe e punës shumë të ndërlikuar ligjore që duhet bërë në këtë rast. Dhe ne presim që në ditët e ardhshme të arrijmë të finalizojmë këtë proces, pas marrjes edhe të dritës jeshile dhe të autoriteteve kurde.

Gazetarja Vasili: Kur thoni në ditët e ardhshme, ҫdo të thotë? Se në ditët e ardhshme është koncept mjaft i gjerë dhe pothuajse më shumë se një viti flasim për këtë gjë. Në ditët e ardhshme kur?

Ministri Lleshaj: Unë do ta lë të gjerë këtë që mos të lidhemi me data fikse. Sepse këtu bëhet fjalë për një ushtrim shumë të vështirë, ku marrin pjesë siҫ ju thashë qindra vetë. Dhe përcaktimi i datave fikse vetëm sa do të na ngatërrojë. Por unë ju them që angazhimi ynë është i pandryshuar përballë këtyre fëmijëve. Ne jemi të motivuar për ta bërë këtë punë, për arsye se ka një motiv humanitar të madh. Ne duhet t’i heqim këta fëmijë nga duart e terrorit. Ne duhet t’i sjellim këta fëmijë në Shqipëri edhe për të dhënë një mesazh të rëndësishëm për qytetarët shqiptarë. Ne duhet të japim mesazhin që këta fëmijë dhe këto familje kanë vendin në atëdheun e tyre. Dhe kauza e tyre duhet të jetë Shqipëria dhe jo kauza të tjera të huaja.

Gazetarja Vasili: Ju i keni takuar dhe parë nga afër ata fëmijë. Si është gjendja e tyre z. Ministër?

Ministri Lleshaj: Ata fëmijë janë në një gjendje të trishtuar, është shumë e rëndë t’i shohësh. Për arsye se ata janë fëmijë pothuajse me sy të shuar dhe me shpresë që nuk ekziston. Fëmijë krejt të urtë që nuk lëvizin për arsye se janë mësuar, rritur nën tutelë të tmerrshme. Pra, janë fëmijë të cilët kërkojnë një trajtim të veҫantë dhe të kujdesshëm shumë planesh multidisiplinor, psikologjik, shëndetësor, social e të tjera.

Gazetarja Vasili: Ku do të kthehen ata nesër? Pranë familjeve të tyre? Apo do të ketë një trajtim të specializuar?

Ministri Lleshaj: Do të ketë një trajtim të specializuar, i cili fillon me kontrollin dhe trajtimin shëndetësor, psikologjik dhe pastaj do të vazhdojë… Do të jetë një periudhë e riintegrimit të tyre në shoqëri. Mos të harrojmë që ata vijnë nga një zonë, që askush që s’e ka parë nuk mund ta imagjinojë, sado të fortë ta kemi përfytyrimin.

Gazetarja Vasili: E kuptoj. Z.Ministër për motrën e Endrit, dhe e kam fjalën për familjen Dumani, për Eva Dumanin. Kryeministri tha se ajo është mirë, por situata është më e komplikuar se kaq, dhe nuk ka dashur të japë shpjegime ndoshta. A mund të na e shpjegoni ju se ҫdo të thotë situata është më e komplikuar se kaq?

Ministri Lleshaj: Unë mund t’ju them vetëm kaq që ne kemi informacione të sakta për gjendjen e saj. Është në gjendje të mirë shëndetësore. Të mirë për kushtet e atij kampi ku flitet. Gjendje të mirë shëndetësore nuk ka askush atje. Por duhet të keni edhe një gjë parasysh, që kampi është një kamp ku jetojnë familje të ish-luftëtarëve të ISIS, edhe luftëtarë të ISIS, është një gjysëm burgu. Ata që janë brenda përpiqen që asnjë të mos dalë, të tradhtojë kauzën si të thuash dhe ka vështirësi të mëdha nxjerrja. Përveҫ vështirësive që kanë autoritetet kurde për t’i lëshuar, për arsye të penaliteteve të supozuara ndaj tyre. Vështirësi paraqesin vetë pjesëtarët e kampit, të cilët mundohen të ruajnë kohezionin e tyre, dhe të mos lejojnë askënd që të dalë. Sepse ҫdo dalje konsiderohet humbje për ISIS-in, dhe për ata që janë brenda kampit.

Gazetarja Vasili: A është e vërtetë që Eva Dumani, apo edhe gra të tjera shqiptare kanë bërë rezistencë, duke mos dashur të kthehen vetë në Shqipëri?

