Asnjë ndryshim nuk po ndodh, nuk do të ndodhë dhe nuk mund të ndodhë me qendrat e votimit - Të gjithë kanë nevojë të kenë një adresë - Ministria e Brendshme
Postuar më: 30/09/2020

Asnjë ndryshim nuk po ndodh, nuk do të ndodhë dhe nuk mund të ndodhë me qendrat e votimit – Të gjithë kanë nevojë të kenë një adresë

Reagim i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, pas deklaratave të opozitës:

Përfaqësues të Partisë Demokratike dhe media të caktuara nën ndikim, vijojnë të mashtrojnë hapur opinionin publik, duke trilluar operacione imagjinare për kinse “pengimin e qytetarëve për të votuar” nga ana e qeverisë.

Në respekt të qytetarëve, që janë të detyruar të dëgjojnë në mënyrë të përsëritur këto trillime haluçinante dhe të papërgjegjshme, më duhet po ashtu që të përsëris publikisht se:

  • Asnjë ndryshim nuk po ndodh, nuk do të ndodhë dhe nuk mund të ndodhë me qendrat e votimit;
  • Ekstrakti i parë i listave të votuesve do të publikohet më datën 5 tetor dhe çdokush do të ketë mundësinë që të shohë se qendrat e votimit nuk ndryshohen;
  • Ngatërrimi diabolik i procesit të përditësimit apo saktësimit të adresave të qytetarëve, që kryhet në zbatim të ligjit, nuk ka asnjë lidhje me qendrat e votimit të tyre, të cilat nuk ndryshojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Për vëmendjen e zëdhënësve të PD më duhet të them:

  • Nëse doni të bëni kallëzime, shkoni në prokurori. Paralajmërimet tuaja se do të bëni kallëzime janë qesharake, edhe pse në të vërtetë i bëni me qëllim presioni publik dhe intimidimi. Mos u lodhni kot me paralajmërime, thjesht shkoni në prokurori;
  • Nëse doni të ndërtoni ndonjë alibi për rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme, mendohuni për diçka tjetër. Kjo e qendrave të votimit është thjesht një blof i dobët;
  • Unë nuk jam si ju, ndaj as nuk më shkojnë ndërmend të bëj ato gjëra që ju aludoni dhe që i keni bërë në mënyrë sistematike vetë, kur, për fat të keq të vendit, kishit pushtetin qeverisës. Jo të gjithë janë si ju dhe, për rrjedhojë, jo të gjithë mund të bëjnë ato që ju keni bërë apo që jeni të gatshëm të bëni, po të keni mundësi;
  • Unë jam krenar që, bashkë me stafet e ekspertëve, kemi arritur që të bëjmë me adresë rreth 300 mijë qytetarë, që ju i kishit lënë si nomadë, pa kurrfarë adrese, vetëm me një kod absurd 999 në vend të saj, të cilin e keni keqpërdorur sa herë keni dashur. Nëse shqetësoheni prej kësaj, shprehuni, por amullia juaj e preferuar nuk mund të mbijetojë përjetësisht;
  • Përpara se t’u referoheni platformave mediatike nën dyshim publik, mundohuni të informoheni pranë institucioneve zyrtare, se aty do të gjeni të vërtetën e plotë.

 

Reagimi pasues:

Një zëdhënës i PD nxitoi të reagonte shpejt, pra edhe gabim, për statusin tim lidhur me listat e zgjedhësve.

E vetmja gjë me vlerë në atë reagim ishte një fjali e huazuar që thotë se injoranca nuk është alibi.

Absolutisht kështu është: injoranca nuk mund të jetë alibi.

Nëse zëdhënësi ende nuk e di diferencën mes konceptit të vendbanimit dhe atij të adresës, është mirë të lexojë vetëm nenin 1/1 të Ligjit për Sistemin e Adresave ku thuhet: “Adresa” përbëhet nga fjalë, numra dhe shenja ortografike, të renditura sipas një rregulli të caktuar, të cilat tregojnë vendndodhjen e saktë dhe unike të një ndërtese, apartamenti ose të një trualli të lirë. Ajo formohet nga shkronja të alfabetit shqip dhe numra arabë.

Duhet inteligjencë minimale për të kuptuar se neni 46 i Kodit Zgjedhor nuk preket aspak.

Ai kërkon që listat të dalin në bazë të vendbanimit dhe ato do të dalin ekzaktësisht siç përcakton ky nen, në bazë të VENDBANIMIT.

Adresa është diçka tjetër nga vendbanimi. Shumë qytetarë kanë të njëjtin vendbanim, si për shembull Tiranë, por ata kanë adresa të ndryshme brenda këtij vendbanimi.

Ajo që po ndodh, jo sot, por që prej vitit 2016, kur u miratuan ndryshimet në Ligjin për Sistemin e Adresave, është vendosja e adresave.

Vendosja e adresave NUK e ndryshon vendbanimin. Ajo vetëm sa e zbardh atë. Vendosja e një numri në derë nuk e lëviz as derën dhe as shtëpinë nga vendi.

Të gjithë qytetarët duhet të jenë të qetë se qendrat e tyre të votimit NUK preken nga puna për zbatimin e Sistemit të Adresave në Shqipëri.

Vendosja e këtij sistemi vetëm sa na afron më shumë me standardet e vendeve të qytetëruara.

Të gjithë kanë nevojë të kenë një adresë.

Duhet të shkëputemi nga tendencat për ta mbajtur shoqërinë në një stad paraurban, pa shtet, pa identitet, pa adresë apo pa dinjitet.