Udhëzimi/Për ripajisjen e shtetasit me pasaportë, hiqet formulari i Policisë. Pasaporta dërgohet edhe nëpërmjet shërbimit postar, në vendbanim - Ministria e Brendshme
Postuar më: 23/09/2020

Udhëzimi/Për ripajisjen e shtetasit me pasaportë, hiqet formulari i Policisë. Pasaporta dërgohet edhe nëpërmjet shërbimit postar, në vendbanim

Udhëzim nr. 289, datë 02.09.2020 për përcaktimin e procedurës për pajisjen me pasaportë biometrike të shtetasve shqiptarë

Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102, të Kushtetutës; të  nenit  6  dhe  të  pikës  2,  të nenit 11, të ligjit nr.  8668,  datë  23.10.2000,  “Për pajisjen  e  shtetasve  shqiptarë  me  pasaportë  për jashtë  shtetit”, të ndryshuar,  të  ligjit  nr.  9972, datë  28.7.2008, “Për ratifikimin  e ‘Kontratës koncesionare për prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit dhe pasaportave elektronike’, ndërmjet Ministrisë së  Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Grupimit SAGEM Security dhe Fondit Shqiptaro-Amerikan të Ndërmarrjeve”, të ndryshuar, si dhe të ligjit  nr. 10129,  datë  11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar,

UDHËZOJ:

1. Shtetasi shqiptar (në vijim “shtetasi”) aplikon për t’u pajisur me pasaportë biometrike:

a) brenda vendit, në zyrat e aplikimit të përcaktuara nga Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore;

b) jashtë vendit, në zyrat e përfaqësive diplomatike/konsullore, të përcaktuara nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.

2. Shtetasi, i cili aplikon për herë të parë për t’u pajisur me pasaportë biometrike, plotëson formularin e identifikimit me fotografi, në zyrën e gjendjes civile në bashkinë/njësinë administrative, ku ka vendbanimin.

3. Kur aplikimi për pajisje me pasaportë bëhet jashtë vendit, formulari i identifikimit me fotografi, plotësohet në zyrën konsullore, e cila verifikon të dhënat dhe vijon me procedurat përkatëse.

4. Të dhënat e formularit të identifikimit me fotografi verifikohen nga zyra e gjendjes civile/njësia administrative edhe nga Policia e Shtetit dhe dërgohen në zyrën e aplikimit, brenda:

a) 7 ditëve, për aplikimin e pasaportës me procedurë normale;

b) 1 ditë, për aplikimin e pasaportës me procedurë të përshpejtuar.

5. Për ripajisjen e shtetasit me pasaportë, nuk zbatohet  procedura e përcaktuar në pikat 2, 3 dhe 4, të këtij udhëzimi. Shtetasi aplikon direkt në zyrat e aplikimit, pas rezervimit online të takimit në portalin qeveritar e-Albania, duke paraqitur kuponin e aplikimit dhe si mjet identifikimi pasaportën ekzistuese.

6. Blerja e kuponit të aplikimit për pasaportë, mundësohet nga çdo vend i autorizuar për shpërndarjen e tij.

7. Shtetasi, nën moshën 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjeç, aplikon për pasaportë në prani të njërit prind, të kujdestarit ligjor ose të përfaqësuesit me prokurë të posaçme.

8. Shtetasi, deri në moshën 12 (dymbëdhjetë) vjeç, pajisjet me pasaportë pa i marrë shenjat e gishtave ndërsa mbi këtë moshë është e detyrueshme marrja e tyre.

9. Vlefshmëria e pasaportës për shtetasin nën moshën 16 (gjashtëmbëdhjetë) vjeç është 5 (pesë) vjet.

10. Pajisja me pasaportë biometrike kryhet sipas afateve të mëposhtme:

a) brenda 15 ditëve nga data e aplikimit me procedurë normale, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë;

b) brenda 3 ditëve nga data e aplikimit me procedurë të përshpejtuar, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë;

c) brenda 30 ditëve nga data e aplikimit në përfaqësitë diplomatike/konsullore, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

11. Tërheqja e pasaportës kryhet në zyrat e aplikimit nga shtetasi ose i ngarkuari me prokurë të posaçme apo nga kujdestari ligjor për të miturit dhe për shtetasit të cilëve u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar.

12. Me kërkesë të personave të autorizuar, pasaporta dërgohet nëpërmjet shërbimit postar, në vendbanimin/adresën e deklaruar prej tyre. Dërgimi i pasaportës  me postë ofrohet vetëm nëse të dhënat e vendbanimit/adresës së deklaruar në formularin e identifikimit përputhen me të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile.