Ministri Lleshaj: Unë nuk besoj që fëmijët bëjnë rezistencë për t’u kthyer. Unë mund të besoj që ka të rritur, të cilët janë ende të indoktrinuar thellë dhe e kanë ndarë mendjen që të jetojnë në atë ferr. Por fëmijët jo, për fëmijët nuk mund të pranohen vendimet e fëmijëve për sa kohë ato janë marrë në kushtet e mungesës së lirisë. Kështu që nuk mund të themi nëse Eva Dumani heziton të kthehet në Shqipëri. Por në kushtet në të cilat ndodhet ajo dhe të tjerët, janë aq të vështira sa e bëjnë të ndërlikuar vendimarrjen e këtyre fëmijëve.

Gazetarja Vasili: Myrvete Dibra, Hajrije Tushani, janë disa emra të tjerë që sipas informacioneve, ende të pa konfirmuara zyrtarisht, flitet se ato nuk pranojnë të kthehen.

Ministri Lleshaj: Unë nuk mund të konfirmoj dhe as të përgënjeshtroj asnjë nga këto, për arsye se thashë ҫdo dekonspirim emrash, ҫdo përmendje emrash si këtyrë, është një vënie e këtyre personave, fëmijëve, apo familjeve në vështirësi shtesë përballë pjesëtarëve të tjerë. Atyre që me dhunë menaxhojnë nga brenda kampin. Ftoj dhe mediat, dhe në përgjithësi të gjithë ata që merren me këtë ҫështje që të hezitojnë, ose të përmbahen nga përmendja e emrave sepse e vështirësojnë në mënyrë të jashtëzakonshme, gjendjen dhe prespektivën e tyre. Thashë që gjithҫka që publikohet në mediat shqiptare në ‘real time’ merret vesh në kamp dhe rreth tij dhe të gjithë marrin pozicione të reja pasaj publikimit.

 

Gazetarja Vasili: Si merret vesh?

Ministri Lleshaj: Janë komunikimet online që janë prezente në kamp. Dhe ata që menaxhojnë kampin nga brenda, që janë pjesëtarë të ISIS-it marrin vesh, dhe reagojnë pas këtyre njoftimeve tona. Ashtu sikundër ata që janë jashtë, autoritetet kurde nuk e preferojnë aspak publikimin dhe bërjen prezent të emrave dhe të rasteve konkrete. Kështu që unë mendoj më e mira që mund të bëjmë në këtë rast është që të punojmë në qetësi, të punojmë me siguri. Por të mbajmë shpresën gjallë dhe të kontribuojmë të gjithë për ta finalizuar përfundimisht këtë operacion. Mund t’ju them që është ndër operacionet e rralla të riatdhesimit që është kthyer, ka me dhjetëra e dhjetëra shtete që kanë qytetarët e tyre, dhe nuk kanë arritur ende ta bëjnë këtë punë thjesht për arsye të ndërlikimeve të mëdhaja, jo për arsye të forcës ose të mundësive logjistike dhe materiale. Por për arsye të komplikacioneve të mëdha që paraqet nxjerrja e këtyre fëmijëve nga kampi. Por duhet të jemi koshientë, dhe për këtë unë sot ndihem i lumtur që katër jetë të tjera janë shpëtuar, dhe katër jetë janë shumë. Katër jetë janë vërtetë shumë dhe duhet të jemi shumë të kënaqur për kaq.

Gazetarja Vasili: Patjetër që janë shumë, por edhe ata që mbetet atje, ҫka do të thotë pothuajse 46 nëse do të marrim të mirëqenë numrin 50, janë akoma më shumë. Përveҫ 20 personave që ju keni kontaktuar me të tjerët ҫdo të ndodhë? Me ata që nuk keni arritur të kontaktoni?

Ministri Lleshaj: Ne do të përpiqemi. Siҫ ju thashë numri i dhënë, numri prej 50 personash është një informacion i marrë nga burime inteligjente. Nuk është një informacion i konfirmuar përfundimisht, ne do të përpiqemi të shkojmë tek të gjithë ata që mund të arrijmë. Përmes kësaj përpjekje që thashë është shumë, shumë sensitive. Përpjekja është, por lajmi i mirë është që kemi shpëtuar 5, kemi identifikuar dhe kemi kontaktuar personalisht 20 të tjerë dhe jemi në proces për të shkuar më tej. Mundësisht për të arritur tek të gjithë. Faleminderit!