13. Punonjësi i shërbimit postar e dorëzon pasaportën vetëm te personat e autorizuar për tërheqjen e saj.

14. Operatori i shërbimit postar është përgjegjës për dëmet e shkaktuara gjatë transportimit të objektit postar, pasaportës. Procedurat dhe mënyra e ofrimit të shërbimit parashikohen në marrëveshjen e përbashkët nëpërmjet autoriteteve kompetente.

15. Shtetasi ripajiset me pasaportë, para mbarimit të afatit të vlefshmërisë së pasaportës ekzistuese në rastet e mëposhtme:

a) kur udhëton apo qëndron  përkohësisht në shtete që kushtëzojnë hyrjen ose qëndrimin me afatin 6-mujor(gjashtëmujor) të vlefshmërisë së pasaportës. Në këtë rast, pajisja me pasaportë bëhet 6 (gjashtë) muaj përpara;

b) kur ndryshojnë përbërësit e gjendjes civile;

c) kur pasaportës i janë plotësuar fletët me shënime zyrtare;

d) kur pasaporta është deklaruar e humbur;

e) kur pasaporta është kallëzuar e vjedhur;

f) kur pasaporta është dëmtuar fizikisht.

16. Në rastet e parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 15, të këtij udhëzimi, për ripajisjen me pasaportë, subjektet paraqesin për identifikim pasaportën ekzistuese.

17. Në rastin e parashikuar në shkronjën “d”, të pikës 15, të këtij udhëzimi, në momentin e aplikimit për t’u ripajisur me pasaportë pranë zyrave të aplikimit, shtetasi plotëson formularin e vetëdeklarimit të humbjes së pasaportës. Për shtetasit që jetojnë jashtë vendit, vetëdeklarimi kryhet në përfaqësitë diplomatike/konsullore. Në çdo rast shtetasi denoncon humbjen e pasaportës në Policinë e Shtetit.

18. Në rastet e parashikuara në shkronjën “e”, të pikës 15, të këtij udhëzimi, shtetasi në momentin e aplikimit për t’u ripajisur me pasaportë pranë zyrës së aplikimit apo në përfaqësitë diplomatike/konsullore, paraqet dokumentin përkatës, të lëshuar nga Policia e Shtetit.

19. Në rastin e parashikuar në shkronjën “f”, të pikës 15, të këtij udhëzimi, shtetasi në momentin e aplikimit për t’u ripajisur me pasaportë, duhet të paraqesë pasaportën e dëmtuar. Me pasaportë të dëmtuar kuptohet çdo lloj dëmtimi fizik i këtij dokumenti, që përfshin rastet e mëposhtme:

a) të dhënat janë të padeshifrueshme;

b) është çngjyrosur faqja e të dhënave biometrike;

c) kur ka dëmtime kimike ose me bojë në ndonjë faqe të pasaportës;

d) kur konstatohet mungesa, grisja ose dëmtimi fizik i ndonjë faqeje të pasaportës;

e) kur konstatohet dëmtimi i çipit.

20. Pas prodhimit të pasaportës biometrike, zyra e aplikimit dërgon menjëherë informacion mbi pasaportat e prodhuara në mënyrë shkresore ose elektronike, në strukturën përkatëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila përditëson informacionin në sistemet që përdor Policia e Shtetit, duke realizuar njëkohësisht çaktivizimin e pasaportës së vjetër.

21. Ruajtja dhe arkivimi i dokumentacionit për prodhimin e pasaportës biometrike, bëhet si më poshtë:

a) formulari i identifikimit me fotografi ruhet në arkiv nga zyra e gjendjes civile në bashki/njësi administrative dhe nga zyra konsullore, për një periudhë 2 (dy) vjet, pas përfundimit të afatit të vlefshmërisë së pasaportës;

b) formulari i identifikimit dhe formulari i aplikimit ruhet nga zyra e gjendjes civile në arkiv për një periudhë 5 (pesë) vjet, nga momenti i prodhimit të pasaportës.

22. Në rast të shkeljes së procedurës së parashikuar në këtë udhëzim, kur nuk përbën vepër penale, ndaj punonjësve të ngarkuar me zbatimin e këtij akti, merren masa disiplinore sipas legjislacionit të posaçëm në fuqi që rregullon marrëdhënien e punës.

23. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, ngarkohet për nxjerrjen e formularëve tip të parashikuar në pikat 2 dhe 17, të këtij udhëzimi.

24. Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

25. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm të sigurojë zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të këtij udhëzimi.

26. Udhëzimi nr. 308, datë 8.5.2009, i ministrit të Brendshëm, “Mbi pajisjen me pasaportë biometrike të shtetasve”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

MINISTËR I BRENDSHËM

Sandër Lleshaj